E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Natën para Gërdecit, dikush në shtëpinë tonë pa në ëndërr shpërthimin”

• “Djali i xhaxhait, që ishte atë natë nga ne, në mëngjes i kishte thënë nuses sime se kishte parë në ëndërr një shpërthim brenda në shtëpi. Por nusja nuk më tha gjë”. Njeriu që rrëfen është ai që pagoi shumë më tepër nga të gjithë në Gërdec. Humbi gruan gjashtë muajsh shtatzënë, djalin e vetëm tre vjeç e gjysmë, nënën dhe njërin vëlla.

Ferdinand Dervishi

Ndërsa i ati, i djegur në shumicën e trupit, lufton me vdekjen në një spital italian. 27-vjeçari Uran Deliu prezantohet krejt i qetë, rrëfen për ngjarjet fatkeqe që i kanë pllakosur jetën, në pamje të parë pa kurrfarë dhimbjeje, nëse atë nuk do e lexosh në veprimet se si i ndez cigaret njëra pas tjetrës. Thotë se ka parë punëtorët me rroba të shkrira nga flakët e barutit të iknin të tmerruar, mes tyre edhe nënën, se ka shkelur mbi një mur të rrëzuar të shtëpisë, poshtë të cilit do të gjente më pas gruan shtatzënë pa frymë, rrëfen se si pas dy ditësh ka parë të hedhur në mes të fushës dhe të copëtuar të birin, tre vjeç e gjysmë...  Dhe sërish duket i qetë, si ai njeriu që duket se ka hequr dorë nga të gjitha ndjenjat që jeta pajis qeniet humane.
Të zbritur nga Martaneshi
Familja kompakte e Uran Deliut kishte zbritur pranë kryeqytetit, në Marqinet të Vorës, rreth 8 vite më parë. Shtëpia që do i strehonte gjendej fare pranë repartit ushtarak, që tashmë njihet si ai ku ndodhi tragjedia e Gërdecit. Deliajve u kishte pëlqyer shtëpia se ishte pranë rrugës, se kishte ujë, energji të mjaftueshme si dhe sistem të saktë të kanalizimit të ujërave të zeza. Pronari i mëparshëm një ambient të saj e kishte përshtatur për lokal, por Deliajve ky biznes nuk u kishte interesuar. Nisur nga kryefamiljari, Qemali, e shkuar tek tre djemtë, Urani, Iliri dhe Jetmiri, që të gjithë i kishin duart e arta për punë në ndërtim. “Duke u punësuar në Tiranë arrinim të sillnim në shtëpi fitime të mira dhe si rezultat e ndërtuam atë nga e para, të projektuar si ndërtesë me tre kate”, rrëfen Urani. Për repartin e topave dhe tankeve që ishte ngjitur, nuk e kishin vrarë ndonjëherë mendjen. Ai kishte pak oficerë e ushtarë, të cilët më 2004, kur tanket e topat ishin prerë po aty e kthyer në skrap, ishte katandisur në një zonë ushtarake që ruhej nga 2-3 roje. Urani ishte martuar ndërkohë me Liljanën dhe shpejt familja ishte shtuar me Flavion e vogël. “Ishim një familje kompakte. Dera jonë ka qenë e hapur për gjithë fisin. Shkonim shumë me njëri-tjetrin dhe alegria ishte bashkudhëtare. Nuk mbaj mend prej vitesh të kemi pasur ndonjë fatkeqësi në familje, qyshkur vite më parë humbëm gjyshin e moshuar”, rrëfen Urani. Në familjen Deliu e kishin bërë zakon të këndonin e kërcenin shpesh. Dhe kjo “shpesh” ndodhte edhe kur jetonin në Martanesh. “Kujtoj se im atë i binte çiftelisë, ndërsa ne të tjerët vallëzonim. Festat në familje nuk i ka ndaluar as viti 1997. Mbyllnim dyer e dritare dhe këndonim e kërcenim, pa e vrarë mendjen për krismat”, përforcon qetësisht Urani faktin se ata nuk ishin një familje si gjithë të tjerët. Shikonin punët e tyre, ato punë që u sillnin të ardhura të mjaftueshme dhe mbylleshin në shtëpi. Dhe këto punë duket u kishin sjellë edhe të ardhura të mira, pasi Urani rrëfen se shtëpia trekatëshe e ndërtuar në afërsi të hyrjes në repart nuk kishte aspak komoditetin e një banese të rëndomte fshati. Përkundër. Ajo ishte e mobiluar dhe kishte kushte të një banese të ndërtuar ashtu si ndërtojnë ata që kanë lekë për të shpenzuar. “Kujtoj se vetëm për katër muaj punë në një ndërtesë te Tirana e Re, im atë dhe vëllai, Jetmiri, ai që u vra nga shpërthimi, sollën në shtëpi 4 milionë lekë të vjetra. Neve vetëm një mur betoni në shtëpi na ka kushtuar 10 milionë lekë të vjetra, veglat muzikore të mia kushtonin 4 milionë, ndërsa kundërbufeja 3.8 mijë euro. Kështu që nuk jemi aspak dakord me dëmin e kompensuar nga shteti”, nxjerr në dritë një tjetër plagë të freskët Urani. Thotë se shtëpia është çmuar në shumën 97 milionë lekë të vjetra, ndërsa mobiliet në shumën 17 milionë dhe se këto nuk i afrohen në asnjë rast vleftës së vërtetë të shtëpisë së shkatërruar nga themelet. Gjithsesi Urani nuk nxitohet. Thotë se vendimet për të ardhmen e vendbanimit të familjes dhe të tjera të ngjashme, duhet t’i konsultojnë me babanë që kurohet në Itali. “Flakët i kanë djegur më shumë se gjysmën e lëkurës në trup, por ai vazhdon të jetojë falë zemrës që e ka shumë të fortë. Kuptohet që ende nuk i kemi thënë se ç’na ka gjetur. Mbase po ta mësonte, kjo do të thoshte që ai të merrte fund nga dhimbja. Madje kemi frikë se mos e mëson të vërtetën, pasi ditët e fundit ka nisur të pyesë shpesh për nënën dhe vëllanë që punonin në repart”, flet Urani mendueshëm.
Orët para shpërthimit
Predhat në repartin që gjendej vetëm 10 metra larg banesës së Deliajve kishin mbërritur krejt papritur. Fillimisht ishin fishekë, relativisht të parrezikshëm, por më pas formati i tyre ishte zmadhuar. Vdekja në familjen Deliu kështu ishte përvjedhur, maskuar me formën e predhave të artilerisë. “Te fishekët filluan punë nëna, nusja ime, për pak kohë edhe ajo e Ilirit si dhe vëllai, Jetmiri. Nuk kishte ndonjë pagë të mirë, duhet të bëje normën që të sillje në shtëpi 30 mijë lekë. Ndërsa te predhat punonin babai, nëna dhe sërish Jetmiri. Kujtoj se norma në demontim ishte rreth 600 predha, që duhet të bëheshin nga një grup prej katër vetash. Kjo punë paguhej 8 mijë lekë dhe zakonisht kërkonte dy ditë. Gjithsesi im atë thoshte se s’ia kishte fare qejfi të punonte aty, pasi në ndërtim ishte më mirë, por i duhej të qëndronte, pasi ishte i bindur se duke qenë vetë i kujdesshëm, do të mbante nën kontroll edhe të tjerët”, rrëfen Urani. Sipas tij askush në fshat nuk e kuptonte se sa e rrezikshme po bëhej zona e repartit. Por edhe pse punë me rrezik, banorëve të zonës u duhej të “fusnin mik” për të gjetur një vend pune në demontimin e predhave. Kjo, sepse këtë radhë dita e punës, gjithmonë nëse bëhej norma, paguhej më tepër se sa me fishekët.
Mëngjesin e ditës fatale, Urani me të vëllanë, Ilirin, kishin përcjellë që në mëngjes deri në Vorë me makinën e tyre një djalë xhaxhai. Në shtëpi kishin shpesh miq, qoftë të afërt, qoftë të largët, mbase për faktin e vetëm se ishin zemërmëdhenj nga i pari tek i fundit. “Kujtoj se pasi dolëm nga shtëpia, djali i xhaxhait u kthye në shtëpi për të marrë portofolin që e kishte harruar. Ndërkohë gruaja ime e kishte gjetur dhe po ia sillte. Pikërisht në këtë kohë djali i xhaxhait i kishte thënë sime shoqeje se natën kishte parë një ëndërr të frikshme, sikur në shtëpi kishte shpërthyer një bombol gazi. - Keni kujdes se mua më ka plasur njëherë..., i kishte thënë ai duke u ndarë”, rrëfen Urani. Por gruaja nuk arrti t’ia tregonte këtë episod të shoqit.
Katastrofa
Pasi kishte përcjellë djalin e xhaxhait, Urani kishte menduar të nxirrte të shoqen, që ishte gjashtë muajsh shtatzënë, për një vizitë te gjinekologu. Më tepër kishte kuriozitet të shihte nëse bebi ishte djalë apo vajzë. Por prania e një tjetër miku në shtëpi, kunatit të të vëllait, Ilirit, e kishte bërë të kthente mendje. Uranin shpërthimi i parë i barutit e kishte gjetur duke ujdisur hardhitë në kopsht, ku ishte bashkë me vëllanë e tij, Ilirin, si dhe mikun e shtëpisë, Jetmir Ballazhin, që do të humbte jetën më pas. “Djali im, Flavio, po sillej rreth banesës duke luajtur i vetëm, ndërsa gruaja m’u fiksua se ishte në brendësi të shtëpisë, bashkë me motrën, kunatën dhe një kushërirë. Ndjeva shpërthimin, pashë një valë flake të kuqe përmbi shtëpisë time dhe më tej vala goditësve më hodhi në përrua, pasi isha pranë tij. U tmerrova, gjithsesi u ngrita dhe në këtë moment pashë se në përrua kishte përfunduar edhe Iliri, fatmirësisht edhe ai ishte mirë. Në momentin kur dola nga përroi pashë punëtorët e repartit të iknin nga të mundeshin të tmerruar”. Urani rrëfen se si në atë tmerr shpërthimesh syri i kishte rrokur nënën, që përkundër gjithë të tjerëve, kishte kthyer rrugë për në shtëpi, për t’u kujdesur për të tjerët. “E vetmja nëna ime e bëri këtë. Ishte e vetmja, që edhe pse e djegur gjithandej dhe pothuaj lakuriq, me rroba të shkrira, u shkoi në ndihmë të tjerëve. Ndërkohë unë me vëllanë ishim strehuar pas murit të një shtëpie që ishte më larg, duke qetësuar njëri-tjetrin me arsyetimin se pjesëtarët e tjerë të familjes duhet të ishin mirë, të ruajtur nga banesa. Shpresonim se duhet të ishin strehuar në bodrum. Gjithsesi kur pashë nënën, dola përmes predhave dhe e mora me vete. Por ajo donte të futej në shtëpi. E binda se ata ishin të strehuar mirë në shtëpi, në bodrum. Në këtë moment ka ndodhur ai shpërthimi i madh dhe vala goditëse më ka ndarë nga nëna. Ishte hera e fundit që e pashë gjallë”, thotë Urani duke mbushur mushkëritë me nikotinë. Nga ky moment Urani nuk e ka parë më nënën. Ajo u gjend dikur pa ndjenja, u dërgua në spital dhe më pas në Itali, ku humbi jetën pa mundur të përmendej. “Unë duket kisha humbur ndjenjat, pasi për një kohë m’u duk se shkova në parajsë”, rrëfen Urani për pasojat e shpërthimit katastrofik. Kur është përmendur ka gjetur të vëllanë të përgjakur pas koke dhe për një moment i ka ikur fytyra. Por ai ishte mirë, një cifël predhe e kishte plagosur, por pa i prekur trurin. Rreth 100 metra më tej shtëpia trekatëshe ishte bërë rrafsh me tokën. Në këtë kohë Urani pohon se ka humbur një pjesë të arsyes. Ulet në fushë, mes predhave që binin si breshër dhe duke menduar se gruaja, djali, motra dhe pjesëtarët e tjerë të familjes kishin vdekur, vendos se edhe ai duhet të largohej nga kjo jetë. I ndarë pikërisht në këtë moment prej tyre, kunati i Ilirit, Jetmiri, humb jetën i goditur nga një predhë. Trupin e tij të thyer në mes e gjetën ata të RENEA-s në mes të fushës. Në të njëjtën kohë Urani i afrohet një blindi të forcave speciale të policisë. U thotë që ta ndihmojnë t’i afrohet shtëpisë dhe i bind duke u thënë se në të kundërt do të nisej i vetëm. Dikur policët binden dhe nisen përmes predhave drejt shtëpisë së shkatërruar. Urani zbret i pari dhe nis kërkimin për gruan e djalin. “Duke kërkuar kam shkelur përmbi një mur të rrëzuar të shtëpisë. Të nesërmen poshtë tij gjeta gruan. Mjekët thanë se nuk kishte vdekur menjëherë. Mbase ishte gjallë, por predhat që binin përreth si dhe djepi bosh i vajzës së vëllait, më kthyen mendjen të largohesha. Mendova se kanë ikur në kohë, por u gabova. Të nesërmen nuk e doja më veten kur kuptova se teksa Liljana ishte duke dhënë shpirt, i kam rënduar sipër”, rrëfen Urani me kokën ulur. Djalin e ka gjetur ditën e dytë të kërkimeve. Flavio ishte në fushë i hedhur nga vala goditëse. Gjendej mes grumbujve të dheut, si të ishte një copë e tyre. I dëmtuar në trup e fytyrë, sipas Uranit, ai duhet të ketë qenë gjallë pas shpërthimit të parë, por askush nuk e ka ditur se ku ishte, për më tepër që askush nuk mundi ta kërkonte. “Shpërthimi i madh kishte rrëzuar edhe muret e bodrumit, por kishte vrarë vetëm nusen time. Motra, kunata dhe një kushërirë, fatmirësisht shpëtuan. Duket nusja ishte në një pozicion më të ekspozuar, pasi ka pasur peng mungesën e djalit, Flavios. E kisha pikë të dobët djalin. Madje kundër gjithë qenies sime një ditë për shkak të djalit godita nusen. Ishte hera e parë dhe e fundit që ngrita dorë mbi të, pasi ishte si engjëll”, shkoqit kokulur Urani.
Jeta pezull
Pas ngjarjes Deliajt që mbijetuan u sistemuan në një banesë me qira në lagjen “Allias” të Tiranës. Pas humbjes së nënës, Urani, Iliri dhe motra e tyre Irena, lusin Zotin që të paktën të shpëtojë i ati. Kështu mes halleve që u kanë rënë, shpërblimet e dëmshpërblimet e ndryshme, qoftë të shtetit, qoftë të të tjerëve, u kalojnë para syve si të ishin imazhe të pavlera. Kanë shumë vizita. Madje thonë se pikërisht janë të afërmit ata që janë duke i mbajtur gjallë. U ka mbetur peng një xhaxha që është oficer në misionin tonë ushtarak në Afganistan, i cili ende nuk ka mundur të vijë. “I kanë thënë se kushton shtrenjtë bileta e avionit”, thotë Urani, duke bërë fytyrën e një të habituri. Gjithsesi nuk e ka zakon të ankohet dhe të akuzojë. Thotë se këto ditë të fundit ka gjetur kohën të largohet për të shkuar te rrënojat e shtëpisë. Ka kërkuar me ngulm dhe më në fund ka gjetur atë që shpresonte. Fillimisht ka gjetur albumet me fotografi, më tej edhe kostumin e Flavios. Por më tepër e ka gëzuar gjetja e videokasetës me filmimin e dasmës së tij. “Videokaseta ishte pak e shtypur, por filmi në brendësi është i paprekur”, thotë si i çliruar. Djali që i binte xhezit? Ah, atë e kam regjistruar në dasmën e vëllait, Ilirit. Flavio ishte një fëmijë i mrekullueshëm dhe tepër i zgjuar. Ishte vetëm 3.5 vjeç dhe kohët e fundit kishte bërë zakon të na korrigjonte në gjuhën e folur, sidomos gjyshen... Flasim pak si nga veriu ne dhe ai gjente rastin të na korrigjonte. Eh, lumturia s’qenka e thënë të jetë e përjetshme”, përfundon Urani si një njeri i pajtuar me fatin e mbrapshtë. Më atë fat që tashmë nuk mund të zhbëhet më. Edhe pse në shtëpi motra, kunata dhe të tjerët kanë nisur të shqiptojnë fraza që fillojnë me “ah sikur...”. Të njëjtat i kanë rrëfyer edhe historinë e djalit të xhaxhait, që harroi portofolin mëngjesin e tragjedisë dhe për paralajmërimin që ai kishte bërë të shoqes, Liljanës, duke i thënë se kishte parë në ëndërr se në shtëpi kishte plasur një bombol gazi. Por nusja nuk i kishte thënë asgjë të tjerëve, as të shoqit, Uranit. “Edhe po të më kishte thënë, asgjë nuk do të bënim. Kjo është e sigurt. Ishim mësuar me shpërthime këtu dhe nuk na bënin përshtypje. Të shihje ëndrra me shpërthime vetëm 10 metra larg predhave, nuk ishte diçka për t’u habitur”, thotë i shuar Urani.

“Incidentet, baroti mori flakë edhe dy herë të tjera”

Uran Deliu ka qenë një nga njerëzit më gjakftohtë që jetonte pranë repartit ku demontoheshin predha, nisur nga ato të kalibrit të vogël. Viti 1997 e kishte përplasur në aventura të ndryshme me armët dhe municionet dhe gjithë kohën kishte kujtuar se eksperienca nuk i mungonte. Prandaj edhe nuk e kishte parë me shumë tmerr zbrazjen e dhjetëra tonë predha pranë banesës së vet. Po kështu ai kishte qenë krejt gjakftohtë në të paktën dy incidente.
Uran, thatë se keni qenë prezent në dy incidente kur ka marrë flakë baruti, çfarë ndodhi?
Ka ndodhur rreth një vit më parë dhe kujtoj se kam qenë prezent kur teksa demontoheshin fishekë, një kovë me barut mori flakë. Pati një shpërthim dhe më tej flaka shpërtheu edhe disa fishekë. Njerëzit që punonin në repart ikën nga sytë këmbët të tmerruar. Madje turma rrëzoi përtokë nusen e tim vëllai, Ilirit. Unë isha më gjakftohtë dhe shkova e i dhashë ndihmë. Për fat të mirë nuk pati asnjë të lënduar.
Thatë se ishit gjakftohtë, përse?
Sepse unë e di që fishekët nëse hidhen në zjarr nuk janë të rrezikshëm. Në vitin 1997 kam hedhur të tillë në zjarr, dhe kur ai është fikur kam parë se predhat nuk janë larguar shumë nga gëzhoja. Kështu që në rastin e shpërthimit të parë në repart isha i qetë.
Pse ka pasur edhe një shpërthim të dytë?
Po, ka pasur. Ishte gjatë turnit të dytë, rreth mesit të natës. Turni i parë zgjaste deri në orën 16:00, ndërsa i dyti deri kur të bëhej norma. Më duket se kishte marrë flakë një kovë me barut. Më tej vazhduan krisma fishekësh. Kujtoj se dolëm nga shtëpia dhe pamë edhe policinë të mbërrinte. Por ndërkohë krismat kishin pushuar dhe ata të policisë u kthyen mbrapsht të qetësuar nga drejtuesit e ndërmarrjes.
Ju vetë, a keni punuar në repart në demontim?
Kam punuar pak ditë. Ai drejtori, Dritan Minxolli, kishte shumë respekt për familjen tonë, pasi na konsideronte punëtorë. Ne nuk i bënim naze nëse na thoshte për ndonjë punë jashtë procesit të demontimit, ndërkohë që të tjerët e bënin me bezdi, ose e refuzonin.
Po gjatë procesit të demontimit të predhave të artilerisë, ka pasur ndonjë incident?
Ka pasur, më 15 mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›