E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahu gjyqtarin, pendohet pas 10 ditësh

• Pasi dhunoi një arbitër dhe u krenua për të në publik, befas deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturri ka shprehur pendesë të thellë për aktin e dhunshëm.

Sipas TCH, Paturri i kërkon falje të thellë gjyqtarit Shkëlqim Guçe, popullit dhe Partisë Republikane në një letër me stemën e kuvendit të shkruar me shkrim dore dhe siç thotë edhe vetë “pa korrigjime”. Por siç duket, megjithëse me vonesë, ai duhet të jetë ndjerë shumë i turpëruar, derisa për të kërkuar ndjesë ka dërguar një letër dhe nuk ka kërkuar kamerat, siç i kërkoi kur foli me krenari nga foltorja e kuvendit për aktin e shëmtuar të dhunës ndaj gjyqtarit. “Tashmë nuk duroj dot më, dhe po bëj këtë deklaratë me shkrim dore”, thuhet në hyrje të letrës, ku më pas Paturri kërkon ndjesë. “Ju lutem të gjithëve të më ndjeni, pasi gabove shumë rëndë”, e mbyll letrën e tij deputeti republikan. Gati 10 ditë më parë, njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në parlament pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë. Deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturri, përfaqësues i zonës së Fushë-Krujës pranoi publikisht se ishte ai që kishte rrahur gjyqtarin e ndeshjes Iliria-Albpetrol 0-0 (kategoria e dytë), Shkëlqim Guçe, për gjykim të njëanshëm. “I gjithë shkaktari i kësaj gjendje është gjyqtari dhe pasojat ishin të mëdha. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes”, do të deklaronte Paturri në një konferencë për shty të organizuar pikërisht për këtë çështje. Pamjet e dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Shkëlqim Guçe ishin të denja për të bërë xhiron e botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›