E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e ngujuar, del i pafajshëm kryebashkiaku i Poliçanit

Autori i Lajmit: red.
Skandali i vjedhjes së fondeve për fëmijët e ngujuar në Poliçan duket se është drejt zbardhjes së plotë. Pak javë më parë, kamerat e mediave zbuluan se vogëlushët e ngujuar që jetonin në qendër, ushqeheshin me listë, e për më tepër kushtet e godinës rrezikonin seriozisht shëndetin e tyre. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Beratit është pranë mbylljes së hetimeve ndaj kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotka. Së paku, një prej prokurorëve të çështjes ka dalë në konkluzionin se padia ndaj tij është ngritur me fakte që nuk ekzistojnë. Shkresa e firmosur nga prokurori i Beratit mban datën 15 janar të këtij viti dhe mban firmën e prokurorit Tasim Puci, një javë para shpërthimit të çështjes në publik. Hetimet e nisura rreth një vit më parë u bënë të ditura pas publikimit të fakteve që tregonin se fëmijët e ngujuar në qendrën e tyre në Poliçan, ndodheshin në kushte të vështira. Ata trajtoheshin nga një shoqatë e drejtuar nga shtetësja Liljana Luani, e cila ngriti disa akuza ndaj kryebashkiakut Zotka që lidhen kryesisht me përvetësimin e fondeve konkrete. Por Prokuroria në shkresën e saj të 15 janarit, del në konkluzionin se fondet e akorduara për fëmijët e ngujuar ishin të kushtëzuara dhe nuk mund të prekeshin nga Bashkia. Prokurori shkruan në vendimin e pushimit të hetimeve në ngarkim të shtetasit Adriatik Zotkaj se kanë marrë në pyetje të gjithë personat e përmendur në çështjen e 2.7 milionë lekëve për të cilat Liljana Luani akuzon për përvetësim kryebashkiakun Zotka. Pas marrjes në pyetje të shtetases Bukurije Lezi, rezultoi se paratë ishin tërhequr prej saj dhe ishin shpërndarë për punonjësit e qendrës dhe për blerjen e mallrave. Kjo dëshmi është konfirmuar pas marrjes në pyetjeve të punëtorëve që kishin emrat në bordero dhe të shitësve që kishin dhënë mallrat. Ndërsa në lidhje me pretendimin se kryebashkiaku Zotka ka lëshuar një deklaratë me shkrim, sipas së cilës paratë janë marrë prej tij, hetimet rezultuan se letra ishte e falsifikuar dhe se shkrimi i vërtetë ishte i shtetasit Ali Alushani, kryetari i bordit të shoqatës së drejtuar nga Liljana Luani dhe ish-ministër Shëndetësië në regjimin komunist. Në konkluzionet e prokurorisë përmendet edhe fondi prej 3.8 milionë lekësh për të cilin thuhet se janë paraqitur dy situata dhe se Bashkia nuk kishte asnjë lloj dokumentacioni. Hetimi ka hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur me miliona lekë të akorduara për fëmijët e ngujuar. Në të thuhet se Bashkia e Poliçanit, me pretendimin se fondet po merreshin nga shoqata, kërkoi ndërprerjen e financimit dhe kalimin e qendrës në vartësi të shtetit. Kjo ndodhi në fund të vitit 2008 dhe tashmë në qendër është caktuar një tjetër drejtues, ndërsa fëmijët do të trajtohen direkt nga shteti dhe jo shoqatat. Gjithsesi pritet që tani shkresa e firmosur nga prokurori i çështjes, të firmoset edhe nga kreu i Prokurorisë së Beratit, për të marrë formën e tij finale.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›