E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e ngujuar, ish-ministri i pandehur për shpërdorim detyre

 

BERAT - Prokuroria e Beratit merr të pandehur ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kosta Barka u paraqit vetë dje në prokurori dhe vuri firmën në akuzën e ngritur ndaj tij për "shpërdorim detyre". Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ish-ministri pranoi akuzën. Mësohet se Barka është marrë si i pandehur pasi gjatë hetimeve të kryera rezultoi se ai kishte dhënë fonde për një shoqatë të pa licencuar, siç ishte ajo e fëmijëve të ngujuar. Kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliaj u shpreh dje se gjatë hetimit rezultoi se ish-ministri Barka ka shkelur ligjin. Barka mësohet se në momentin e firmosjes të akuzës ka pranuar se ishte shkelur ligji, por ai më pas ka reaguar ashpër, deri edhe në kërcënime. Kreu i prokurorisë Saliaj, u shpreh se pavarësisht presioneve apo kërcënimeve, ai është i vendosur për të zbatuar ligjin. Hetimet nisën rreth katër muaj më parë ku grupi hetimor, pasi punoi me kujdes arriti në përfundimin se fondet i janë dhënë një shoqate të palicencuar, ndërsa kjo e fundit ua ka ndryshuar lekëve destinacionin. Fëmijët prej një viti kishin vuajtur urinë, ndërsa punonjës të shoqatës u detyruan të marrin për ta bukë e ushqime me listë. Skandali i urisë së 25 fëmijëve të ngujuar mori përmasa të mëdha pasi u zbulua nga mediat. Familjarët e fëmijëve nuk pranuan t'i linin më ata në këtë shoqatë, e cila deri në ditën kur u zbulua skandali ishte sekret edhe për shkak të pozicionit mjaft delikat të fëmijëve. Sipas kryeprokurorit në ditët në vijim pritet të paraqiten drejtues të shoqatës për të vendosur pozitën e tyre. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›