E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, grabitësi i bankës plagos rojën

 

HAS/ JONUZ HALLAÇI

Një person i armatosur dhe i mask-uar sulmon degën e një banke në qendër të qytetit të Krumës. Qëllimi i tij mbeti në mes, pasi roja e bankës tentoi ta bllokojë, por përfundoi i plagosur rëndë. Autori ka mundur të mbërrijë deri te sporteli, por pa mundur që të grabisë paratë. Pas ngjarjes ai arriti të largohej dhe deri në mbrëmjen e djeshme nuk ishte shoqëruar asnjë i dyshuar në komisariat. Sipas njoftimit të policisë së Kukësit, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 11:45. Një krismë arme është dëgjuar brenda bankës në qendër të qytetit, degë e "Raiffeisen Bank". Punonjësit e bankës, të pyetur si dëshmitarë, treguan në polici se brenda ambienteve hyri rreth mesditës një person i maskuar dhe me pistoletë në dorë. Ai ka arritur në pjesën e sportelit, duke kërkuar nga arkëtarja t'i nxirrte të gjitha paratë që ndodheshin aty. Ndërsa të gjithë u përfshinë nga paniku, roja i bankës, 55-vjeçari Fadil Lusha ka ndërhyrë me shpejtësi. Duke tentuar ta neutralizojë ai është konfrontuar me grabitësin, i cili për të shpëtuar qëlloi me armë drejt rojës. Plumbi rrëzoi të gjakosur Lushën, ndërkohë që autori mundi të dilte nga godina e bankës e të largohet me shpejtësi në drejtim të paditur. Mendohet se në këtë ngjarje janë përfshirë të tjerë persona që mund të kenë qenë duke e pritur autorin jashtë, pasi ai, në bazë të planit të përgatitur më parë, të dilte bashkë me paratë. E gjithë kjo ndodhi në godinën e bankës në qendër të qytetit të Krumës, rreth 50 metra larg komisariatit të policisë. Pas plagosjes, roja i bankës është nisur për ndihmë mjekësore në spitalin e Kukësit, ku ka mbërritur pas rreth 40 minutash. Familjarët e tij thanë se deri në spital ka mundur edhe të flasë, pastaj ka humbur ndjenjat dhe ka derdhur shumë gjak. Operacioni ka zgjatur rreth 4 orë dhe tashmë ai ndodhet në sallën e reanimacionit të spitalit, nën kujdesin e mjekëve, të cilët thonë se ka përmirësim. Me vështirësi është siguruar dhe sasia e gjakut, pasi 55-vjeçari kishte një grup të rrallë gjaku.
Tentativa e grabitjes me armë dhe plagosja e policit-roje tronditi qytetin e vogël, të cilët prej vitit 2000 nuk kishin dëgjuar lajme të tilla. Në momentet e vjedhjes, në shesh kishte pak njerëz. Dita e djeshme përkonte dhe me një pelegrinazh të besimtarëve në dy vende të shenjta: në Cabrat dhe Gorozhup në zona kufitare të Hasit me Kosovën, ku njerëzisht shkojnë masivisht për të ndjekur ritet fetare. Vjedhja e fundit e bankës në qarkun e Kukësit është regjistruar në verën e vitit 2000, kur një grup personash të armatosur sulmuan autobankën që dërgonte 600 milionë lekë nga Kukësi në drejtim të ish-Bankës së Kursimeve në Has. Nga përleshja me policinë dy nga grabitësit u vranë dhe u plagosën 3 punonjës të policisë.

Precedenti në Tiranë
Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën muajin e shkuar, në mes të ditës, filialin e të njëjtës bankë në rrugën "Ferit Xhajko" në Tiranë. Autorët kërcënuan rojën dhe mundën të hyjnë deri në brendësi të bankës, duke rrëmbyer prej saj 900 mijë lekë të reja. Ata u larguan pa asnjë shqetësim, ndonëse ngjarja ndodhi në afërsi të unazës së kryeqytetit, në një zonë tejet të populluar dhe me trafik. Policia u vu në ndjekje të tyre në bazë të përshkrimeve trupore, por pa arritur të bëjë identifikimin. Në këtë rast, as kasetat filmike të bankës nuk ndihmuan policinë, pasi autorët i shmangeshin atyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›