E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula: Divorci çështje e mbyllur

 

Armand Bajrami

Sopranoja e njohur Inva Mula, "konfirmoi" dje në Gjy-katën e Tiranës se divorci i saj me kantautorin Pirro Çako nuk mund të ketë kthim pas. Në seancën e djeshme, e para në këtë proces, ku gjykata fton palët për pajtim, sopranoja e konsideroi të mbyllur si çështje zgjidhjen e martesës së saj me kantautorin Pirro Çako. Sopranoja Mula ishte vetë e pranishme dje në sallën e gjyqit ndërsa, Pirro Çako përfaqësohej nga avokatja mbrojtëse e tij ligjore. Kërkesa e avokates së kantautorit Pirro Çako, për një seancë pajtimi ku të ishte edhe klienti i saj i pranishëm, nuk u pranua nga gjykata. Me seancën e djeshme, faza e pajtimit u cilësua e ezauruar ndërsa gjykata shpalli se seanca e ardhshme do të jetë fillimi i shqyrtimit gjyqësor për zgjidhjen e martesës. Në 2 qershor 2009 gjykata do të vijojë në shqyrtimin e padisë së sopranos Mula për ndarje nga bashkëshorti.
SEANCA
Me kujdes maksimal për të mos u fiksuar nga objektivët e aparateve fotografike apo kamerave, Inva Mula është futur dje në ambientet e Gjykatës së Tiranës, për procesin e divorcit me Pirro Çakon. Gjyqtarja Elona Gjoka, e cila do të shqyrtojë kërkesë-padinë e sopranos Mula, ka hapur seancën e pajtimit mes palëve. Ndërsa Inva Mula së bashku me mbrojtësin e saj ligjor ishin të pranishëm, nga pala tjetër prezente ishte vetëm mbrojtësja ligjore e kantautorit Pirro Çako. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur se sopranoja Inva Mula nuk ka pranuar pajtimin me bashkëshortin e saj. "Është çështje e mbyllur", mësohet të jetë shprehur ajo në seancë. Ndërsa nga pala e paditur, Pirro Çako, është kërkuar pajtim. Kërkesa është artikuluar nga avokatja e tij mbrojtëse, Olta Kotherja. Gjithashtu nga pala e paditur është kërkuar edhe një seancë tjetër pajtimi, ku të ishte i pranishëm edhe vetë kantautori Çako. Kjo edhe për faktin se dy seancat e mëparshme të shqyrtimit të kësaj kërkesë padie, kanë dështuar për shkak të mosnjoftimit në kohë të Çakos. Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjykata, prej së cilës është konsideruar e përfunduar faza e pajtimit. Në datën 2 qershor është caktuar seanca e radhës, ku do të fillojë shqyrtimi i kërkesës për divorc mes palëve. Largimi i sopranos nga ambientet e gjykatës u bë gjithashtu "pa u ndier". Në një kohë që gazetarët e medias së shkruar dhe vizive prisnin daljen e saj, ajo është larguar nga dera e pasme e gjykatës. E vetmja gjë e fiksuar, ishte largimi i automjetit tip "Mercedes Benz" brenda së cilës ndodhej sopranoja që mbulonte fytyrën me një xhaketë. 

PADIA
Ndarja mes bashkëshortëve të njohur për karrierën e suksesshme, që prej disa vitesh jetonin larg njëri-tjetrit filloi të marrë "formën zyrtare" në ditët e para të prillit të këtij viti. Një kërkesë padi me objekt "zgjidhje martese", me palë paditëse Inva Mulën, u regjistrua në Gjykatën e Tiranës. Sipas kërkesë padisë, sopranoja kërkonte zgjidhjen e martesës me bashkëshortin e saj Pirro Çako. Argumenti kryesor i kërkesës për divorc ishte fakti që për shkak të largësisë nga njëri-tjetri "marrëdhënia jonë nuk ka më kuptim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›