E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e plagosur: Predhën e gjetëm mes hekurave

 

Dy 14-vjeçarët e plagosur në Korçë nga shpërthimi i një predhe rrëfejnë ngjarjen nga shtrati i spitalit

KORÇË- Harruan fëmijërinë për skrap dhe fitimin që vinte nga ai, por kanë përfunduar si pacientë në spitalin e Korçës. Dy nxënësit e klasës së tetë, të cilët u plagosën dje nga shpërthimi i një predhe ushtrie në fshatin Lozhan kanë treguar të gjithë ngjarjen nga shtretërit e spitalit ku ndodhen ende. Fshati Lozhan banorë të të cilit janë dhe dy të plagosurit, është tronditur nga ngjarja, ndërsa mendohet që kapsollat e predhave të kenë mbetur në të nga viti 1997.

Sipas rrëfimit të dy të dëmtuarve, Eris Sulçe dhe Premtim Agolli, nxënës në klasën e 8-të, ata ishin duke mbledhur hekurishte fare pranë qendrës së Lozhanit. Në një moment, mes hekurishteve të shumta, ata kanë gjetur një detonator predhe artilerie. Ata tregojnë se nuk e kanë ditur aspak rrezikun që iu kanosej dhe janë përpjekur ta çmontojnë detonatorin, ndërsa ai iu ka shpërthyer në duar. Si rezultat i këtij shpërthimi ka mbetur i plagosur rëndë Eris Sulçe, si dhe shoku i tij Premtim Agolli. "Desha të dija se çfarë kishte në atë objekt që na u duk si gjë e rrallë që e kishim zbuluar vetëm ne. Ishim duke parë se ç'kishte brenda në atë predhë. Unë s'kisha parë ndonjëherë më parë gjëra të tilla, megjithëse tani që e mendoj ishte si ato që jepte televizori në Gërdec. E gjetëm bashkë me Erisin i cili erdhi me mua duke lënë peshkimin. Unë mblidhja skrap për ta shitur dhe ai la dhe karrocën e dorës që e kishte mbushur me skrap, për t'u marrë me sendin që ishte në formë cilindrike", -thotë nga shtrati i spitalit Premtim Agolli. "Me ne ishin edhe disa fëmijë të tjerë, por kur gjetëm predhën u larguam. Mbaj mend që po e hapnim dhe më pas u gjendëm në spital",- tregon ai. Shoki i tij, Eris Sulçe tregon se ka shkuar deri tek një taksi vetë në këmbë dhe më pas ka humbur ndjenjat, pasi gjaku në pjesët e gjymtyrëve të këmbës ishte i madh. Me të ka shkuar dhe e ëma, e cila vajtonte duke mallkuar municionet luftarake të shumta në atë zonë. Plagosja e fëmijëve është parë nga shumë dëshmitarë. Nga mjekët e spitalit bëhet e ditur se Agolli i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në bark, pasi shpërthimi i kishte dëmtuar organe jetike, ndaj ai vazhdon të jetë ende në reanimacion, ndërsa shoku i tij Eris Sulçe gjendet i shtruar në një nga dhomat e kirurgjisë. Të dy 14- vjeçarët kanë treguar gjithashtu se shihnin për herë të parë një mjet luftarak i cili i ka rrezikuar së tepërmi. Madje Agolli gjëndja e të cilit është më serioze shprehet se ai mblidhet skrap, ndërsa ka tërhequr në këtë aventurë dhe shokun e tij, i cili kishte dalë të peshkonte me disa fëmijë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›