Vlorë, maskat grabisin pedagogun 48- vjeçar
Vladimir Kasemi po udhëtonte me makinë drejt Fierit kur i kanë dalë përpara 2 persona me maska e të armatosur
Ngjarja ka ndodhur në orën 05.30 në vendin e quajtur Çezma e Thatë pranë fshatit Panaja
VLORË- Rikthehen grabitjet e bujshme me maska në aksin rrugor Vlorë- Fier. Mëngjesin e djeshëm, shoferi i një makine ka rënë pre e dy grabitësve të maskuar dhe me armë në dorë. Ata i kanë marrë një pedagogu 48-vjeçar të gjitha paratë që kishte me vete si dhe disa pajisje pune. Grabitja ka ndodhur në vendin e quajtur Çezma e Thatë pranë fshatit Panaja dhe policia nuk ka mundur ende që të identifikojë asnjë prej grabitësve. Ajo ka marrë dëshminë e të grabiturit Vladimir Kasemi si dhe disa gjurmë gishtërinjsh në vendin e ngjarjes.
Grabitja
Burimet zyrtare të policisë pohuan se rreth orës 05.30, pedagogu Kasemi ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip Lancia me targa "VL 3027C" kur në rrugë i kanë dalë përpara dy persona. Ai nuk ka mundur që t'i dallojë mirë nga larg por kur është afruar ka kuptuar se ata kishin maska në kokë dhe i kishin drejtuar armët. Nën presionin e armëve ai ka ndaluar makinën e tij pranë fshatit Panaja të Vlorës. Dy personat e maskuar e me armë në dorë e kanë detyruar pedagogun që të dalë nga makina. Një prej tyre ka ruajtur atë dhe rrugën ndërsa tjetri ka nisur që të bëjë një kontroll të imtësishëm të makinës. Ata kanë hapur edhe bagazhin e makinës ku kanë gjetur dy aparate laboratorike. Grabitësit i kanë marrë këto aparate, edhe pse nuk e dinin për çfarë shërbenin. Më pas ata i kanë marrë Vladimir Kasemit edhe të gjitha paratë që kishte me vete. Burimet e policisë pohuan se shuma që i kanë marrë grabitësit pedagogut nuk është e madhe por vetëm 62 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj ata janë larguar ndërsa pedagogu është rikthyer drejt qytetit të Vlorës ku ka nxituar që të shkojë në polici dhe të bëjë denoncimin përkatës.
Hetimet
Me të mbërritur në qytetin e Vlorës, pedagogu Vladimir Kasemi ka rendur në polici ku ka rrëfyer të gjithë ngjarjen e ndodhur. Burimet e policisë pohuan se pasi është marrë dëshmia e të grabiturit është dërguar me urgjencë në vendin e ngjarjes një patrullë, e cila ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ekspertët e kriminalistikës kanë verifikuar edhe gjurmët e gishtërinjve që ndodheshin në makinën e Kasemit e sidomos në vendet që mendohet se janë prekur nga grabitësit. Por deri në orët e mbrëmjes së djeshme policia nuk ka mundur ende që të zbulojë identitetin e grabitësve me maska. Hetuesit pohuan se ende po punohet për të sqaruar pozicionin e të dëmtuarit, nëse është pre e një grabitjeje rastësore, apo ka qenë ai objektivi i paracaktuar i saj. Kjo do të ndihmonte në ngushtimin e rrethit të të dyshuarve. Vladimir Kasemi, pedagog i inxhinierisë navale, ka kandiduar edhe për rektor të universitetit të Vlorës. Mëngjesin e djeshëm ai po udhëtonte drejt Durrësit pasi jep mësim edhe ty.