LSI, kamikaze për të shkatërruar të majtën
Kryetari i saposhkarkuar i Këshillit Bashkiak në Fier, Myzeljen Hoxha e denoncoi dje pazarin PD-LSI që çoi në bërjen realitet të asaj që ishte paralajmëruar: nxjerrjen në opozitë të PS-së, e cila historikisht ka patur pushtetin vendor në Fier. "Pazar-Pakti LSI-PD, sa amoral aq dhe apolitik, sa korruptivo- politik, aq dhe injorues i interesave publike. "Më jep Drejtorin e Ujësjellësit, të jap Kryetarin e Këshillit të Bashkisë", të projektuar dhe zbatuar skutave, godet rëndë interesat publike të komunitetit fierak dhe krijon një pushtet vendimor të pamoral, që do të gjenerojë krizë të përhershme dhe bllokojë funksionimin e pushtetit ekzekutiv (bashkisë) në Fier",- thotë në një intervistë për "Shekullin" z.Hoxha. Z.Hoxha, si do ta komentonit shkarkimin tuaj? Ajo që ndodhi, fill mbas mbylljes së ligjshme të mbledhjes së Këshillit të Bashkisë, si rezultat i bllokimit të saj nga mocionistëtuzurpatorë të PD-së dhe LSI-së të institucioneve, ishte sa maskaradë politike, aq dhe një puç institucional kundër Këshillit të Bashkisë dhe institucioneve drejtuese të tij, mbasi u dhunuan ato në emër të deformimit të ligjit dhe mashtrimit të publikut. Nxitëse dhe organizuese e këtij akti të pashembullt dhe të turpshëm u bë dhe bastioni i antiligjit: Prefektura e Fierit. Është e qartë dhe plotësisht e kuptueshme, neni 12 i Rregullores së Funksionimit të Këshillit të Bashkisë. Afera PD-LSI "Më jep Drejtorin e Ujësjellësit, të jap Kryetarin e Këshillit të Bashkisë" është tërë përmbajtja e dhunimit dhe injorimit të institucioneve të Këshillit të Bashkisë në Fier. Cili është komenti juaj për shumicën e re në Këshill? Unë, me bindje dhe pa asnjë mëdyshje, denoncoj dhe kontestoj fort përdorimin e keq të pushtetit për interesa personale dhe klanore politike, që fshihen nën "lëkurën" e këtij veprimi PD-LSI. Këshilli i Bashkisë është një organ politiko-administrativ, ky është dhe statusi i kryetarit të Këshillit të Bashkisë. Në aspektin administrativ, gjatë gjithë kohës së funksionimit të Këshillit të Bashkisë, unë jam udhëhequr dhe kam vepruar në respektimin dhe zbatimin e parimeve të paanësisë, barazisë, ligjshmërisë, përgjegjë- sisë publike dhe etikës profesionale, në drejtimin dhe përfaqësimin e Këshillit të Bashkisë. Është politike dhe e moralshme të vlerësosh dhe ndjesh përgjegjësinë publike të drejtimit dhe administrimit të shërbimit kryesor publik, të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit. Të kërkosh profesionalizmin, aftësinë, zotësinë dhe përgjegjësinë, në funksionimin efektiv të Ujësjellësit, të keq-qeverisur deri më sot nga qeverisja qendrore, është detyrim njerëzor, moral dhe politik i këtij pushteti vendor, i cili duhet të jetë në shërbim të njerëzve dhe jo të klaneve të individëve dhe politike të LSI-së dhe PD-së. Këshilli i Bashkisë nga kjo mazhorancë uzurpuese, është kthyer në vendin e mediokritetit, ku të gjithë ne dhe publiku do të jemi përherë të rrezikuar. Pazar- Pakti LSI-PD sa amoral, aq edhe apolitik, sa korruptivo-politik, aq dhe injorues i interesave publike, " Më jep Drejtorin e Ujësjellësit, të jap Kryetarin e Këshillit të Bashkisë" të projektuar dhe zbatuar skutave, godet rëndë interesat publike të komunitetit fierak dhe krijon një pushtet vendimor të pamoral, që do të gjenerojë krizë të përhershme dhe bllokojë funksionimin e pushtetit ekzekutiv (bashkisë ) në Fier. Emri tjetër i kësaj marrëveshjeje është "Një xhuvelizëm i pastër vendor" në Fier, që s'ka se si të prodhojë vlera, në dobi dhe për qytetarët. Lufta dhe veprimi kundër kësaj shpure partiako- politike, duhet të jenë të pakompromis, të vendosur dhe të patolerueshëm për të siguruar mbrojtjen dhe sigurimin e shërbimeve të mira publike dhe të përhershme për qytetarët. Të bësh "kurban" institucionet drejtuese të këshillit të bashkisë për një post Drejtori-Ujësjellësi, për të marrë ca para dhe të shesësh politikisht vende pune, është modeli më i papërgjegjshëm i ushtrimit të një të drejte pushtetore, të përdorur abuzivisht. Pushteti nuk merret në tavolinë, atë ta jep vullneti politik i zgjedhësve fierakë, që kanë votuar në mazhorancë të majtën në Fier. Tautologjia "dritaniane", "që kjo marrëveshje djathtas do t'i shërbej të majtës, "nuk është gjë tjetër veçse një halucinacion politik i radhës dhe shprehja më e qartë dhe përfaqësuese e korrupsionit politik në Fier. Ta përdorësh partinë (LSI-në) si "kamikaz" për të shkatërruar të majtën në Fier, është e papranueshme dhe e dënueshme elektoralisht, por edhe publikisht, mbasi për publikun, pushteti është shërbim për të, dhe jo punësim militantësh partiak. Përfundimisht, meqenëse vlerat e mia morale, politike dhe profesionale janë të pastra, vendimmarrja e tyre informale nuk është aspak shqetësuese për mua. Kur politika dhe morali kundërshtojnë njëri-tjetrin, siç është kjo aferë politike, qytetari fierak ka alternativën e dyjëzuar, ose të humbasë sensin e tij moral, ose të humbasë respektin dhe mbështetjen për politikën e PD-së dhe LSI-së. Kam besim të madh, se kjo e dyta do të ndodh shumë shpejt. Çfarë përgjegjësie ndjeni juaj ? Kundërshtimin e rreptë dhe denoncimin e plotë në publik të aferës politiko-korruptive "Më jep Drejtorin e Ujësjellësit, të jap Kryetarin e Këshillit të Bashkisë", tashmë të faktizuar, me qëllim që të mbroj interesin publik të furnizimit me ujë, interesin publik të mbrojtjes së institucioneve të Këshillit nga uzurpimi i tyre dhe mbrojtjen e të drejtës dhe lirisë së individit, që kërkon të injorohet dhe poshtërohet në emër të kulisave politike të LSI-së dhe PDsë. Pra, përfundimisht, problemi: Nuk ka një çështje ose raport problematik "Myzalejen Hoxha- Kryetari i Këshillit të Bashkisë", por një "aferë politike LSI-PD". Kjo është çështja. Zgjidhja: Informimi dhe vlerësimi i publikut për dënimin e saj, nëpërmjet vullnetit politik të qytetarëve si zgjedhës. Detyra ime është të jem i hapur, i ndershëm dhe i sinqertë me publikun, për t'i shërbyer të vërtetës së kryerjes të detyrimeve të mia publike dhe qartësimit të dobishmërisë së tyre. --------------------------- "Nuk kemi bërë pazar me PD-në" Dritan Prifti, nënkryetar i LSI-së dhe njëherësh kryetar i komanduar i degës së LSI-së në Fier i komentoi manipulime të PS-së, zhvillimet e fundit në bashkinë e Fierit. "E vërteta që ka ndodhur në Fier është shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak të PS për shkelje të përsëritura të ligjit, për arrogancë dhe mungesë etike në komunikim. Rasti më i fundit i shkeljes së ligjit nga ish-kryetari i Këshillit është mos zbardhja e vendimeve të këshillit për Buxhetin 2008". Sipas tij, LSI propozoi disa ndërhyrje në buxhetin e bashkisë për 2008, si krijimin e një fondi ekselence për të shpërblyer me bursë mujore ata nxënës dhe studentë fierakë që kanë rezultate të shkëlqyera në studime, rikonstruksionin e Shtëpisë së Pionierëve në Fier dhe ngritjen aty të një Shtëpie Rinie, ndërtimin e një qendre për moshën e tretë në Fier, vendosjen e shërbimit të transportit urban brenda qytetit dhe disa përmirësime në infrastrukturë për dy lagje të Fierit, por ndërsa Këshilli Bashkiak në mbledhje i aprovoi këto me votë, ish-kryetari nuk i zbardhi në variantin përfundimtar të buxhetit. Lidhur me Paktin me PD-në për të marrë Këshillin Bashkiak, nëse LSI-së i besohej drejtimi i Ujësjellësit, Prifti thotë se partia e tij nuk ka bërë asnjë pazar me PD. "Drejtori i Ujësjellësit është i PD-së dhe nëse do të jetë i nevojshëm zëvendësimi, kjo do jetë kompetencë e Bordit të ri Drejtues".