Gjimnazistët ; Pse më sheh shtrembër!?
Mistrecët e vegjël, janë pikërisht ata që ne jemi mësuar t’u themi si me shaka. Ata zemërohen shpejt, kanë arrogancë, shqetësohen dhe nervozohen shumë shpejt, qoftë dhe për një shikim të rastësishëm. Adoleshenca nuk mund të kuptohet pa këto teka, që shpesh u themi çmendurira - ku gjaku vlon dhe nuk pyesin se çfarë i rrethon. Janë tmerrësisht delikatë në ndjeshmëri dhe ana psikologjike është e vështirë për t’u kuptuar nga psikologët.
Sipas punonjësve socialë dhe psikologëve, këta adoleshentë kanë nevojë për të pastruar “ngërçin” e trashëguar në komunikim, i cili në pjesën më të madhe të rasteve bëhet burim shqetësimesh. Jeta e vështirë që trashëgojnë në fëmijërinë e hershme dhe më pas në adoleshencë i bën të duken si më të këqijtë, ndjesi e cila shoqërohet me shqetësime madhore. Ata janë të pafajshëm si dhe ne, por mjedisi ku janë lindur e rritur, i ka transformuar në egërsira që nuk kanë se ç’të bëjnë me zemërimin e tyre. Madje edhe përshëndetjet e tyre janë të ftohta, pa ngjyrime emocionale dhe sa më shkurt. Shpeshherë, kryefjala e komunikimit të tyre është togfjalëshi “pse më sheh” apo “pse më sheh shtrembër”. Për punonjësit socialë dhe psikologët kjo shprehje është tejet domethënëse. Ajo mbart zemërim, nerv dhe inat. Mjafton pak dhe shkëndija ndizet, merr flakë. Duan të shpërthejnë fuqishëm për t’u shpëtuar kujtimeve të rrahjes me rrip, diskriminimit në llojet e veshjeve dhe ndarjes me dhembje të prindërve. Ndërsa bëhemi pjesë e këtij realiteti, shtrohet pyetja: A jemi vërtet kaq të pafuqishëm ndaj këtij dukurie vrastare që po përparon me shpejtësi nën këmbët tona? Shumica do të thoshin jo, sepse për fat të mirë, potencialet tona janë të mëdha. Shpresat janë dhe djemtë zemërakë së shpejti do të arrijnë që ta gjejnë rrugën e shpëtimit prej inatit e dhunës, të cilat u kanë zënë fytin dhe mezi presin të marrin arratinë për t’i molepsur të gjithë me tmerr. Me një nga punonjësit socialë të kryeqytetit, Alban Kano, përpiqemi të kuptojmë djemtë zemërakë të gjimnazeve të kryeqytetit, nervat dhe mllefin që mbajnë brenda. A është i menaxhueshëm inati dhe zemërimi vetjak i gjithsecilit dhe në veçanti i adoleshentëve. Si reagojnë këta zemërakë përballë familjes dhe shoqërisë? Me të vërtetë, këta djem nuk duan t’i shohë njëri apo thjesht duan të shpërthejnë mllefin në çdo rast dhe tek kushdo që u del para?
Rolet
Kthehemi prapa në kohë. Kujtojmë mënyrën e rritjes dhe bazat themelore të familjes. Shumëkush prej nesh është rritur në një familje të madhe tipike patriarkale, ku rolet gjinore kanë qenë ekstremisht të distancuara. Ndërkohë, nga njëra anë kemi vajzat të heshtura si gjithmonë, që mësohen me modelin e nënave të ardhshme kokulura, ndërsa në krahun tjetër djemtë, të cilët përkëdhelen së tepërmi. Kujdesi nuk u mungon atyre në çdo aspekt. Kjo nuk do të thotë se për vajzat nuk do t’ia dijë askush, por janë djemtë ata të cilët lejohen të hipin në piedestalin e “triumfatorit”. Si në mjedisin familjar, ashtu edhe në atë shoqëror, ato janë rrahur kaq shumë me informacione të bollshme për të ashtuquajturit djemtë mistrecë, saqë zor se do ta besonin se këta të mjerë historikisht kanë vuajtur.
Kjo e fundit është sa një deklaratë e guximshme po aq edhe domethënëse. Është domethënëse për vetë faktin se ishin meshkujt ata që detyroheshin të shkonin në luftë kundër armikut apo të niseshin nizamë në regjimin famëkeq otoman. E pra, historia provon me kokëfortësi ngjizjen e personalitetit mashkullor në familjet tona. Ai ka evoluar në mënyrë të përshpejtuar saqë jehona e kohërave të vështira pushtuese ka gjetur vend të rehatshëm në mjediset sociale të ditëve të sotme.
Punonjësi social, Alban Kano, ndalet për një moment për të bërë një analizë. Sipas tij, nga mënyra se si rriten djemtë e rinj të periudhës së tranzicionit pa dyshim që mund të nxirren përfundime të papritura. “Janë ato përfundime, të cilat i prekim çdo ditë, por ndoshta nuk kemi sy për t’i parë. Vogëlushët 6 apo 7-vjeçarë presin me ankth e me dëshirë të hyjnë në auditorët e shkollave, ku aty do të ndeshen me mësueset që i duan fort dhe shokët e shoqet, me të cilët ndajnë përvojën e tyre të re, arsimimin”, - thotë Kano.
Deri në këtë periudhë ata ishin mësuar herë të pandarë dhe herë të vetmuar në shtëpitë e tyre apo në lagjen përreth. Dikush dashurohet nga prindërit dhe të afërmit, të tjerët i rrahin, i persekutojnë apo i abuzojnë seksualisht. Pikërisht nga këto veprimet e fundit buron arroganca, agresioni, mllefi, inati, të cilat si llava përvëluese e një vullkani të heshtur prej vitesh do të gjejnë kushtet për të shpërthyer me dhembje në periudhën e adoleshencës.
Agresiviteti
Efektet nuk mund t’i ngjajnë aspak të përditshmes, ku ndoshta edhe djalli do të dridhej po të kishte përpara këtë personalitet të dhunuar ndër vite që me revoltën e tij kërkon të marrë hak. Dhuna thuhet shpesh se është justifikim i më të dobëtve që nuk munden të përdorin gjuhën e pastër të arsyes, duke nxjerrë në pah forcën fizike të krahëve, këmbëve dhe pse jo të çfarëdo lloj arme. Mirëpo është pa vlerë që ta lodhim veten, duke bërë çdo ditë demagogji, sepse kronika e zezë nëpër qytetet tona është mbushur me gjak dhe djem fare të rinj, të cilët humbasin gjithçka për të ashtuquajturat “shkaqe banale”. Të paktën kështu thuhet në media, ndonëse na vjen keq ta pranojmë.
“Gjithmonë në momentin që nisin të provojnë ndryshimet e para të pubertetit, djemtë adoleshentë përpiqen të jenë në qendër të vëmendjes. Deri këtu nuk kemi të bëjmë me asgjë të keqe, por problemi qëndron në mënyrën se si kërkojnë ta realizojnë një nevojë të tillë. Ajo papritur kthehet në një fiksim të madh emocional, të cilin djelmoshat duan ta përmbushin nëpërmjet agresivitetit. Justifikimet për sjelljen e dhunshme kundrejt mësuesve apo bashkëmoshatarëve mund të jenë nga më të ndryshmet, por për fat të keq, ata dhe të gjithë ne nuk arrijmë ta kuptojmë se po dëmtohemi ditë pas dite. Kur një pjesë e tyre rriten e formohen si djem me frymën e agresionit, nuk mbetet gjë për të bërë veçse dëshirës për t’i nënshtruar të tjerët sa herë që ata sillen vërdallë nëpër auditorët brenda e jashtë shkolle”, - përfundon Kano. E megjithatë, mësuesit mundohen të japin maksimumin e tyre, ashtu sikur të ishin prindër, por dëmi është bërë dhe ndoshta mund të jetë tepër vonë. Për të bërë mirë nuk është asnjëherë vonë dhe pavarësisht se këta djem grumbullojnë në vetvete kaq dhunë, ndjenjë faji e përgjegjësi të tepërta për moshën e tyre, mbetet gjithmonë hapësirë për ndihmë.