Rrëmbehet për trafikim 19-vjeçarja
Një adoleshente është rrëmbyer gjatë mesditës së të martës nga persona të paidentifikuar dhe dyshohet se është trafikuar. Denoncimi ka ardhur dy ditë më parë prej 56-vjeçares Dylbere I., nga Petrela e Tiranës. Ajo është paraqitur në polici e shqetësuar dhe ka kërkuar ndihmën e uniformave blu për parandalimin e trafikimit të vajzës së saj. Burime nga policia bënë të ditur se gruaja ka denoncuar se dy persona të paidentifikuar i kanë rrëmbyer vajzën, Mirela I., me qëllim për ta trafikuar. Ajo është shprehur se rrëmbimi i saj ka ndodhur mesditën e së martës, ndërkohë që forca të shumta të policisë janë vënë në kërkim të saj. Më tej, ajo ka shpjeguar se vajza kishte dalë vetëm dhe nga dëshmitë e mbledhura, banorët e kanë parë të hipë me dhunë në një makinë me dy persona. Që nga ai çast, 19-vjeçarja nuk është parë më. Nëna e shqetësuar për të bijën ka lënë në polici edhe foton e vajzës, duke kërkuar medoemos kthimin e saj. Madje, ka shpjeguar se ka dashur të paraqitej në polici që një natë para, por nuk besonte se vajza e saj mund të ketë rënë pre e trafikut. Policia bëri të ditur se me të marrë këtë denoncim kanë nisur kërkimet për të. Gjithashtu, gjeneralitetet dhe fotoja e saj janë shpërndarë në të gjithë drejtoritë rajonale të kufirit, me qëllim parandalimin e ndonjë akti kriminal ndaj vajzës së re. Por, deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar në lidhje me të. Policia tha se po bën hetime intensive për identifikimin dhe gjetjen e autorëve të dyshuar për këtë rrëmbim, me qëllim trafikimin e 19-vjeçares.
Ble. Gi.
Ble. Gi.