E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga shoferit bullgar për trafik klandestinësh afganë

Shoferi bullgar i një kamioni ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet për trafik të qenieve njerëzore. Ai është kapur gjatë një kontrolli në kamionin e tij, ku janë zbuluar të fshehur dy shtetas afganë, që kishin si qëllim mbërritjen në Itali. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se gjatë orëve të vona të së mërkurës, specialistët e seksionit kundër trafiqeve realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Borislav Ivanov Grançarov, 31 vjeç, banues në Jahinovo Bullgari, me shtetësi e kombësi bullgare. Arrestimi i tij u krye sepse dyshohet se ka ndihmuar me synim për të kaluar kufirin Greqi-Shqipëri, përmes pikës së kalimit kufitar Kapshticë, me destinacion Italinë, dy shtetas afganë. Shtetasit afganë, Siuan Shagul e Haibar Rouhit, të cilët po tentonin të kalonin kufirin shqiptar në mënyrë klandestine, u gjetën të fshehur në kamionin e parkuar në një parking privat, të ndodhur pranë Doganës së Tiranës. U kryen veprimet e para hetimore e procedurale, ndërkohë që materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Policia dyshon se bullgari është i lidhur edhe me shqiptarë në këtë veprimtari kriminale. Ndërsa shtetasit afganë iu dorëzuan Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin, me qëllim prapësimin e tyre në Greqi, vend nga i cili kanë ardhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›