Pranga grupit të motoristëve, vidhnin biznese në autostradë
Zbulohet një grup hajdutësh në Kavajë, ku u arrestuan shtatë persona, ndërsa kreu i tyre ka arritur të shpëtojë dhe është shpallur në kërkim. Grupi, që ishte kthyer tmerr i vjedhjeve në pesë qytete, kishte në përbërje edhe një vajzë, që përdorej për humbjen e gjurmëve dhe për gjetjen e klientëve me qëllim për të shitur mallrat e vjedhura. Operacioni për kapjen e tyre u kodua "Lëvizja e shpejtë", pasi veprimtaria e tyre kriminale realizohej duke lëvizur me motorë dhe përgjatë rrugëve nacionale. Sipas policisë, personi i shpallur në kërkim është Klodian Gabaj, 30 vjeç. Policia e Tiranës deklaroi se shërbimet e Komisariatit të Kavajës arritën të lokalizojnë dhe më pas arrestojnë shtatë persona. "Në pranga përfunduan vëllezërit Lulzim dhe Elvis Kalaja, përkatësisht 32 dhe 24 vjeç, nga Kavaja, Jodjan Shametaj, 19 vjeç, Gramos Shehaj, 18 vjeç, Ilirian Mukaj, 30 vjeç, Vllasi Furrxhi, 20 vjeç dhe Beslinda Lile, 20 vjeçe, të gjithë nga Vlora", deklaroi policia. Sipas policisë, grupi ishe njohur në burg kur i dënuari Elvis Kalaja ishte njohur me Shehajn, Mukajn dhe Lilen. Arrestimi i tyre u krye, se dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kanë realizuar një sërë vjedhjesh të shtrira në zonat Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë gjatë muajve shtator dhe tetor. Pas një hetimi intensiv dymujor, i realizuar nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë, u bë i mundur dokumentimi ligjor i implikimit të tyre në vjedhjet e disa lokaleve, banesash, karburanteve etj. Autorët e dyshuar qarkullonin me motorë nga qyteti i Vlorës për në drejtim të Kavajës për të realizuar më së miri vjedhjet e tyre. Përgjatë segmentit rrugor Kavajë-Rrogozhinë, ata janë kapur në ndjekje e sipër prej forcave të policisë, duke vjedhur karburant në makineritë e firmës "Salillari" sh.p.k., të ndodhur në Kavajë. Ndërkohë, nga puna hetimore e bërë, u bë i mundur dokumentimi ligjor i vjedhjes së lokalit në pronësi të një personi, e ndodhur më datë 4 shtator 2009 në fshatin Vilë, Boshtovë Kavajë, ku janë vjedhur shumë pajisje. Gjithashtu u bë dokumentimi i vjedhjes së automjetit tip "Mercedes Benz 240", me targë KJ 5876 A, i vjedhur me datë 10 tetor 2009, në fshatin Manzotaj Kavajë, mjet i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërsa, pas një pune të mirëfilltë në drejtim të dokumentimit të disa vjedhjeve të mëparshme të ndodhura në Kavajë, ka rezultuar se të lartpërmendurit janë autorë edhe të disa ngjarjeve të tjera si vjedhje lokalesh, vjedhje banesash, vjedhje automjetesh, të shtrira këto në zonën e Kavajës, qytetit të Durrësit dhe të Vlorës. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestrua një automjet, me targë SIOSH, një motor triçikël pa targa, një motor skuter i vjedhur, një televizor plazma LG 42 polsh, 4 dyer "Benzi", një sërë targash të dyshuara të vjedhura, dy ekspres kafeje, një video dhe një kasetofon. Ndërkohë, nga strukturat e hetimit të krimit po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të të tjera vjedhjeve të realizuara në këto zona.
Ble. Gi.
Ble. Gi.