E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet prapë "Gërdeci", mungojnë avokatët

Mungesa e disa avokatëve shtyu seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 28 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Kur gjykata do të shprehej mbi disa kërkesa të palës mbrojtëse, në sallë nuk ndodhej avokati i të pandehurit Dritan Minxolli. Gjyqtari Ridvan Hado tha se avokati Arben Prifti kishte sjellë një raport mjekësor, sipas të cilit arsyet shëndetësore e kishin penguar për të marrë pjesë në seancë. Gjyqtari tha me ironi se seanca e ditës së mërkurë, që zgjati shumë, duket se e ka sëmurë avokatin, ndërsa vazhdoi me verifikimin e pjesëtarëve të tjerë. Në sallë mungonin pa arsye edhe avokatët e të pandehurit Lavdi Shatro, Behar Pipero dhe Gëzim Veleshnja. Dy mbrojtësit ligjorë nuk kishin dërguar asnjë justifikim në gjykatë. Më pas, gjykata vërejti se në sallë nuk ndodhej as i pandehuri Denis Hajdari. Të ndodhur në këto kushte, kryetari i seancës gjyqësore, Ridvan Hado, ia dha fjalën prokurorit Genci Qana. Prokurori i rekomandoi gjykatës që për të pandehurin Dritan Minxolli gjykata t‘i caktojë një avokat kryesisht, ndërsa për të pandehurin Denis Hajdari të emërohet një avokat tjetër. Kaq ka mjaftuar që të reagojnë avokatët e tjerë. Avokati Maks Haxhia, njëkohësisht edhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, tha se pretendimi i prokurorit për mungesën e avokatit Arben Prifti nuk është i bazuar në ligj, pasi avokati në fjalë kishte sjellë edhe raport mjekësor. Në këto kushte, gjykata mori vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore në datën 28 tetor, për shkak të mungesave të avokatëve.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›