E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezët e kërpit: Policia të japë dëmshpërblimin

Kryetari i fondacionit, Mike Tyler, pohon se analizat kanë treguar qartë se bëhet fjalë për kërp industrial e jo kanabis

SHKODËR- Shoqata angleze” Partneritet për rritje” ka reaguar dje në lidhje me çështjen e kërpit të Shkrelit duke pohuar se kërpi industrial dhe pse bën pjesë në familjen e kanabisit nuk ka përqindje droge dhe kultivohet ligjërisht në shumë vende të Evropës, ku në Britaninë e Madhe ka rezultuar që të ketë varietetet më të mëdha tregtare për përdorim se çdo bimë tjetër. Me anë të një deklarate për shtyp, drejtori i fondacionit anglez Mike Tyler, thekson se duke qenë se kërpi industrial rritet në toka me cilësi të dobët dhe ka shumë pak nevojë për ujitje, në vitin 2000 ka filluar bashkëpunimi me fermerët e Shkrelit. Sipas tij, edhe pse kërpi industrial është i ngjashëm me kanabis sativën, çdo laborator lehtësisht mund të konfirmojë përqindjen e THC në këtë bimë, që përcakton nëse është bimë narkotike ose jo.

“Shoqata jonë ka qenë shumë e shqetësuar kur kemi mësuar për arrestimin e Martin Pllumbit, President i Shoqatës së Fermerëve të Komunës së Shkrelit, nën akuzën e kultivimit dhe të tregtimit të bimëve narkotike. Është hera e tretë tashmë që po ndodh i njëjti gabim, me të njëjtën akuzë të gabuar të bërë kundër Z. Martin Pllumbi. Në të dyja rastet e mëparshme dhe pikërisht në vitin 2001 si dhe 2006 janë tërhequr akuzat kur analizat laboratorike treguan qartë se bima ishte Kërp Industrial dhe jo bimë narkotike droge”,- thuhet në deklaratën e shoqatës angleze. Kjo shoqatë ka angazhuar edhe avokatët e saj në këtë çështje. “Ne mbështesim plotësisht çdo lloj aksioni që ndërmerret për uljen e prodhimit dhe të trafikimit të drogës, të dy avokatët tanë të kësaj çështjeje na kanë treguar se në dosjen zyrtare mbi bazën e së cilës është arrestuar Martin Pllumbi nuk ka asnjë provë të re si dhe akuzat nuk kanë asnjë lloj baze ligjore. Ata për me tepër na kanë treguar se procedurat ligjore nuk janë zbatuar nga policia dhe janë shkelur tërësisht në kryerjen e këtij arrestimi”.- tha Mike Tyler, në cilësinë e drejtorit të shoqatës. Ai ka hedhur dyshimet se këto akuza ngrihen pikërisht në momentin kur pritet të merret dëmshpërblimi prej 13 milionë lekësh të reja për dëmtimet e kërpit nga policia në vitin 2001. Pas shtatë vitesh ky vendim ka marrë formën e prerë dhe tani ka ardhur koha e pagesës nga shteti shqiptar. Për këtë arsye shoqata ka njoftuar ministra të qeverisë shqiptare, ambasadën britanike në Tiranë dhe kryetarin e Komisionit Europian në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›