E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet kamioni me klandestinë drejt Italisë

Policia ka ndaluar klandestinët, shoferin e kamionit si dhe pronarin e firmës. Dyshohet për bashkëpunim të doganës

DURRËS- Policia kufitare ka ndaluar pasditen e djeshme në portin e Durrësit pesë klandestinë që po tentonin Italinë të fshehur në kamionin e një firme mobiliesh. Menjëherë pas kësaj, në prangat e policisë ka rënë edhe pronari i firmës si dhe shoferi i kamionit. Ata janë akuzuar për favorizim të trafikut të klandestinëve.

Arrestimi

Burimet e policisë pohuan se kishin marrë informacione paraprake për këtë tentativë të kalimit të kufirit drejt Italisë. Të dhënat tregonin se nëpërmjet kamionëve që transportonin mallra të firmës bëhej edhe tregu mjaft fitimprurës i trafikimit të klandestineve në drejtim të shtetit fqinj, Italisë. Kur mjeti që transportonte zakonisht mobilie ka hyrë në portin e Durrësit, policia ka kërkuar që ai të kontrollohej. Por kjo kërkesë ka ndeshur në kundërshtimin e personave shoqërues të mallrave. Ata kanë pohuar se mjeti ishte i vulosur nga dogana e Tiranës dhe se nëpërmjet Durrësit kamioni kalonte tranzit. Por kjo nuk e ka bindur policinë që ka bërë kontrollin dhe zbuloi klandestinët mes mobilieve të ngarkuara. “Klandestinet u zbuluan gjatë kontrollit të një kamioni mobiliesh me targa “TR 0828 J”. Mnjëherë në vend parkimin e mjetit në sheshin e tragetit kanë ardhur edhe specialistët e policisë të shoqëruar me punonjës të policisë gjyqësore të cilët kanë konfirmuar ndalimin e pesë klandestinëve Ermal Zeneli, Fatmir Neziri, Edison Ruka, Indrit Ishulli dhe Xhelal Ruci. Së bashku me ta është arrestuar edhe shoferi i kamionit, Sajmir Zenelaj, dhe pronari i firmës transportuese Fatlum Muralla”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Durrësit.

Hetimet

Policia ka konfirmuar se grupi i organizatoreve të trafikut klandestinëve ka qenë nga Tirana, pasi dhe nisja është kryer pikërisht nga ky qytet në mënyre të organizuar, pasi kamioni rezulton të jetë i vulosur në doganën e Tiranës. Pronari i firmës, Fatlum Muralla, dyshohet se kishte marrë përsipër të kalonte këta shtetas në drejtim të Italisë kundrejt një shume parash, e cila për momentin nuk është bërë e ditur. Hetuesit pohuan se ai nuk e ka pranuar që ka gisht në këtë linjë duke e anashkaluar e fajësuar të tjerë që kanë vepruar pa dijeninë e tij. Policia po heton ne lidhje me ngjarjen, ndërsa shtatë personat janë shoqëruar në komisariatin e Portit, ku aktualisht po merren në pyetje për të sqaruar se kush i ka organizuar, mënyrën e rekrutimit të klandestineve për transport dhe shumën e kërkuar. Hetimet janë shtrirë edhe në doganën e Tiranës për të zbuluar doganierin që ka pranuar të vulosë kamionin me klandestinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›