E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jupi sherr për apartamentin e El Sajed

 

Dashamir Biçaku

Pronësia e apartamenteve të ish-presidentit të Tiranës dhe ndërtuesit Said El Sajed, fut në sherr ish-futbollistin e Kombëtares, Redi Jupi me një person tjetër. Për dy orë ish- futbollisti i Kombëtares, Redi Jupi, ka qëndruar pas derës së shtëpisë së tij në Laprakë, në rrugën e Durrësit, pa gjetur marrëveshje me personin tjetër që pretendonte pronësinë e apartamentit. Shkak për ngjarjen është bërë konflikti me Artan Thomollarin, pasi ky i fundit pretendonte se ishte pronar i apartamentit, për të cilin dokumentet e pronësisë posedoheshin edhe nga futbollisti Jupi. Ngjarja ka përfunduar me një kallëzim në policinë e Tiranës, e cila përcolli në Prokurori dosjen ndaj Artan Thomollarit për veprën penale të vetëgjyqësisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, kur futbollisti Redi Jupi është njoftuar se një person kishte mbërritur në apartamentin e tij në Laprakë dhe donte të hynte brenda. Brenda pak minutave ish-futbollisti i Kombëtares është gjendur në apartamentin e tij në rrugën e Durrësit. Sipas burimeve të policisë, Jupi nuk banonte aktualisht në apartamentin në fjalë, por e kishte dhënë atë në përdorim të dikujt tjetër si pronë të tij. Sapo ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ai ka mësuar se Artan Thomollari që po kërkonte të hynte në banesë, pretendonte pronësinë e apartamentit. Thomollari ka pretenduar se kishte edhe dokumentacionin e pronësisë së shtëpisë, të cilën aktualisht e posedonte ish-futbollisti Redi Jupi. Artan Thomollari ka pohuar se apartamentin ia kishte blerë ish-ndërtuesit egjiptian El Sajed. Të njëjtin pretendim ka pasur edhe Redi Jupi, duke pohuar se këtë apartament e kishte marrë nga ish-presidenti arab i klubit të Tiranës, kur ai ishte pjesëtar i këtij ekipi. Pas debateve mes palëve që kanë vazhduar më tepër se një orë, policia ka mbërritur aty dhe ka nisur sqarimin e konfliktit. Pasi ka dëgjuar palët policia ka mësuar se Jupi dhe Thomollari, u konfliktuan për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e të njëjtit apartament në rrugën e Durrësit në Laprakë, të ndërtuar nga kompania e El Sajed, për të cilin ishin lëshuar dy palë dokumente. Ish-futbollisti Jupi pretendon se e ka marrë apartamentin në kohën që luante me Tiranën, ndërsa Artan Thomollari pretendon se e ka blerë nga ish-ndërtuesi i njohur. Pas prezantimit të dokumenteve nga palët, policia ia ka marrë ato duke i dërguar palët në Prokurori për të zgjidhur konfliktin me anë të hetimeve gjyqësore dhe ekspertimit të dokumenteve. Ish-futbollisti i njohur Jupi gjatë një bisede telefonike tha se gjithçka ishte një ngatërresë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›