E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët jetimë, shërbimet shëndetësore që ofrohen falas

Përfitimet e personave që mbajnë statusin e jetimit. Si trajtohen jetimët pas moshës 18 vjeç dhe ndihma që u ofrohet për shkollim

Emanuela Sako

Personat që mbajnë statusin e jetimit përfitojnë shërbime falas në trajtimin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet ligjit për statusin e jetimit, u jep të drejtën që të marrin trajtim shëndetësor falas në të gjitha institucionet shëndetësore në varësi. Në këtë rast, bëhet fjalë për të gjithë ata fëmijë të mbetur jetim dhe që janë të pajisur me librezë nga drejtuesi i Shërbimit Social Shtetëror. Personat që kanë këtë status dhe që janë të pajisur me librezë, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, kanë të drejtën të përfitojnë shërbim shëndetësor dhe barna falas, sipas përshkrimit të bërë nga mjeku në recetë. Shpenzimet për shërbimet mbulohen nga shteti, nëpërmjet fondit të miratuar çdo fillim viti nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Përfitimet
Përfitimet që marrin jetimët në të gjithë vendin janë në sistemin arsimor dhe shëndetësi, për të mundësuar përkujdesjen shëndetësore dhe formimin intelektual të tyre. Ndihma që u jepet nga shteti është e përcaktuar në bazë të moshës së këtyre personave. Shërbimi shëndetësor dhe arsimor ofrohet deri në moshën 18 vjeçare, ku të rinjtë kanë mundur të rrisin nivelin arsimor dhe janë të aftë të gjejnë një punë. Sipas statistikave, në të gjithë vendin janë 583 fëmijë jetimë që rezultojnë të regjistruar në institucionet publike në vend, në OJF-të. Një pjesë e tyre janë të paregjistruar dhe nuk kanë mundësi përfitimi nga skema e përcaktuar nga shteti. Ata mund të jenë të strehuar në familjet e të afërmve të tyre, të cilët u kanë siguruar kushtet e jetesës.
Bursa
Fëmijët jetimë përfitojnë arsimim falas deri në moshën 18-vjeçare, në institucionet që janë në varësi të shtetit. Ata kanë të drejtë të ndjekin arsimin parauniversitar dhe shkollën e mesme në vendet ku jetojnë. Po kështu, të gjithë personat që mbajnë statusin e jetimit kanë të drejtë të kryejnë vizita falas dhe t’u rimbursohen nga ISKSH-ja barnat e detyrueshme për kujdesin shëndetësor të çdo pacienti jetim. Ata kanë të drejtë të ushqehen dhe të vishen falas gjatë moshës nga momenti i lindjes deri 18 vjeç. Por, për këtë kategori është përcaktuar që në rast se kërkojnë të ndjekin studimet universitare, të përfitojnë bursë të plotë nga shteti për shkak të pamundësive ekonomike. Nxënësit apo studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore etj. Kjo kategori nxënësish apo studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat. Gjithashtu, këtyre nxënësve apo studentëve që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

Lehtësirat për kategorinë e jetimëve

Nxënësit jetimë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor për rezultate jokaluese. Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet e Arsimit të Lartë dhe u paguhen çdo muaj, me kalim, në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Këto “kuota ushqimore”, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia ose komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›