Policia arrestoi 31-vjeçarin, iu gjetën në makinë 2 kg heroinë
Korçë - Një sasi lënde narkotike e llojit heroinë është zbuluar dje pasdite në Kapshticë, konfirmojnë për gazetën “Albania” burime zyrtare policore. Burimet informojnë se në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, nga shërbimet e Seksionit Kundër Narkotikeve është realizuar zbulimi dhe kapja e rreth dy kilogramëve drogë të llojit heroinë. Kjo sasi lënde narkotike ishte fshehur në makinën e tipit “Benz” me targë KO 8107 B, në pronësi të 31-vjeçarit Sejtor Geco, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 3 të Korçës. Policia tha se po vazhdojnë kontrollet e imtësishme të makinës dhe ambienteve të tjera në pronësi të 31-vjeçarit korçar, po kryhen hetime për lidhjet e këtij personi me persona të tjerë.
Vjedhje me skafandra, tentojnë t’i marrin paratë në makinë ndërsa u fut në dyqan
Shkodër – Dy persona të paidentifikuar dhe me skafandra në kokë, të hipur në një motoçikletë tip “Loncin” pa targa, kanë marrë në sediljen e pasme të autoveturës tip “Benz Mercedes”, me targë SH 4175 D, një shumë lekësh që gjendej në një kuti kartoni, ndërsa drejtuesi i saj kishte ndaluar për të blerë diçka në një dyqan. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ngjarja ka ndodhur dje në lagjen “Salo Halili” të qytetit të Shkodrës dhe personi që i kishte paratë, është një 40-vjeçar me inicialet F. E., banues në fshatin Beltojë. Detajet e policisë mbi ngjarjen tregojnë se F. E., pasi ka vënë re veprimin e dy personave, është vënë në ndjekje të tyre me autoveturën e tij, duke i ndaluar dhe duke u zënë rrugën. Si rezultat i kësaj, dy personat e paidentifikuar kanë braktisur kutinë me lekë, duke lënë motoçikletën dhe kanë mundur të largohen me shpejtësi.
5 Qershor 2009