E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, nis korrigjimi i testeve të Letërsisë



Nis korrigjimi i testeve të provimit të parë të Maturës, Letërsia. Ditën e djeshme, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka shpërndarë në mënyrë të rastësishme në 4 qendrat e vlerësimit të provimeve testet e Letërsisë. Ashtu si edhe vitin e kaluar, qendrat e vlerësimit do të jenë: në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”, në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”, në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”, në Fier në godinën e Drejtorisë Arsimore. Mënyra se si do të përzgjidhen testet për tu vlerësuar do të jetë e rastësishme dhe me short dhe do të vendoset nga AVA. Por asnjë nga këto qendra rajonale nuk do të korrigjojë testet e saj (p.sh. testet e rrethit Fier nuk do të korrigjohen në qendrën e vlerësimit të Fierit). Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, do të kryhet ai i bashkërendimit (Matching) të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, për provimin e parë të detyruar. Procesi i përputhjes ose bashkërendimit i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen, pra pajisen me një bar-kod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë mësuesit (apo asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të bar-kodit nuk njihen me identitetin e maturantëve, dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve ç’kodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri. ǒkodimi nënkupton që vijat e bar-kodit me anën e një aparati (të ngjashëm me atë që përdoret në supermarkete) kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione të ndryshme AVA dhe APRIAL, njëra përmban bar-kodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetra bar-kodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Pas vlerësimit të testeve, një komision i përbërë si më sipër kryen procesin e bashkërendimit të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, pra përputhjen e të dhënave të AVA dhe APRIAL, të emrave me pikët. Pas këtij procesi, kryhet printimi i rezultateve, i cili u shpërndahet drejtorive arsimore, për tu afishuar në shkolla. J.Tashi

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›