E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët jetimë të harruar nga shteti, gënjehen me 100 mijë lekë të vjetra në vit

Ilir Çumani: Mungesa e vëmendjes së shtetit, çon fëmijët jetimë drejt prostitucionit dhe krimit

Jetimët në vendin tonë janë lënë në mëshirë fatit nga instancat shtetërore. Rreth 31 fëmijë jetimë shumica prej të cilëve kanë mbushur moshën e largimit nga shtëpitë e fëmijës ndihmohen nga shteti vetëm me një pagesë qesharake e cila sipas kreut të Institutit

të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë Ilir Çumani është në shumën e 100 mijë lekë të vjetra në vit për veshmbathje. Kjo shumë sipas Çumanit është skema e cila e ka rrënuar këtë kategori e cila tani për tani në vendin tonë është më e pambrojtura nga të gjitha kategoritë e tjera.  Sipas tij sot në vendin tonë numërohen rreth 31 mijë fëmijë jetimë ose të quajtur ndryshe fëmijë pa asnjë kujdes prindëror të cilët në shumicën e rasteve kur mbushin moshën për largimin nga qendrat shtetërore përfitojnë vetëm një krevat në një prej dhomave të konvikteve të ndryshme dhe u jepet në vit vetëm shuma prej 100 mijë lekësh e cila nuk del as për blerjen e mjeteve personale përsa i përket higjienës së këtyre fëmijëve. Nga këta 1600 trajtohen në qendrat publike rezidenciale qeveritare dhe ato joqeveritare. Sot në vendin tonë numërohen rreth 26 qendra rezidenciale që ofrojnë shërbim rezidencial për fëmijët pa kujdes prindëror. 4 prej këtyre qendrave janë në Tiranë, si Bethany Centër, Fshati SOS. Shtëpia e fëmijës Zyber Hallulli dhe Hana e Rozafa. 2 shtëpi të tjera të jetimëve janë në Shkodër, Shtëpia parashkollore dhe ajo shkollore në Sarandë, janë dy në Durrës, dhe një në qytetin e Elbasanit. Në këto shtëpi trajtohen rreth 400 fëmijë jetimë ndërsa 17 qendra të tjera të ngjashme me këto. Ndër të tjera Çumani tha dje për gazetën SOT se zakonisht fëmijët jetimë trajtohen më mirë në qendrat rezidenciale të organizatave të huaja apo OJF sesa nga shtëpitë e fëmijëve shtetërore të cilat shpesh herë neglizhojnë në punën e tyre dhe abuzojnë me ndihmat apo fondet që jepen në emër të fëmijëve jetimë. Sipas Çumanit këta fëmijë kur dalin nga dyert e qendrave shtetërore rezidenciale janë tërësisht të pambrojtur pasi organet shtetërore, i japin atyre vetëm një dhomë në një prej konvikteve e më pas kjo kategori është pothuajse krejt e harruar. Në këtë kontekst, këta fëmijë janë të predispozuar të përfshihen në situate apo rrethana të cilat i çojnë ata drejt krimit apo prostitucionit . Pra kjo kategori e cila në vendin tonë është sigurisht më e pambrojtura, dhe më e harruara edhe në momentin kur largohet nga qendrat rezidenciale është tërësisht e pambrojtur.


Precedenti
Shteti shqiptar ka hequr dorë nga detyrimet e veta ligjore ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror. Është ky përfundimi që ka arritur një raport i Amnesty International lidhur me kushtet e jetimëve në Shqipëri. Raporti i publikuar në ditën ndërkombëtare të jetimëve, më 20 maj, vë në dukje se në Shqipëri ekziston një moszbatim i plotë i standardeve ndërkombëtare të parashtruara në udhëzimet e OKB-së për përkujdesin ndaj fëmijëve jetimë. Për pasojë, shumica e jetimëve kur arrijnë moshën madhore nuk arrijnë të sigurojnë strehim pa ndihmën e shtetit ndërsa kanë mundësi të pakta punësimi, thuhet në raport. Organizata nxit qeverinë shqiptare të rishikojë ligjin numër 81/53 për statusin e jetimit dhe politikat aktuale të strehimit si dhe të garantojë të drejtat e jetimëve për tu trajtuar me përparësi për strehim , në përputhje me traktatet ndërkombëtare. Qeveria duhet të sigurojë që të rriturit e pastrehë me fëmijë ose me probleme shëndetësore që jetojnë në konvikte të marrin pa vonesë , banesa të papërballueshme financiarisht, pavarësisht moshës apo statusit të jetimit , thuhet në rekomandimet e Amnesty International. Kjo e fundit i drejtohet në raport edhe Këshillave Bashkiak duke u bërë thirrje të zbatojnë në mënyrë të efektshme programet e strehimit social për të gjitha grupet në nevojë, duke siguruar respektimin e duhur të personave me statusin e jetimit. Amnesty International nxit autoritetet shqiptare të bëjnë ndryshimet e nevojshme legjislative, të praktikave dhe politikave ekzistuese, si dhe të zbatojnë të drejtat e jetimëve. Ndërkohë organizata i bën thirrje BE-së dhe donatorëve të tjerë ndërkombëtarë që të ndihmojnë organet qendrore dhe vendore në plotësimin e detyrimeve të tyre për strehimin e personave në nevojë, ku përparësi kanë jetimët.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›