E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët, mangësi në zhvillimin fizik e mendor

12/05/2010 Në zonat malore rreth 28 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç, kanë një gjatësi e peshë trupore problematike

Ndërhyrja më e shpejtë do të jetë projekti për 5 rrethe të veriut dhe dy bashki periurbane në Tiranë

Kequshqyerja konsiderohet si shkaku kryesor i shfaqjes së problemeve në zhvillimin e fëmijëve. Vëzhgimet e bëra nga ekspertët e shëndetësisë kanë treguar se më problematik ky fenomen rezulton të jetë në zonat veriore e verilindore të vendit, ku fëmijët e këtyre zonave shfaqin mungesa të shumta në kulturën e të ushqyerit. Gjatë ditë së djeshme janë bërë publike edhe shifrat e studimit të kryer në disa rrethe të vendit, ku raportohet se kequshqyerja në vendin tonë mbetet në shifra problematike, duke qenë se është shfaqur në rritje numri i fëmijëve të vegjël që preken nga sëmundje të rënda. Problemet shëndetësore që shfaqen te fëmijët, të cilët janë të kequshqyer, janë nga më të ndryshmet. Sipas mjekëve, nëse ky fenomen prek fëmijët para moshës 2 vjeç, ata mund të pësojnë dëme të pakthyeshme mendore dhe fizike gjatë fazave të mëvonshme të rritjes. Për të parandaluar këto probleme, gjatë mbledhjes së zhvilluar është pohuar zbatimi i një projekti që do të ketë në thelb bashkëpunimin ndërinstitucional për marrjen e masave në informimin dhe mbështetjen e kategorive në nevojë kundrejt kequshqyerjes. Ndërhyrja më e shpejtë do të jetë projekti për 5 rrethe të veriut dhe dy bashki periurbane në Tiranë, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e ushqyerjes te fëmijët 0-3 vjeç.

Vëzhgimi

Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, ka pohuar se në bazë të një studimi, foshnjat që vuajnë nga kequshqyerja gjatë rritjes shfaqin probleme jo vetëm në peshën trupore, por edhe gjatësi. Konkretisht, nga vëzhgimi i kryer rezulton se veçanërisht në zonat malore, rreth 28 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç kanë një gjatësi trupore poshtë mesatares së duhur. "Rreth 5 për qind e tyre kanë një peshë më të vogël nga ç’është e pritshmja. Rreth 19 për qind e tyre kanë gjatësi të vogël për peshën dhe 9 për qind e tyre kanë një raport të peshës me gjatësinë në atë që pritet", ka deklaruar Bejtja. Sipas tij, kequshqyerja vjen si pasojë e disa faktorëve, të cilët nuk janë të përqendruar vetëm te pabarazitë sociale, por edhe te kujdesi që nënat duhet të tregojnë gjatë fazave të rritjes së fëmijës. Për këtë, Bejtja shton se është e domosdoshme që “nënat duhet ta ushqejnë ekskluzivisht me gji fëmijën e tyre deri në moshën 6 muaj, më pas fillojnë ushqimet plotësuese sipas një regjimi të caktuar”.

Masat

Në një aktivitet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme për arritjen e konsensusit për veprime ndërsektoriale në zbatim të programit kombëtar “Zvogëlimi i kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim”, mbështetur nga Fondi Spanjoll për Arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit, është kërkuar bashkëveprimi i të gjitha institucioneve njëherësh, për të mënjanuar këtë problem. “Ndryshe nga shumë projekte të tjera, ky projekt synon konsensusin e gjerë; këtë gjë e tregon dhe memorandumi i bashkëpunimit mbi ushqimin dhe ushqyerjen që ne do të firmosim. Ky memorandum do të hapë rrugën e aktivizimit të strukturave zyrtare dhe krijimit të një komiteti ndërministror”, ka pohuar ministri Petrit Vasili. Sipas tij, këto aktivitete synojnë të kontribuojnë në përfshirjen e objektivave të ushqyerjes në politikat dhe programet ndërsektoriale, duke e dëshmuar këtë me ngritjen e një mekanizmi koordinues të qëndrueshëm kombëtar për ushqimin dhe ushqyerjen, në nivelin më të lartë vendimmarrës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›