E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët shqiptarë, 15-20 për qind me zhvillim të vonshëm

Nga 15-20 për qind e fëmijëve në Shqipëri lindin duke pasur probleme të zhvillimit normal. Shifrat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dje në Konferencën e Dytë të Autizmit.

Një pjesë e fëmijëve me zhvillim të vonshëm kanë probleme me autizmin, sëmundje e cila ka qenë në vëmendje vetëm vitet e fundit dhe që po përhapet gjerë nga viti në vit. Dje, në Konferencën e Dytë të Autizmit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka thënë se një pjesë e mirë e këtyre rasteve nuk trajtohen dhe nuk pikasen herët, por me shumë vonesë, çka sjell edhe regres në përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së pacientit por edhe prindërve.

"Duke qenë se autizmi është shndërruar në një çështje madhore për shëndetin publik, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim, ne duhet të veprojmë shpejt, veçanërisht me ndërhyrjen e hershme, pavarësisht se shkaqet dhe mjekimi i vërtetë akoma nuk janë gjetur", u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, Ministri e Shëndetësisë duhet të bëjë më shumë për identifikimin e hershëm për rastet me ASD (Autism Spectrum Disorders) dhe për këtë, një rol i madh u takon pediatërve për monitorimin e zhvillimit normal të fëmijëve dhe ndërhyrjen e shpejtë. "Me shumë rëndësi është rritja e vetëdijes për autizmin dhe nevoja e shërbimeve bazë për fëmijët dhe familjet me autizëm dhe çrregullimet e tjera të zhvillimit", sqaroi Vasili. Ministri ka kërkuar nga Shërbimi i Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve si dhe nga fondacionit "Fëmijët Shqiptarë" të hedhin në letër strategjinë e ndërtimit të sistemit të kujdesit për fëmijë dhe adoleshentë, që në mënyrë integrale të vizualizojnë si duhet të duket ky sistem pas pesë ose dhjetë vitesh, përfshirë këtu edhe shërbimet për fëmijët autikë në këtë drejtim. Autizmi infantil është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me të tjerët, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje të çuditshme ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Fillimi i autizmit shfaqet përpara moshës 3-vjeçare. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit janë ndër simptomat më karakteristike, që përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar ose/dhe atipike. Ende nuk dihet se nga shfaqet sëmundja, nëse është një lloj kombinimi gjenesh mes prindërve, apo është thjesht një rastësi që në 1 mijë lindje 3 deri në 4 fëmijë të shfaqin shenjat e autizmit. Llojet e kësaj sëmundjeje mund të gjenden në faza të ndryshme, kjo sqaron edhe faktin se disa prej fëmijëve arrijnë të bëjnë përmirësime dhe të kryejnë sjellje të mësuara, ndërsa disa të përfundojnë duke u trajtuar nga vonesa e theksuar mendore.

Programet e modifikimit të sjelljes mund të ndihmojnë në integrimin e sjelljes brenda kufijve të përshtatshëm shoqërorë. Në Shqipëri, autikët trajtohen në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor Nr.1. Sipas të dhënave, në këtë qendër, popullata përbëhet nga 232-402 persona, ku fëmijë (0-18 vjeç) janë 1/3 e tyre, pra rreth 75 mijë. Qendra funksionon prej gati një viti. 596 fëmijë janë të kartelizuar dhe prej tyre 89 janë diagnostikuar për autizëm. Ekipi (psikologë, psikomotricienë, terapistë zhvillimi/edukim special) ofron terapi rehabilituese me 10 fëmijë në mënyrë individuale dhe në grup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›