E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, shumica të droguarve janë infektuar nga hepatiti C

Të paktën 60 të rinj, përdorues të lëndëve narkotike, trajtohen me metadon me qytetin e Korçës për deintoksikim dhe rehabilitim. Këta përdorues janë regjistruar pranë Qendrës së Këshillimit dhe Deintoksimimit në një periudhë të shkurtër kohore, ndërsa sipas përfaqësuesve të qendrës, shifra konsiderohet e lartë me hapjen e kartelave klinike të këtyre të rinjve që më në fund pranojnë të trajtohen e rehabilitohen. Edhe pse numri i përdoruesve të drogës është shumë herë më i madh, fakti se shumë të rinj kanë pranuar të trajtohen me mjekime për t‘i dhënë fund konsumit të drogave shikohet si një fenomen pozitiv, në kushtet kur shumë nga këta persona vështirë pranojnë t‘u drejtohen mjekëve apo psikologëve për ndihmë. Sipas përgjegjëses Nertila Sterio, të rinjtë që janë regjistruar tashmë pranë Qendrës së Këshillimit dhe Deintoksimimit janë kryesisht përdorues të drogave të forta dhe marrin injeksione me shiringa. Është vënë re fakti se shumë përdorues vijnë edhe nga zonat rurale të Korçës dhe jo vetëm nga qyteti. Sipas të dhënave nga Qendra e Këshillimit dhe Deintoksikimit, bëhet fjalë për të rinj të moshës nga 20 në 30 vjeç, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, që kanë edhe kartelat klinike, i janë nënshtruar edhe analizave dhe testeve për infektim nga HIV AIDS për shkak të përdorimit të shiringave. Sipas Nertila Sterios, nga analizat ka rezultuar se shumica e këtyre personave janë infektuar nga hepatiti C, ndërkohë që nuk janë konfirmuar zyrtarisht raste të personave të prekur nga SIDA. Të paktën 60 persona trajtohen çdo ditë me metadon pranë kësaj qendre, edhe pse numri i përdoruesve është i madh, por jo të gjithë pranojnë të kryejnë rehabilitimin. Në mungesë të një mjedisi për izolimin e këtyre personave, trajtimi i përdoruesve të lëndëve narkotike kryhet çdo mëngjes me mjekim e më pas me seancat e këshillimit psikosocial, pasi nuk ka një spital të veçantë për grumbullimin dhe trajtimin e tyre me terapi. Në Korçë numri i përdoruesve të lëndëve narkotike është i lartë. Sipas statistikave jozyrtare mendohet se të paktën 237 persona janë përdorues, ndërsa pjesa më e madhe vijnë nga familje me probleme sociale dhe u përkasin moshave të reja. Vetëm në tre muaj, nga kjo kategori janë futur në proces rehabilitimi 60 personat e parë.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›