E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 38 vjet burg për përgjegjësit e "9 Nëntorit"

Njëmbëdhjetë muaj pas ngjarjes tragjike të shembjes së një pallati pesëkatësh në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës, ku humbën jetën tre shtetas dhe ngelën të pastreha 14 familje, Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar shpalljen fajtorë të shtatë të pandehurve, duke i dënuar me 38 vjet heqje lirie në total. Veç dënimit me burg, në pretencë është kërkuar dënimi material me 2.4 milionë lekë gjobë dhe mosushtrimin prej tyre të funksioneve zyrtare për një periudhë kohe prej tre vjetësh.

Gjatë seancës gjyqësore të radhës, të zhvilluar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër, që shënon seancën e 25-të që nga fillimi i gjykimit të kësaj çështjeje, kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Alfred Saliu dhe prokurori Arben Pasho, kanë kërkuar shpalljen fajtor të presidentit të firmës së ndërtimit "Arti" sh.p.k. Sotiraq Janora, Admir Shehaj ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Afërdita Papamihali ish-sekretare e KRRT-së së Bashkisë Gjirokastër, Alfred Mamani ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës, Gjergji Meçi, inxhinier i firmës "Arti" sh.p.k, ish-punonjësve të Policisë Bashkiake, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj.

Gjatë leximit të pretencës në seancën e djeshme, dënimi më i rëndë nga organi i akuzës është kërkuar për administratorin e firmës "Arti sh.p.k.", Sotiraq Janora, plot 21 vjet burg me akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara, ndërsa për të pandehurit e tjerë: Afërdita Papamihalin, ish-sekretaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Alfred Mamani, ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës dhe Gjergji Meçi, inxhinier i firmës "Arti" ka kërkuar 3.6 vjet burg për secilin. Ndërkaq, prokurorët kanë kërkuar nga një vit heqje lirie për dy ish-punonjës të Policisë Bashkiake, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj.

Ashtu si në fillim të procesit, prokurorët i kanë kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga kreu i gjykatës, Desart Avdulaj, gjykimin e tyre duke iu referuar neneve të Kodit Penal për akuzat e vrasjes në rrethana të cilësuara, shkatërrimit të pronës me dashje, si dhe shpërdorimit të detyrës. Gjatë konkluzioneve, prokurorët janë mbështetur në përfundimet e hetimeve dhe ekspertizës, sipas të cilave pallati pesëkatësh i ngritur rreth 25 vjet më parë në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb nëntorin e vitit të kaluar për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re poshtë themeleve të tij, ndanë rrugës nacionale, përfund qytetit të Gjirokastrës.

Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të shtatë të pandehurve gjatë gjithë procesit gjyqësor kanë kërkuar nga trupi gjykues shpalljen të pafajshëm të klientëve të tyre, ndërkohë që për të paraqitur një mbrojtje të plotë dhe përfundimtare avokatët kanë kërkuar kohë për përgatitjen e materialit përfundimtar të mbrojtjes juridike. Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet në datën 2 nëntor, kur do të dëgjohen konkluzionet e palës mbrojtëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›