E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femra, familja, shoqëria dhe njëra prej tabuve...



Televizioni shtetëror i Sllovenisë do të realizonte një program për Shqipërinë dhe një nga kontaktet e para që kishte kërkuar, ishte mjeku Adem Harxhi, i cili realizonte një program televiziv shqiptar në lidhje me kulturën seksuale me telefonata direkte.

Gazetarja që kishte ideuar dhe po realizonte këtë program televiziv, më pohoi vetë se ata kishin një informacion të cunguar për realitetin shqiptar, ndaj u kishte bërë përshtypje një hapësirë e tillë publike në një vend me shumicë myslimane.

Më vonë, ajo më pohoi në studio se ndihej në një vend krejtësisht evropian dhe standardet që kishte mundësi të filmonte dhe interpretonte për audiencën e saj ishin plotësisht të ngjashme me ato të vendit të saj.

Më tej akoma, me mjaft delikatesë ajo shtoi se në kryeqytet ajo kishte vënë re edhe një standard ekstravagant veshjesh tek vajzat e reja, që sipas saj, por edhe sipas meje personalisht, tejkalojnë edhe vetë Evropën.

Në fakt, këtë pohim kam pasur mundësi ta dëgjoj edhe nga kolegë të tjerë evropianë, ndërsa kanë vizituar Tiranën, por të gjithë në kor më kanë pohuar gjithashtu se është për t’u komplimentuar bashkëjetesa e kulturave të ndryshme në shoqërinë tonë.

Në mënyrë simbolike, të detajuar dhe profesionale kjo bashkëjetesë është identifikuar prej tyre, ndërsa kalonin pranë xhamisë afër Pallatit të Kulturës ku vetëm disa metra larg vajzave të mbuluara me shami që i luten Zotit, sheh edhe vajza me veshje ekstravagante, të cilat kalojnë fare pranë dhe indiferente...

Por… duhet thënë se po të kërkosh më shumë, situata nuk është kudo njëlloj e ngjyrosur. Pa dyshim, kulturat e ndryshme bashkëjetojnë në harmoni në kryeqytet, por ndoshta vetëm në qendrën e dikurshme të tij.

Kujtojmë këtu se jemi trefishuar si nga pikëpamja urbanistike ashtu edhe për nga numri i popullsisë dhe ndaj besoj, apriori, se duhet pranuar që pasqyra nuk shfaq të njëjtën fotografi në periferi të kryeqytetit dhe veçanërisht në zonat rurale.

Edukata seksuale, sa e përhapur, aq edhe tabu...

Djali im në klasë të dytë fillore, një ditë po më thoshte se njëra nga shoqet e tij të shkollës kërkonte vazhdimisht t’i dhuronte një puthje në buzë dhe në rast të kundërt, ajo qante ose ankohej tek mësuesja, duke i argumentuar se ai e kishte ofenduar, lënduar...

Në fakt, një nga elementet e rëndësishme që kultura masive dhe shoqëria ndërhyn dhe mund të ndikojë pozitivisht ose negativisht tek jeta private e individit, është edhe edukata seksuale, e cila për fat të mirë, është pjesë e programeve të caktuara edukative shkollore.

Por ky hap cilësor publik rezulton akoma i parealizuar brenda familjes dhe mjaft nga prindërit rezultojnë të pazotë për të folur me fëmijët e tyre për këtë temë, ndonëse delikate, shumë të rëndësishme të jetës.

Kjo ndodh,kur për fat të keq, kur duhet që raporti prind - fëmijë në këtë kontekst duhet të jetë dy herë më aktiv për shkak të konsumimit publik dhe jo profesional, apo nën një kontroll profesional që i bëhet kësaj fushe tashmë në publik!

Ndërkohë që mungojnë edhe instrumentet e domosdoshme profesionale shtetërore për të instruktuar këtë grup shoqëror ndaj brezit më të ri. Pa dyshim që nuk mungojnë informacionet, të cilat arrijnë tek publiku vetëm në rrugë komerciale që sigurisht kurrë nuk mund të mjaftojnë dhe sigurisht mund të deformojnë edhe më të rriturit.

Apriori, kjo problematikë rezulton më dramatike në zonat rurale, ku në përgjithësi rezulton që femra të viktimizohet më shumë, ndërsa meshkujt në bazë të traditës patriarkale kanë të drejtë të bëjnë çdo gjë me një femër!

Rasti kur babai që vrau të bijën vetëm sepse dëshiroi të bënte çka bënin shoqet e saj më të lira në metropol, është më klasiku, por për fat të keq, edhe nga të paktët të cilët arrijnë deri në vëmendjen e publikut, duke treguar se kemi akoma tabu të cilat nuk kemi kurajon për t’i trajtuar.

Një rast tragjik...

Drejtuesja e njërës nga shoqatat për femrën shqiptare më tregoi se një gruaje nga Elbasani kthimi i të shoqit nga emigrimi iu bë fundi tragjik i jetës. Gruaja e cila sigurisht jetonte me të ardhurat që i sillte i shoqi, kishte pasur mundësi, përveç të tjerash, edhe të ndiqte programet televizive të seksit që tashmë janë lehtësisht të arritshme në Shqipëri.

Në fakt, asaj, kjo mundësi i kishte vlejtur për të mësuar diçka më shumë dhe pa dyshim të plotësonte nevoja biologjike natyrale, për të cilat nuk flitet aspak në metropol, jo më në fshat. Këto nevoja biologjike pa dyshim që duhet t’i ketë plotësuar, në një mënyrë ose tjetër, edhe i shoqi!

Ndoshta ky emigrant mund të ketë shkuar edhe me një prostitutë profesioniste! Përtej kësaj, parimisht, shumica e burrave shqiptarë nuk do t’ia lejonin kurrë të njëjtën gjë gruas së tyre… E… ndërsa ky burrë, në shtratin familjar, gjen gruan e tij që tashmë di shumë më shumë nga raportet seksuale dhe që për t’i bërë qejfin bashkëshortit fillon t’i bëjë ato çka kishte pasur mundësi të mësonte nëpërmjet ekranit të televizionit…!

Zotëria, mësuar me tradicionalen si nga pikëpamje biologjike ashtu edhe kulturore, në një moment që sheh gruan e tij të arrijë të bëjë gjera të cilat ai vetë kishte mundur t’i provonte me një prostitutë, mendon deri tradhtinë dhe sigurisht nuk pret më, por duke e akuzuar, e vret... A nuk kemi përgjegjësi të gjithë ndaj kësaj “tabuje”?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›