Shkelen kriteret, farmacitë dynden afër spitaleve
Jaupllari denoncon lidhjet e dyfishta mjekë-farmacistë
Godo: Bashkëpunimin i gjithanshëm për funksionimin e këtij sistemi
Farmacitë vazhdojnë të licencohen pa zbatuar kriterin e distancës, duke krijuar dyndje rreth spitaleve dhe qendrës së qytetit e ndërsa periferia ka nisur të ndiejë mungesat. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, deklaroi dje në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga ministria dhe Urdhri i Mjekëve se farmacitë ngrenë “strehën” në distanca krejt të afërta me njëra-tjetrën duke u përqendruar kryesisht afër qendrave spitalore.
Kriteret
Në tryezën e rrumbullakët, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Urdhri i Mjekut si dhe Urdhri i Farmacistëve, specialistët e shëndetësisë diskutuan mbi rolin e faktorëve në funksionimin e sistemit shëndetësor në tërësi dhe atë farmaceutik në veçanti. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, denoncoi mosrespektimin e distancave për licencimin e farmacive.
Sipas tij, vazhdon licencimi i farmacive pa zbatuar kriterin e distancës duke i përqendruar ato të gjitha rreth qendrës e duke anashkaluar periferinë. “Duhet respektuar një distancë 100 – 150 metër në varësi të raportit 1 për 3000 banorë për ngritjen e një farmacie”, - shpjegoi Jaupllari.
Gjithashtu, kreu i UF-së ngriti shqetësimin për lidhjet e dyfishta mjekë-farmacistë. “Mjekët rekomandojnë pacientët t'i blejnë medikamentet vetëm në ato farmaci ku janë të lidhur”, - u shpreh Arjan Jaupllari, president i Urdhrit të Farmacistëve. Në përfundim të fjalës Jaupllari ka kërkuar më tepër bashkëpunim ndërmjet strukturave të shëndetësisë, si dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje, pasi sipas tij, sistemi shëndetësor në vend nuk funksionon siç duhet.
Godo
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh: “Jemi përpjekur të instalojmë një lloj mënyre të re menaxhimi të sektorit shëndetësor, e cila ka të bëjë me njëfarë “cenimi” të fuqisë së qendrës dhe rritje të autonomisë dhe fuqisë së strukturave të faktorëve periferikë”. Sipas saj, kjo është mënyra e vetme, për t’u dhënë fuqi dhe autonomi strukturave periferike, duke cenuar fuqinë e qendrës, por duke rritur supervizionin nga ana e qendrës dhe auditivin.
Duke u ndalur tek sektori farmaceutik, ministrja Godo shprehu angazhimin për të gjetur mënyrën më të mirë për bashkërendimin dhe bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve dhe faktorëve të sistemit shëndetësor, për të mundësuar kështu më të mirën e organizimit dhe funksionimit të këtij sistemi.
Ndërsa, kryetari i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, vuri theksin mbi përgjegjësitë për të siguruar shëndet jo vetëm nga ana e MSH-së dhe profesionistëve të sistemit shëndetësor, por dhe e politikave qeverisëse, janë atribute ndër sektoriale me përfshirje aktorësh e faktorësh edhe jashtë sistemit. “Sistemi shëndetësor duhet të funksionojë duke bashkërenduar dhe bashkëpunuar me të gjithë aktorët dhe faktorët, duke pasur të përcaktuara funksionet dhe përgjegjësitë e gjithsecilit”, - tha ai.
Në Shqipëri ekziston një kusht ligjor për licencimin e farmacive që ka të bëjë si me distancën dhe popullsisë që i shërben. Kështu, një farmaci duhet të vendoset minimalisht 100 metra larg tjetrës dhe t`u shërbejë 3 mijë banorëve. Por, diçka e tillë nuk duket se është respektuar, duke sjellë reagimin e instancave shtetërore.