E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujt mund t'i besosh në këtë kaos mediatik?!



Shoqëria njerëzore është e ndërvarur nga një ekuilibër moral, thelbin e të cilit e përbën ajo që quhet besueshmëri. Shkalla e besueshmërisë përcakton të gjitha lidhjet njerëzore: burrë-grua, fëmijë-prind, punëdhënës-punëmarrës, partnerë në politikë, në biznes, në krijimtari, shkencë. Madje vetë gjithësia është e ndërvarur nga një ekuilibër i caktuar ndërplanetar.

Të gjitha konfliktet shoqërore kanë në themel mungesën e besueshmërisë, mungesën e ekuilibrit social, politik, ekonomik, fisnor, miqësor e deri gjinor. Dhe nëse Shqipëria vuan nga destabiliteti dhe konflikti permanent, atëherë kjo ka të bëjë me mungesën e parimit moral të besueshmërisë së ndërvarur. Partitë politike nuk besojnë te njëra-tjetra, opozita nuk i beson ato që bën qeveria, edhe pse i sheh në pikë të ditës e dritë të diellit. Qeveria nuk i beson kryesueses së ODIHR-it, sepse para 13 vitesh ajo kishte mbajtur një qëndrim të njëanshëm në të njëjtin pozicion ku është sot. Kjo është panorama e përgjithshme.

Ndërkohë, qytetarët janë të terrorizuar nga një shtyp dhe media, shkatërruese e besueshmërisë së ndërvarur midis institucioneve e politikanëve. Dhe të gjitha këto vijnë si rezultat i papërgjegjshmërisë së skajshme. Një shembull: Askund në botën e civilizuar e të përgjegjshme prokurorët, hetuesit nuk vënë në dispozicion të medias të dhënat që kanë nxjerrë, para se ato të marrin formën e vendimit në gjykatë. Ndryshe, vendi nuk do të kishte nevojë për gjykata, por dhe do të dëmtohej procesi i hetimi. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur që Prokuroria e Arben Rakipit t'i jepte në vitin 2000 dosjen për vrasjen e Azem Hajdarit një reviste proqeveritare (majtiste). Ndërsa Prokuroria e sotme po bën më shumë se Prokuroria e vitit 2000. Gjithçka që kanë dosjet e hetimit politik, edhe sekondat e bisedave telefonike të një ish-ministri, një faks i shpikur i një ish-ministri tjetër janë vënë në dispozicion të gazetave antiqeveritare. Të gjitha këto përcillen si ngjarje “të vërteta” nga televizionet satelitë.

Gjithçka është instrumentalizuar në ekstrem, duke prishur çdo lloj ekuilibri moral, shoqëror e politik. Njerëzit duken të çoroditur në këtë kaos besueshmërie e mosbesueshmërie. Kujt t'i besosh e për çfarë të besosh?! Autorë e skenaristë të një situate të tillë kaotike mbeten ata që nuk e kanë ndërruar zakonin 65-vjeçar, opozitarët socialistë. Qeveria duket e paaftë t'i thotë “ndal” kësaj katrahure mediatike.

Ndërkohë, duket gjithashtu se besueshmëria e institucionit të Prokurorisë është tronditur thellë, sepse ajo, me metodat e hetimit të Sigurimit të Shtetit merr firmat e dëshmitarëve në letër të bardhë dhe pastaj i mbush ato, e motivuar politikisht, për t'i servirur në mediat e vendit. Kjo papërgjegjshmëri e mungesë ekuilibri ka përhapur pabesueshmëri të skajshme. Tash është vështirë që njerëzit të orientohen e të dallojnë çfarë është e vërtetë e çfarë është e gënjeshtërt, çfarë duhet të besojnë e çfarë jo.

Ndaj vetëm në Shqipëri ndodh që në elitën politike e intelektuale, në botën mediatike të ketë ose "miq" ose armiq. Në momentin që dikush nuk e realizon aspiratën e një interesi, brenda natës kthehet në pozicionin e armikut. Secili i jep vetes të drejtë, edhe kur i di skenarët e të padrejtës. Secili shpallet hero "i zbulimeve" sensacionale, edhe kur e di se me veprime të tilla i shërben ikjes nga e vërteta. Dhe sa kohë do të ndodhë kështu, aq kohë do të ketë politikë të parcializuar, institucione që i tregojnë dhëmbët e bërrylat njëri-tjetrit, gazetarë të cilët belbëzojnë në gjumë shpikjen dhe shpifjen e radhës, të cilën duhet ta zbardhin të nesërmen në kompjuter.

Nesër pritet të ketë zgjedhje të reja të drejta e të lira, pasnesër ndoshta pranohemi në BE. Por thelbin e ndryshimit do ta japë shkalla e besueshmërisë, fakti se sa do të jemi të besueshëm si popull e si komb. Dhe kjo besueshmëri fillon te pragu i shtëpisë, te dera e zyrës së institucionit, te tavolina e punës së politikanit a gazetarit, te secili prej nesh. Të besosh është virtyt, të mos besosh është ves.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›