E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avazi i vjetër i “politikës së re”



Katër partitë e një pjese të së majtës “shqiptare” - konkretisht PS, PSD, PDS dhe G99 - kanë shpallur në qiell të hapur një marrëveshje paraelektorale për të qenë “bashkë për ndryshim” në revolucionin e qershorit dhe për t’i bërë me dije “kohës për veprim” se edhe bar do hanë, vetëm Ilir Metës nuk do t’i lënë kohë për të vepruar.

Në prani të qytetarëve të disanumërt dhe të mediave të panumërta, E. Rama, kreu i një prej fragmenteve të së majtës që nuk po mundet të defragmentohet, u shpreh se “koalicioni i së majtës është një bashkim përtej së majtës dhe së djathtës, por që ka lindur për të mos lënë që të vazhdohet të jetohet me plagët e të vjetrë”. Një perifrazim ky i apdejtuar i “avazeve të vjetra të Mukjes”, për një bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje, si dhe “për një Shqipëri demokratike dhe popullore, pa bejlerë, agallarë dhe bashibozukë të Perëndimit”.

Edhe pse krahët e gjatë të kreut bashkiak të partisë së bashkimit në tentativë, hapeshin sa majtas e djathtas për treguar “të ndryshmen” dhe “bashkimin”, do të mjaftonte vetëm një analizë sipërfaqësore e dy prej figurave qendrore të këtij bashkimi, z. Gjinushi dhe z. Milo, për të kuptuar se realisht, nuk bëhet fjalë as për bashkim, e as për ndryshim.

Nëse do të ishte kundërta, Gjinushi dhe Milo do të duhej të vepronin politikisht në të njëjtën sigël partiake - ashtu si PDr me PD - prej nga kanë dalë duke akuzuar njëri-tjetrin për autokraci dhe metoda përçarëse. Por, ata nuk duket se i bien fyellit në të njëjtën vrimë, por... njëri ngre zërin për demokraci sociale e tjetri për socialdemokraci, njeri “Ali Hoxhë” e tjetri “Hoxhë Ali”.

Për më tepër, nuk bëhet llaf as për “bashkim” të mirëfilltë të ramistëve, kur secili prej tyre, si ramizisti Gjinushi ashtu edhe ai Milo, mbartin në nënvetëdije mllefin dhe baltën e hedhur ndaj njëri-tjetrit, çka shkon në drejtim të kundërt me moton e E. Ramës: “Bashkimi ynë i ri nuk ka lindur për t‘iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t‘u hapur krahët të gjithë atyre që e duan Shqipërinë si Evropa".

Aq më pak të flitet për ndryshim, ngaqë avazin “E. Rama” e kemi dëgjuar dhe provuar mbi shpinë nga E. Hoxha, qysh prej 16 shtatorit të vitit 1942. Sakaq, një avaz po i tillë vazhdon sot e kësaj dite, ashtu i pandryshuar dhe “i ndryshkur”, i zhvendosur në kohë 67-vjeçare dhe i rivendosur në hapësirë, Pezën historike. Pa asnjë ndryshim identitar, mbiemëror apo dhe frymëzues.

Gjithsesi, nëse dje pazaret bëheshin gju më gju me M. Pezën, sot pazarllëqet bëhen kokë më kokë me D. Pezën. Nëse pezakët e vjetër dhe ithtarët politikë të “avazit lindor” ishin E. Gjinushi, K. Rama S. Bushati, H. Beqja, B. Klosi, P. Misha dhe udhëheqësit shpirtërorë ishin Dushani e Popoviçi; 67 vjet më pas, pezakët e rinorizuar dhe dymbëdhjetë dishepujt politikë të “avazit për Perëndimin”, janë respektivisht S. Gjinushi, E. Rama, D. Bushati, I. Beqja, A. Klosi, M. Misha dhe udhëheqësit shpirtërorë Bregoviçi dhe Berkoviçi.

Në këtë shtrat, sa ideologjik aq edhe mbiideologjik, ku ramistët e rinovuar kërkojnë të kthehen te ramizistët e rivonuar, ajo që vlerësohet realisht e besueshme në qëndrimet politike të ylberistëve, është se ata mbeten koherentë dhe konsekuentë të parimit të panegociueshëm se “luftojnë paepur që të hedhin pas shpine 18 vjet të politikës së vjetër”, si për të kaluar ylberin pikërisht në ditët e nxehta dhe pa reshje të fundqershorit.

Ajo që mbetet për t’u vlerësuar tani dhe për t’u gjykuar në fund të muajit pasardhës, si joparimore dhe jotransparente, është mungesa e kurajos së ylberistëve për të bërë publike alter egon e tyre: atë të “të rikthimit tek të parët”, tek ideologjia e ngjizur 67 vjet më parë, në kthinat e errëta e plot lagështi të Pezës historike, maja-maja, brigje-brigje.

Si për të na bërë me dije se edhe E-ja e re, Veliaj, po (sh)përdoret si një “etiketë” e mirëdizenjuar, vetëm që “kapot” të rinxjerrin në treg e ta shesin për të ri mallin e vjetër, mallin për të vjetrën, “mallin” e dekompozuar tashmë prej çerekshekulli, mallin “E”, mallin për pak “E”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›