E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizimi, proces i vështirë

Një debat i madh po zhvillohet mes institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar në Prishtinë për hapat e ardhshëm drejt zbatimit të decentralizimit. Para se të fillojë zbatimi në terren i decentralizimit, qeveria e Kosovës kërkon garanci që komunat e reja nuk do të bien në duart e strukturave paralele serbe, por do të udhëhiqen nga kryetarë dhe asamble që do të marrin legjitimitet nga vota e qytetarit në zgjedhje lokale. Decentralizimi është një nga pjesët më të rëndësishme të planit të Ahtisarit, të cilin institucionet e Kosovës janë zotuar se do ta zbatojnë në tërësi. Me të parashikohet krijimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjerimi i një komune tjetër. Komuniteti serb do të gëzonte kompetenca të gjera për menaxhimin e çështjeve lokale në fushën e arsimit, shëndetësisë, policisë, infrastrukturës etj.

Hezitimi

Megjithëse këtë vit janë bërë disa lëvizje konkrete drejt zbatimit të këtij projekti, siç është shpallja e konkursit për ekipet përgatitore për ndërtimin e komunave të reja, duket se qeveria e Kosovës nuk dëshiron të bëjë hapa të tjerë pa u përmbushur disa kushte dhe pa qenë e sigurt për rezultatin final. Ndonëse zyrtarë të qeverisë ende nuk i kanë publikuar të gjitha hollësitë rreth shqetësimeve të tyre lidhur me decentralizimin, është e qartë se ato kanë të bëjnë kryesisht me praninë e strukturave paralele në Kosovë. Plani i Ahtisarit kërkon zbatim të decentralizimit dhe kjo nuk mund të rinegociohet, por me këtë plan nuk parashihet që të ketë struktura paralele në Republikën e Kosovës. Ato nuk janë shpërbërë, ndërkaq komuniteti serb në veriun e Kosovës vazhdon të kontrollohet nga ekstremistë, të cilët kanë mbështetjen e Beogradit. Procesi normal nënkupton zbatim të decentralizimit, por edhe shuarjen e strukturave paralele të financuara e të dirigjuara nga qeveria e Serbisë. Mirëpo, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të Kosovës, aktualisht nuk ka pajtim të plotë mes institucioneve të Kosovës dhe faktorëve ndërkombëtarë në Prishtinë, për hapat dhe zhvillimet në terren që do të çonin në krijimin e komunave të reja, sipas planit të Ahtisarit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se qeveria është e interesuar dhe do të respektojë pakon e Presidentit Ahtisari, njëqind për qind, përfshirë decentralizimin, por kërkon që në komunat e reja të instalohet pushteti lokal legjitim. "Do të ketë decentralizim dhe komuna aty ku garantohet që do të vijnë në krye të komunave kryetarët legjitimë, të zgjedhur nga vota e qytetarëve dhe jo strukturat paralele", ka thënë ai. Sipas fjalëve të tij, qeveria duket se nuk preferon që komunat e reja të krijohen një nga një. "Procesi i decentralizimit nuk mund të jetë njëkahesh, që do të thotë vetëm në Ranillug, Kllokot apo diku tjetër. Duhet të jetë me shenja pozitive në të gjithë territorin e republikës, përfshi edhe pjesën veriore", ka shtuar Kuçi. I pyetur nëse faktori ndërkombëtar pajtohet me këtë, ai tha se "ky është qëndrim i qeverisë së Kosovës dhe këtë qëndrim e prezantojmë dhe e kemi prezantuar para faktorëve ndërkombëtarë".

Ministria

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ministria e të cilit është e ngarkuar të merret me zbatimin e decentralizimit, shprehet se "jemi duke biseduar dhe duke analizuar të gjitha analizat, në bashkëpunim edhe me bashkësinë ndërkombëtare se cilët do të jenë hapat tanë të parë në të ardhmen, në mënyrë që procesi të jetë kredibël dhe i suksesshëm në tërësi sipas pakos së Presidentit Ahtisari", ka thënë ministri Ferati. Institucionet e Kosovës e ndërlidhin krijimin e komunave të reja me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, megjithëse nuk është përcaktuar shkalla e pjesëmarrjes në votime, në mënyrë që një komunë të konsiderohet se ka fituar pushtet legjitim. Serbët e Kosovës sërish janë porositur nga Beogradi që të bojkotojnë zgjedhjet e 15 nëntorit. Në Prishtinë duket se ka ide që zgjedhjet në komunat e reja, ku nuk ka sinjale të kënaqshme për pjesëmarrje në zgjedhjet e 15 nëntorit, të shtyhen për më vonë. Qeveria e Serbisë dhe liderë serbë lokalë që nuk pranojnë shtetin e Kosovës, dëshirojnë zbatim të decentralizimit, por kërkojnë që ky projekt të zbatohet nga ndonjë organizatë status-neutrale e jo nga qeveria e Kosovës dhe zyra civile ndërkombëtare.

Shumica e serbëve të Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet kosovare që nga viti 2004. Ata kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Serbisë, të organizuara edhe në Kosovë vitin e kaluar. Nëse nuk është e sigurt që komunat e reja do të udhëhiqen nga zyrtarë legjitimë të padirigjuar nga Beogradi, atëherë Kosova përmes decentralizimit, në vend të integrimit të komunitetit lokal serb, rrezikon të fitojë edhe pesë Shtërpca të reja, ku nuk pranohet autoriteti i Prishtinës. Zëdhënësi i ICO-s, Kai Mueller-Berner, ka thënë se decentralizimi është një prioritet i madh për këtë organizatë dhe një zotim i Kosovës sipas planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës. "Ne jemi duke punuar që decentralizimi të lëviz përpara. Kjo do të thotë të vazhdojë bartja e kompetencave në tërë Kosovën në fushën e mirëqenies sociale, arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës. Gjithashtu, kjo do të thotë formimin e ekipeve përgatitore komunale për themelimin e komunave të reja", ka thënë ai për "Express". Për ICO-n, zgjedhjet e ardhshme lokale dhe decentralizimi nuk është e thënë të jenë të lidhura patjetër. "Zgjedhjet janë shpallur nga Presidenti sipas ligjit dhe Kushtetutës. Nuk ka lidhje të domosdoshme mes këtyre dy ngjarjeve. Decentralizimi e ka rrugën e vet dhe tani është e rëndësishme të përqendrohemi në formimin e ekipeve përgatitore komunale", ka thënë Mueller-Berner. Deri tani, nga gjashtë ekipe përgatitore është krijuar vetëm një, ai për komunën e ardhshme të Kllokotit. Zëdhënësi i ICO-s sqaron se kjo ka ndodhur për shkak se për ekipin e kësaj komune procesi i emërimit ka qenë i gatshëm teknikisht. Rreth 300 persona kanë konkurruar për të qenë anëtarë të ekipeve përgatitore. Ekipet e tjera pritet të formohen në të ardhmen.

Krasniqi:

Bojkoti i serbëve rrezikon decentralizimin

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e konsideron të domosdoshme pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e sivjetshme lokale, në të kundërtën, sipas tij, mund të rrezikohet zbatimi i procesit të decentralizimit.

"Mendoj se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje për të treguar se janë pjesë e ndonjë komune të Kosovës. Ndërsa pa marrë pjesë në zgjedhje, ne nuk dimë se sa është numri i tyre dhe cilat janë kërkesat e tyre", tha Krasniqi, i cituar nga KosovaLive.

Kryeparlamentari kosovar i bëri këto deklarata pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit. Sipas tij, Kushtetuta që është e bazuar mbi planin e Ahtisarit është një ofertë shumë e mirë për komunitet. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund t‘i jepen të mirat dikujt nëse ai nuk i dëshiron. "Thotë një fjalë e popullit se me zor mund të merret diçka, por me zor nuk mund t‘i jepet askujt asgjë", u shpreh ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›