E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat në polici, Burgaj: Tani edhe në terren

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka ofruar mbështetje për forcimin e rolit të gruas në polici dhe përfaqësim të denjë të saj në të gjitha strukturat, deri në terren. Duke marrë pjesë në ceremoninë e krijimit të sindikatës së gruas në policinë e shtetit, Burgaj theksoi se tashmë gratë do të gjenden kudo ku ka nevojë policia, edhe në strukturat më speciale si në rastin e forcave RENEA, ku së fundi ka aplikuar edhe një femër.
 

“Kjo është kënaqësi e veçantë, do të keni të gjithë përkrahjen e duhur për tu bërë pjesë e vërtetë e operacioneve të tilla dhe drejtimi juaj do përqëndrohet drejt terrenit, atje ku komuniteti shikon, ku ju me aftësitë tuaja dini të komunikoni më me etikë nga gjithë të tjerët”- tha ai.
 

Ai ka garantuar përkrahjen për të shtuar radhët dhe për të arritur përqindjet e organizatave të tjera, duke shtuar se dy vitet e fundit janë pranuar 132 femra në polici. “Numri duhet të vijë në rritje dhe organizata e policisë do marrë fizionominë që i takon. Ju ftoj të luftojmë mentalitetet e vjetra për t`iu shmangur terrenit, gra duhet të ketë në kufi, në rend, qarkullim rrugor, gjithandej”- theksoi Burgaj.
 

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka theksuar se barazia gjinore në polici është një model i cili ka shërbyer edhe si shembull për institucionet e tjera. “OSBE-ja ka ofruar mbështetje për barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare. Një mbështetje e veçantë i është dhënë edhe procesit të rekrutimit dhe të aplikimit të grave në policinë e shtetit” ka theksuar Wollfarth.
Ai ka shtuar se krijimi i sindikatës së grave të policisë do të bëjë të mundur arritjen e një ekulibri dhe do të bëjë të mundur edhe një shërbim më të mirë të policisë në shërbim të komunitetit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›