E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër kapen 120 kg marijuanë, 5 persona në kërkim

Policia e Gjirokastrës në sajë të operacionit të koduar “Mjegulla” ka bërë të mundur sekuestrimin e 120 kg marijuanë ndërsa janë shpallur në kërkim 5 persona.

Sipas policisë u konstatua se përballë fshatit Nepravishtë të rrethit Gjirokastër një grup trafikantësh droge po transportonin me krahë në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek, disa çanta të mëdha shpine, të dyshuara me lëndë narkotike.

Të 5 shtetasit nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për t`u dorëzuar, por kanë braktisur çantat në përrua, dhe mandej u hodhën edhe vetë aty për t`u larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira e mjegulla.

Sipas policisë, për shkak të terrenit të thyer dhe motit të keq për të mos rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, ndjekja e trafikantëve u ndërpre rreth orës 06.00.

Policia në agim bëri dhe krehjen e zonës ku u hodhën 5 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, duke sekuestruar dhjetë pako të mëdha me peshë 10 kilogramë secila të futura në katër çanta të mëdha shpine, si dhe 10 pako 2 kilogramë secila të futura në një thes, që në total përbënin afro 120 kg marijuanë.

Për arsye hetimi policia nuk bën publike identitetet e pesë trafikantëve të shpallur në kërkim, ndërsa po punon intensivisht për kapjen e tyre.

Të pestë personat janë nën akuzë për prodhim dhe trafikimi droge.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›