E Diel, 1 Nëntor 2026

Nina Mula: Sigurimi i shtetit më ndiqte dhe më provokonte në Opera

TIRANE-Si sot 80 vite më parë, në qytetin Izhevski të Rusisë, familjes Odjankova i lindi një vajzë. Ata e quajtën Nina. Për publikun shqiptar ajo njihet me emrin Nina Mula dhe sot ka ditëlindjen. Ne e takuam dje në shtëpinë e saj, diku pranë rrugës së Kavajës ku jeton me të shoqin Avni Mula, të bijën, Adelinën dhe dhëndrrin e saj. Është pragfeste në këtë banesë e vizitat janë të shumta. "Studentet e mamit", - thotë Adelina dhe na fton të ulemi në një dhomë, ku më vonë na bashkohet edhe vetë Nina me Avniun. Ata, vijnë përkrah njëri-tjetrit. Nina, ndonëse është në të 80-at, nuk e ka harruar mikpritjen as përshendetjet e rastit. Kemi rënë dakord që "ruska" të na flasë për jetën e saj në këtë përvjetor dhe i shoqi vjen për të saktësuar datat a kohët, në vitet e bashkëjetesës së tyre. Nina Mula flet ngadalë. E folmja e saj ndërthur bukur të folmen shkodrane me atë letrare. Biseda nis në të largëtat vite të rinisë, në Rusinë e ftohtë. Sytë e bojëqielltë marrin jetë teksa kujtimet e ëmbla rrëfehen, e të akullt bëhen, kur flet për sigurimsa që e ndiqnin dhe e provokonin në opera a gjëkundi tjetër...
Shkodranët e pritën me këngë nusen e tyre. Në ditardhjen e saj, i kënduan vargjet "O sa bukur ka dalë nusja", edhe pse ajo nuk qe veshur si e donte zakoni, kur zbriti nga vapori. Në tokën e shqipeve ajo mbërriti si "nuse pa duvak", por salltanetet që tradita i donte, ata ia bënë një e nga një. Në fillim i vunë për të ngrënë në sofër, e më pas, mbase duke parë stepjen e "sovjetikes" së bukur, i shërbyen në tavolinë. Nusja e shkodrës nisi kështu një jetë të re, në një vend të vogël të Ballkanit, për të cilin pak dinte, derisa erdhi të ngryste gjithë jetën e saj në të.
Vjehrra, (ajo i thërret nana) në fillim e pa me dyshim. "Nji e huej nuse në shpinë time. Nuk asht as muslimane", - do ketë menduar e ëma e Avniut, tregon më poshtë Nina. Por më tej, duket se e deshi fort.
Nina, ajo vajza e ndrojtur që i ktheu shpinën Rusisë së saj, është muza e "Valsit të lumturisë". Jeta e saj në Shqipërinë komuniste të "forcave të veta", nuk do të ishte e lehtë, e sidomos pas viteve '60. Por ajo e dinte këtë. Çdo mëngjes, në të dalë tek pragu i shtëpisë, ajo bënte kryqin, dhe i lutej Perëndisë, që ata të sigurimit ta linin rehat.
E teksa "ruska" jetonte me familjen e saj, incidentet nuk munguan. "Ne jemi këtu sot, sepse njëherë na e shpëtuan jetën Ibrahim Tukiqi e Lukë Kaçaj", - tregon ajo, duke sqaruar se desh i kishte zënë qymyri në një dhomë në hotel "Vjosa".
Sot ajo ka ditëlindjen, dhe festimi i saj mbetet surprizë por Nina një gjë e di tashmë: "E di që më kanë blerë një fustan, por vetëm kaq", - thotë ajo. Nina Mula nuk i di detajet e festës së ditëlindjes, por di ato të jetës së saj, për vajzat Adelinën e Invën, për ditët e lumtura përkrah Avni Mulës, për familjen e saj në Rusi dhe takimin me të pas vitit 1990... Është i vetmi moment në tërë rrëfimin, kur sytë bojëqielli skuqen. Lotët e tradhëtojnë...

* * *
Këto ditë të ftohta nëntori, a jua kujtojnë vendlindjen?
Unë kujtohem shpesh për vendlindjen time dhe mendoj se si kam jetuar. Nuk e përballoj dot më të ftohtin. Mund të përballoj një shëtitje, por jo të jetoj më. Jam mësuar me diellin tani.
Sot ju bëheni 80 vjeçe. Kur ktheheni të shikoni ç'keni lënë pas, ç'mendoni?
E kam të vështirë të bëj një rezyme, por jetën time në Shqipëri e ndaj në disa periudha. Ruaj përshtypje të mrekullueshme nga ditët e para të ardhjes sime në Shqipëri. Natyrë e mrekullueshme dhe njerëz të mirë. Në Rusi, unë jetoja në provincë dhe më dukej se njerëzit andej e këtej ishin njësoj. Ndjeva afërsi. Pastaj Avniu, im shoq, ishte i njohur e të gjithë i thoshin "ta marrsha". E respektonin atë por as mua nuk më shikonin veç tij.
Si e kishit imagjinuar dhe si e gjetët Shqipërinë?
Se kisha imagjinuar fare sepse nuk e dija ku ndodhej, dija vetëm që është në Ballkan. Erdhëm me vapor dhe na priti populli shkodran me këngën "Sa bukur na ka dalë nusja". Unë se dija se çdo të thoshte kjo, por ishte një hare e gëzim i madh. Erdhëm tek shtëpia e motrës së Avniut në Tiranë. Ajo kishte shtruar një sofër për ne që të hanim. Pastaj, si më pa mua, e hoqi sofrën dhe na vuri për të ngrënë në tavolinë. Habitesha nga këto zakone, por po mësohesha dhe ndjeva mikpritjen. Kunata ime ishte femër e jashtëzakonshme. Unë jam me shkollë dhe me një farë kulture, por ajo pa asgjë, ishte e dashur e me intuitë. Mes nesh lindi një dashuri që vazhdoi gjithë jetën. Takoheshim shpesh dhe kishim marrëdhënie të mira.
Në Shkodër si ju pritën?
Më kanë pritur edhe në Shkodër edhe në Durrës. Shkodranët janë njerëz të dashur, spontan dhe e krijojnë menjëherë atmosferën e këndshme. Kanë edhe humor.
Keni marrë diçka prej tyre?
Thonë se jam bërë me humor, tani nga fundi. (Qesh)
Pse ju thoshin nusja pa duvak?
Sepse unë vishja fustane e taka 6-7 centimetra. Kisha rroba që i kisha qepur në Moskë në një rrobaqepësi diplomatësh.
A keni qenë e lumtur me Z. Avni?
Padiskutim!
Është sjellë mirë në vitet e martesës?
Është sjellë shumë mirë. Të them të drejtën, në Shkodër familja e Avniut kishte vetëm një dhomë të madhe ku flinin nëna, babai, motra, unë e Avniu. Mua nuk më bënte përshtypje sepse secili ka kushtet e veta. Më pritën mirë. Por nana disi stepej. Unë e kuptoja, se ajo mendonte, "nusja s'është muslimane, është veshur ndryshe nga ne, më moderne. Si do jetojmë me këtë ne?" Por me kalimin e kohës, ndryshoi për mirë. Komshinjtë vinin e shihnin fustanet, që i kisha sjellë me vete si punë paje. Në Shkodër ndenjëm 15 ditë dhe u kthyem në Tiranë. Nuk kishim shtëpi ndaj morëm një dhomë tek hotel "Vjosa". Ishte shumë ftohtë, aq sa uji ngrinte në gotë. Një ditë Avniu doli e bleu një mangall me qymyr tek Pazari i Vjetër dhe më tha, - ngrohu. Po as unë e as Avniu nuk ia dinim mangallit. Fati jonë që erdhën Ibrahimi (Tukiqi) dhe Luka (Kaçaj) dhe sa u ngrita e dola në korridor e më ra të fikët. Më kishte zënë qymyri. Engjëlli i solli këta dy njerëz që ne sot jemi këtu e flasim, sepse do të kishim rënë në gjumë të përjetshëm prej qymyrit.
Një vendim i vështirë i marrë prej jush i takon viteve 1960. Marrëdhëniet shiptaro-ruse shënojnë fundin dhe ju rrini në Shqipëri. Si e vendosët?
Unë isha në Çekosllovaki ato ditë. Vura në skenë në gjuhën shqipe, operën ruse "Eugen Onjegin". Pas shfaqjes shkova në Rusi dhe isha tek vëllai. Nuk merrnin vesh nga politika dhe se dinim ç'po ndodhte. Isha atje me Adelinën, vajzën e madhe, që ishte 1 vjeç. Na vjen një telegram nga Avniu ku shkruhej: Hajdeni se koha po prishet. Kuptova vetëm që duhet të nisesha. As që e kam menduar se ishte atje apo këtu më mirë. Unë mendova se kisha një familje tashmë, dhe duhej të rrija me të. Shumë shoqe të miat kanë ikur, por unë s’kam qenë asnjëherë. Megjithatë, për mua dolën thashethemet se kisha rrahur konsullin sovjetik. Kjo nuk ishte gjë e mirë se dukesha arrogante e pa edukatë. Këto gjëra, i pjell koha e imagjinata që qe e madhe.
Ju në fakt s'kishit pasur përplasje me konsullin?
Jo, përplasje jo. E kisha takuar se kisha marrë pjesë në mbrëmje.
A ju bezdisnin këta të sigurimit të shtetit?
Sa të duash. Mirëpo unë çdo ditë kur dilja në mëngjes, bëja kryqin dhe i lutesha Zotit që të mos më kapnin. E dija situatën. Njëherë Avniu ishte i ftuar në Komitetin Qëndror për Vitin e Ri bashkë me ansamblin. Ishte Enver Hoxha, Ramiz Alia, Hysni Kapo aty dhe ka kënduar "Valsin e lumturisë". Enver Hoxha e ftoi të ulej pranë tij dhe bënë një fotografi, që e kemi pasur deri vonë. Një ditë vjen në opera një sigurims që vërtitej në opera. "Eh, ç'burrë ke", - më tha. Ç'burrë kam i thashë? "Ai del e shet mend se ka një foto me Enverin", - më tha. I thashë se për mua fotografia me Enverin nuk ka moshë, e re apo e vjetër, është fotografi e këtij. Ai mbeti se s'kishte ç'të thoshte. Më provokonte, por unë s'doja të hapja probleme dhe nuk e kundërshtoja. Në përgjithësi, kolektivi më ka dashur e më ka vlerësuar për profesionalizmin dhe kanë dashur edhe të interpretojnë me mua. Kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Ishte opera "Skën-derbeu" dhe ajo që do të interpretonte Donikën, më kërkoi ta zëvendësoja se ishte sëmurë, unë pranova. Por të nesërmen, u pendua dhe vinte e më bezdiste, hapte derën e grimit, etj. Unë bëja sikur nuk kuptoja. Vjen sekretari e më tha ta lija rolin, por unë nuk pranova dhe i thashë se kisha vënë firmën. I thashë se po ta hiqte firmën nga zyra e drejtorit do ta lija, në të kundërt jo. Kështu e bëra unë rolin. Një person tjetër dilte në skenë e thoshte, "ja ruska këndon sot, ruska". Mirëpo ia pret një punëtor skene e i thotë: "Ruskë, ruskë, po këndon mirë kjo".
Nëse flasim për një rol që jo vetëm e donit por dhe e vlerësonit sepse iu bënte të ndiheshit mirë. Cili është?
Roli më i dashur është roli klasik, si Xhilda tek "Rigoleto" apo Violeta tek "Traviata". Unë kam kënduar edhe në opera shqiptare si "Pranvera" e Tish Daisë, apo "Mrikën" e Preng Jakovës. Edhe sot kur kujtoj duetin me Ibrahim Tukiqin, fillimin e operës, mendoj se është shumë i bukur, shumë i vyer. Po të mos kishte tematikën e hidrocentraleve, apo fejesave në djep, ajo do të ishte një melodi e mrekullueshme nga Prenk Jakova. Ky duet mund të këndohet kudo, i bukur e frymëzues. Ai flet për natyrën shqiptare, për malet e bukura dhe e bën këtë pa u sforcuar.
Në jetë erdhën vajzat tuaja që morën një edukim të veçantë prej jush. Si i kujtoni adoleshencën e rininë e tyre?
Vajzat kanë pas disa andralla, disa provokime. Unë gjithmonë nuk i ushqeja se unë jam ruse, e babai shqiptar, apo të flisja keq për Shqipërinë.... Doja të kishin një jetë normale e të ishin korrekte. Adelina ka mbaruar për piano dhe ka qenë me 10-ta në shkollë. Ishin të përkushtuara e punëtore të dyja. Meqenëse ne kishim rrogat që dihen, ato të dyja qepnin e shqepnin e kur dilnin, visheshin si Yllka të vogla.
A iu thoshin vajzat e ruskës?
Po.... Po iu kisha thënë të mos jepnin asnjë përgjigje. Kur shkonim tek opera e vjetër me Avniun, një vajzë nga Blloku, dilte dhe thërriste: "Hrushovi, tullace, ruse"... Një ditë Avniu ia dha vrapit pas asaj. E, ajo në katin e tretë të një pallati, Avniu po atje. Qëlloi që ajo ishte vajza e një gjenerali, emri i të cilit s'më kujtohet dhe kur Avniu mbërrin te shtëpia e saj, del ai. Kur mori vesh se ç'kishte ndodhur, ai tha: Shoku Avni mos kini merak, se nuk do të ndodhë më kurrë. Kjo nuk ndodhi më, por fëmijët i dëgjojnë në shtëpi ato që i thonë jashtë saj. Për Invën më kujtohet njëherë kur kishte punë prodhuese. Ajo më thotë të mos e zgjoja nga gjumi të nesërmen në mëngjes se nuk do të shkonte në punë pro-dhuese, meqë asnjë nuk shkonte. "Ti do shkosh i thashë!". Ajo nuk donte, por të nesërmen në mën-gjes në mënyrë shumë arrogante e zgjova, duke i hequr nga krevati batanijet e çarçafët. I jepja edhe bukë me vete dhe e dërgoja me zor.
Pse e bënit këtë?
Nuk doja që ndokush të thoshte, mirë këta që nuk erdhën, po as vajza e ruskës jo. Por kur erdhi shtatori ajo erdhi e lumtur në shtëpi, sepse kishte dalë e dalluar për këtë, ndërsa të tjerat kishin dalë me nota të këqija. E bëja këtë edhe sepse doja që të ishte korrekte. Unë e dija që atje rrinin kot, hanin bukë, e qeshnin. Po, në fakt i bënte mirë të rrinte me njerëz të tjerë, në kolektiv.
Sa vite keni ndenjur pa e takuar familjen tuaj në Rusi?
33 vite. Në vitin 1990, kam shkuar ndër të parët. Na jepte vizën Rusia, por duhej edhe fletëgaranci. Unë fillova të qaj dhe i thashë Avniut, eja kthehemi, sepse ndjehem e fyer. E në fakt vërtet ndihesha ashtu, po ishte një fyerje e pafajshme. Ne kishim një mik hungarez nga shkolla. Ai i adhuronte shqiptarët, sepse thoshte se vetëm ata dinë të këndojnë. Morëm atë në telefon dhe ai u gëzua e na priti. Na zuri një dhomë konvikti afër shtëpisë së vet. Kur na refuzuan morëm në telefon ambasadorin shqiptar në Rusi i cili na dha një garanci. Kishim një tjetër problem, kush do na priste. Morëm në telefon Sofokli Çiçin, shqiptar që jetonte në Moskë, i martuar me një ruse, punonte atje tek radio 'Moska' shqip. Meqë ai nuk vinte dot, na dërgoi dikë që të na priste. Kur ne zbritëm nga avioni, dikush thërriste Avni Mulën e presin. Kisha marrë dhuratë për familjen vetëm konjak e cigare. U ulëm në një lokal e pimë nga një cigare, se unë e pija në atë kohë. Në ndenjëm tek shtëpia e Sofokliut atë natë. Pashë një telefon në dhomë, dhe pyeta nëse funksiononte. Isha mësuar që kur isha në Shqipëri dhe merrja motrën në telefon, zhurma e tij ishte disi kështu "fshshshshsh", sepse ishte zonë e ndaluar. Më thanë se punonte dhe i telefonova asaj. I thashë: "Jam Nina e jam në Moskë". Asaj i ra të fikët... (Ninës i mbushen sytë me lot). Të nesërmen vjen nipi të na marrë e në atë kohë ishte deputet. Për të shkuar tek motra udhëtuam 22 orë me tren. Nipi më tregoi gjithçka për 33 vite. Im vëlla ishte doktor, por në kohën kur u prishën marrëdhëniet, qe ministër. E kishin hequr nga puna e kishte punuar si mjek. E kaluam shumë mirë atë muaj, ishte si një "muaj" dasmash. Në atë udhëtim shkova edhe në qytetin e lindjes së Çaikovskit, kompozitor i madh. Edhe pse e hënë, e qe ditë pushimi për muzetë, me këmbënguljen e nipit, ai u hap dhe ne e vizituam. Qe një shtëpi e vjetër e mbajtur mirë. Një liqen e një bust i tij, e diku aty karroca e Çaikovskit... Atje mora një kastravec nga kopshti, dhe e kam sjellë në shtëpi ku ka jetuar një vit.
Më tej, në vitet e demokracisë e keni takuar vazhdimisht familjen?
Po. Sa herë që kemi mundur.
Po marrëdhëniet me vajzat tuaja si kanë qenë?
E kam thënë që në fillim, janë pasuria ime. Njëra më e mirë se tjetra. Adelina më rri në këmbë dhe kujdeset çdo ditë për mua, është e përkryer. Ndërsa Inva, sipas mundësive. Ajo është larg në Francë. Nuk vjen dot as për ditëlindjen time se nesër ka shfaqje në Avinjon.
Kush iu ka ngjarë më shumë juve?
Ngjajnë nga ngjyra të dyja, ndërsa nga tiparet, Adelina me ngjan më shumë mua, e Inva Avniut. Të dyja kanë nga një djalë dhe i dua shumë. Djalin e Adelinës e kam shijuar më shumë si nip, se e kam pasur këtu, ndërsa të Invës më pak. Të dy janë në Francë e studiojnë.
Si do jetë ditëlindja juaj sot?
Unë nuk di asgjë, vetëm di se më kanë blerë fustan. Të tjerat janë surprizë. (Adelina, e bija na thotë se të gjitha janë surprizë, por dihet se ditëlindja do të festohet, se është festuar çdo vit).
Si ushqim tuajin të preferuar, çfarë iu bëjnë për ditëlindje?
Nga kuzhina shqiptare më pëlqen çomleku, fërgesa e byreku me spinaq. Nga ushqimi rus, ravioli e shumë të tjerë. Pastaj është edhe pireshki petulla të mbushura me mish që kanë shije të jashtëzakonshme kur hahen të ngrohta. Më kanë pyetur shpesh se si i bëj këto, sidomos studentët e mi që vijnë shpesh dhe i kanë shijuar ato. Kemi qenë një shtëpi mikpritëse. Më vijnë studentët çdo ditë e më takojnë, e shumë prej tyre janë në pension sot, ata ende më thërrasin zysh e unë i dua si fëmijët e mi. Unë tani jetoj me vajzën e madhe Adelinën dhe me dhëndrin që janë kujdesur për mua. Jam e lumtur që jetoj me ta. Kemi qenë një vit në Paris por u kthyem se atje nuk ka kush të na shikojë.
Si ka qenë jeta juaj përkrah Avni Mulës?
Unë nuk jam 80 vjeç, jam 800 mbase. Kam vdekur e jam ngjallur në skenë, kam përjetuar dashuritë e Mimit të "La Boheme" e të Violetës së "La Traviatta". Ato ikën... Secila ishte dashuri ndryshe. Është një fat i madh për mua që kam zgjedhur të bëj këtë punë. Për shumë njerëz është kohë e largët dhe punë e vështirë. Duhet të kesh durim e pasion, duhet të lexosh e të mësosh partiturën, të jesh e zhdërvjellët në skenë dhe të dish të këndosh e të interpretosh. Avniu në skenë, për shkak të zërit, ka luajtur më shumë baballarë se sa role të tjera. Kur më hoqën Traviatën dhe ma dhanë prapë, Avniu, sillej rreth e rreth skenës e më jepte këshilla se si të punoja me rolin.
Po në familje si ishte?
Mund ta quaj burrë liberal në kuptimin e mirë të fjalës. Avniu ka qenë i mirë për mua. Unë dilja në drekë nga shtëpia dhe mund të vija në darkë vonë, por ai më thoshte vetëm si e kalove. Nuk më pyeste ku ishe e me kë, apo çfarë bëre? Kam pasur shoqe që merrnin edhe fëmijët me vete, që këta t'i kontrollonin. S'kemi pasur ngatërresa në shtëpi. Nëse i mbaroheshin lekët, unë i thosha ja ku i ke. Kishim një mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Pas 20 vitesh, ai s'ishte më në opera, punonte vetëm si kompozitor. Vinte e ulej tek pianoja dhe rrinte aty deri në 4 të mëngjesit, dhe unë nuk i thosha gjë, e lija të punonte. Domethënë isha edhe unë liberale. Rrallë mund të gjesh burrë të këtillë. Ja, ky është Avni Mula. Pastaj, unë gjithnjë e kam quajtur më të talentuar se vetja. Është e vërtetë, ai ishte për çdo gjë. Nëse dikush do iu thoshte disa kompozitorëve, keni tre minuta për të bërë një këngë, shumica do të rrinin 30 orë, ndërsa Avniu do ta bënte. I ka brenda idetë e notat. Ai i ka ende, po mosha bën të veten.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›