Vendimi Kushtetuesja rrëzon paktin detar me Greqinë
Autori i Lajmit: RedaksiaGjykata Kushtetuese anulon marrëveshjen për caktimin e kufijve detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vendimi është marrë pas ankimimit rreth 3 muaj më parë të kësaj marrëveshje nga Partia Socialiste. Në nëntor të vitit 2009 Gjykata Kushtetuese shqyrtoi për rreth 7 orë lidhur me këtë marrëveshje. Pas një shqyrtimi të gjatë të bërë edhe dje mësohet se rreth orë 19:00 është marrë vendimi për anulimin e kësaj marrëveshje si antikushtetuese. Duket se arsyeja kryesore e anulimit të kësaj marrëveshje të është mungesa e aktit të plotfuqishmërisë nga ana e grupit negociator. Pra negociatorët e kësaj marrëveshje kanë diskutuar për të këtë çështje pa marrë aktin e plotfuqishmërisë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Sot pritet zbardhja e plotë e vendimit.
Vendimi
Kushtetuesja ka rrëzuar Qeverinë duke i dhënë të drejtë Partisë Socialiste e cila e konsideroi si antikushtetuese marrëveshjen për caktimin e kufirit detar me Greqinë. Mendimi i socialistëve është mbështetur dhe nga aleatët e saj të majtë dhe të djathtë por Kushtetuesja ka pranuar vetëm ankesën e socialistëve. Kjo ankesë është diskutuar në muajin dhjetor në një seancë të gjatë të Gjykatës Kushtetuese. Kanë qenë mbi 7 orë diskutime dhe debate mes palës ankuese dhe asaj mbrojtëse të marrëveshjes.
Shqyrtimi
Partia Socialiste kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes dhe rinegocim për të. Në mënyrë të veçantë deputeti Damian Gjiknuri njëri prej tre përfaqësuesve të PS-së në këtë çështje, i kërkoi gjykatës të thërrasë ekspertë të huaj para se të marrë vendimin e saj. Pretendimet e kësaj force politike u paraqitën gjatë seancës së 8 dhjetorit ku u gjykua kërkesa ankimore e PS-së për marrëveshjen në fjalë. Nga ana tjetër, palët e interesuara në këtë çështje, Kuvendi dhe qeveria, gjatë seancës që zgjati mbi shtatë orë kërkuan rrëzimin e kërkesës. Përfaqësuesja e qeverisë Marsida Xhaferllari i cilësoi pretendimet e subjektit kërkues të pabazuara në prova. Ndërsa përfaqësuesi i Kuvendi, Lulzim Lelçaj e cilësoi PS-në si subjekt jolegjitim për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Debatet janë zhvilluar mes Zaganjorit dhe Gervenjit, ku sipas anëtarit të Gjykatës Kushtetuese marrëveshja i jep shelf kontinental Greqisë, pretendim që u hodh poshtë nga Gervenji. Si palë e interesuar Ministria e Jashtme përmes përfaqësueses së saj, gjatë shpjegimeve, bëri me dije se qeveria shqiptare është në negociata për nënshkrimin e një marrëveshje të ngjashme edhe me Malin e Zi. Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, ish-ushtarakë të lartë, diplomatë, juristë e historianë e kanë kundërshtuar me forcë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që sipas tyre shkel hapur sovranitetin territorial të vendit tonë me afërsisht 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010