E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e policisë, PS: “Mospërmendja e Xhindit mungesë përgjegjësie”

Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste reagon pas analizës së bërë nga Policia e Shtetit mbi punën e saj gjatë një viti. Pas kritikave, por edhe lavdërimeve të kryeministrit Sali Berisha për uniformat blu, selia rozë pohon se janë shitur si suksese gjithë dështimet e kësaj strukture. Deputeti socialist Asllan Dogjani pohoi dje se dështimet në radhët e policisë kanë ardhur si pasojë e zëvendësimit të kuadrove të specializuar me militantë. I zgjedhuri i PS-së tha gjithashtu se mospërmendja e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, tregon gjithashtu mungesë përgjegjësie dhe profesionalizmi nga drejtuesit e policisë. “Në raport-analizën e punës së policisë për vitin 2009 nuk u përmendën fare sa është numri i automjeteve të vjedhura, banesave, pikave të karburantit, biznesmenëve, xhepave, çantave, varseve të qytetarëve apo vjedhjet me armë, vjedhjet me armë me pasoja vdekje, vjedhjet me armë, me dhunë që janë shtuar dukshëm nëpër rrugët e Shqipërisë dhe kanë kthyer pasigurinë në vend. Lëvizja e personave në kërkim, lëvizja lirshëm e personave të armatosur pa frikën ndaj ligjit, ka bërë që të shtohen përplasjet e momentit dhe të përfundojnë me viktima. Kjo u pa vetëm dje në një ditë, në ditën e analizës së policisë ku plagoset me armë zjarri shefi i Krimeve në Lushnjë, vrasja në Fushë-Krujë etj”, - tha Dogjani. Sipas tij, goditjet ndaj trafikut të drogës kanë qenë të ulëta në raport me sasinë e drogave që lëvizin në vendin tonë. Por shtoi ai, Shqipëria jo vetëm po vazhdon të përdoret si vend transit për trafikun e drogës në drejtim të vendeve të Evropës Perëndimore, por edhe po e konsumon atë, këtë e tregon dhe rritja e numrit të përdoruesve të drogave, kryesisht nga moshat e reja në vendin tonë. “Në raport na u prezantua se janë goditur 142 grupe kriminale, na paraqitën suksese imagjinare në luftën kundër korrupsionit, ndërsa nga ana tjetër qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë e më shumë me korrupsionin e paaftësinë e strukturave për goditjen e tij”, - tha Dogjani. Ligvënësi socialist shtoi se, ndërsa qeveria paraqet si sukses dështimet e policisë për vitin 2009, kambana e alarmit nga ndërkombëtarët ka kohë që ka filluar, duke kërkuar forcimin e shtetit ligjor, zbatimin e ligjit, bashkëpunimin midis institucioneve dhe luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit, depolitizimin e policisë si kusht kryesor për integrimin e vendit në BE.

Ky lajm është publikuar: 27/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›