Kriza politike, LMN i drejtohet Brukselit
Autori i Lajmit: S. Topi
Partia Socialiste vijon betejën me mazhorancën lidhur me përfaqësimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës por nga ana tjetër deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe kanë marrë një tjetër hap, i janë drejtuar Brukselit për të pasqyruar situatën politike në Shqipëri. Deputetët e Partisë Socialiste Ben Blushi, Andis Harasani dhe Kastriot Islami janë nisur drejt Brukselit, për të bërë sipas tyre një panoramë të situatës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe bojkotit të opozitës. Anëtarët e LMN-së ndahen me PS-në lidhur me bojkotin e Kuvendit. Ata kanë pohuar se do të hyjnë në Kuvend para fillimit të muajit mars, kohë kur mandatet e tyre në mungesë të betimit, rrezikojnë të digjen. Sipas burimeve nga PS, deputetët Blushi, Harasani dhe Islami, kanë planifikuar në Bruksel në tur takimesh në Komisionin dhe Parlamentin Evropian.
Vizita në Bruksel
“Sot, jemi në Bruksel për të dhënë një pamje të situatës politike në vend të krijuar sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit, situatë që është shoqëruar me bojkotin e Partisë Socialiste dhe një situatë që kërkon një zgjidhje sa më të afërt në funksion edhe të ç ështjes së liberalizimit të vizave dhe ç ështjeve që lidhen me procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat”, - ka sqaruar Islami nga Brukseli. Ndër të tjera Islami theksoi se qëllimi i kësaj vizita në Bruksel ka të bëjë edhe me paraqitjen e shqetësimeve të lidhura me qeverisjen aktuale. I pyetur mbi të vërtetën e emrit të tij në delegacionin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Islami tha se pikëpamja ligjore do të sqarohet pas betimit në Kuvend. “Unë kam qenë anëtar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, jam sekretar i PS-së për çështjet ligjore, jam deputet i PS-së dhe për më tepër kam pasur një pozicion shumë të rëndësishëm në Këshillin e Evropës që për herë të parë Shqipëria ka mundur ta ketë, si një raportues për Gjeorgjinë. Gjithçka nga pikë pamja legale do të sqarohet kur ne do të bëjmë betimin në parlamentin shqiptar”, - tha ai. Sa i përket debatit mes Partisë Socialiste dhe Kryetares së Kuvendit, Islami e ka cilësuar normale letrën që zonja Dade i ka adresuar Këshillit të Evropës, ndonëse vlerëson se rruga e zgjidhjes është prezenca në Parlament e opozitës. “Imazhi i vendit dëmtohet sa herë që çështje të brendshme të Shqipërisë nuk zgjidhen në Shqipëri por në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës.
Ky lajm është publikuar: 27/01/2010