Withers: Mediu më bëri propozime të çuditshme
Për herë të parë ambasadori amerikan në Tiranë, Withers, ka shpjeguar pozicionin e tij lidhur me çështjen e fishekëve. Në një prononcim për gazetën amerikane “The Times”, Withers pranon se ka pasur një takim me Mediun në 19 nëntor 2007, por nuk ka aprovuar propozimin e Mediut për të fshehur origjinën kineze të fishekëve. Withers i ka dërguar gjithashtu një letër kongresmenit Waxman, i cili kryeson Dhomën e Mbikëqyrjes në Kongresin Amerikan, duke i kërkuar atij një takim kokë më kokë për të sqaruar çështjen. “Panorama” po boton artikullin e plotë të gazetës amerikane “Los Angeles Times”, ku Withers ka dhënë detaje për pozicionin e tij në lidhje me aferën e fishekëve.
Paul Richter-Tom Hamburger “Los Angeles Times”
UASHINGTON – Një hetim federal i prioritetit të lartë për një mashtrim mbi furnizimin me armë në Afganistan, është detyruar të ndërrojë drejtim për shkak të deklaratave të panelit të Dhomës së Mbikëqyrjes në Kongres, se një diplomat i lartë amerikan tentoi të mbulonte skemën. Akuzat kundër ambasadorit duken se janë të palidhura, megjithatë, edhe prokurorët po përpiqen të vlerësojnë efektet e një çështjeje, që konsiderohet të jetë një nga abuzimet më serioze të prokurimeve ndër vite. Çështja përqendrohet te një tregtar armësh nga Majami, i cili i ka shitur municion ushtrisë afgane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një kontrate prej 298 milionë dollarësh me Pentagonin. Hetuesit kanë gjetur prova se kontraktuesi ka blerë miliona fishekë të vjetër kinezë për pushkë dhe armë automatike të depozituara në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, dhe më pas ato janë ripaketuar dhe dërguar në Afganistan. Tregtari i armëve, i cili tashmë është i akuzuar dhe po përballet me gjyqin në Majami, është i lirë me garanci, pasi është paditur dhe ka dëgjuar akuzën javën e kaluar. Qeveria amerikane i ka pezulluar të gjitha ngarkesat nga ky tregtar dhe ka pezulluar edhe pagesat për firmën e tij. Çështja penale u bë e komplikuar kur kryetari i Dhomës Mbikëqyrëse dhe Komitetit të Reformave Qeveritare, Henry A. Waxman (Demokrat në Beverly Hills), tha se anëtarë të panelit të tij kishin dëgjuar deklarata nga një dëshmitar një muaj më parë, se një diplomat amerikan mund të ketë luajtur një rol themelor në ndihmën për fshehjen e provave të mashtrimit. Waxman, në një letër drejtuar Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, ka cituar informacionin se John L. Withers II, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka aprovuar një plan për të mbuluar origjinën kineze të municionit që do të dërgohej për në Afganistan. Prokurori amerikan që ka marrë në shqyrtim këtë çështje, në përpjekje për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të ngritura nga kongresisti Waxman mbi këto lidhje, ndërmori një hap të pazakontë javën e kaluar, duke thirrur në Gjykatë, Withers dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në Majami, ku një grand juri po mbledh dëshmitë e tyre. Një avokat i të pandehurit kryesor, Efraim Diveroli, presidenti 22-vjeçar i kompanisë tregtare të armëve AEY Inc., tha se deklaratat nga Komiteti mund të sigurojnë baza të reja për të kërkuar lirimin e klientit të tij nga kjo çështje. “Nuk duket aspak të ketë qenë një krim kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara e ka aprovuar atë”, tha Howard Srebnick, avokati i Diverolit.
Pyetje të rëndësishme për deklaratat e Waxman janë ngritur javën e kaluar, ndërsa Withers foli për herë të parë në një intervistë me “The Times”, duke mohuar çdo përfshirje të ambasadës në një mbulim provash dhe duke insistuar se zyrtarët atje kanë punuar me shumë përkushtim me hetuesit për të siguruar prova për hetimin në fjalë. Versioni i Withers është mbështetur nga të paktën katër zyrtarë të tjerë të Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, një hetues i kriminalistikës që punon mbi këtë çështje i ka atribuuar stafit të ambasadës se kanë siguruar një “mbështetje të padiskutueshme” për hetimin kriminal, sipas një e-maili të 28 nëntorit 2007, nga Departamenti i Mbrojtjes, i cili është shqyrtuar nga “The Times”. “Më tepër se sa të mbulonin, siç thuhet, ne kemi qenë mjaft ndihmues në këtë hetim dhe mjaft krenarë për të”, tha Withers, veteran në shërbimet me jashtë prej 24 vitesh. Withers ka marrë lejen nga zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit për të folur publikisht, duke siguruar se çdo veprim ai e ka bërë si individ dhe jo si përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit apo qeverisë amerikane. Zhvillimet kanë theksuar tensionet ndërmjet zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe Komitetit të Waxman, një panel agresiv që shpesh vë në telashe dhe në pozitë të vështirë administratën e Bushit. Withers dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se paneli ka nxitur shumë zemërim në këtë çështje, duke publikuar deklarata të gabuara. Vendimi i Withers për të folur mbi këtë çështje është si një nxitje zjarri e mëtejshme për tensionet dhe përfaqëson një shembull të rrallë, në të cilin një diplomat në karrierë sfidon personalisht dhe publikisht një ligjvënës të rangut të lartë. Të shtunën ai i shkroi Waxman për të kërkuar një takim “për të përgënjeshtruar fjalët e këqija dhe të pabaza që kanë hedhur baltë mbi reputacionin e tij dhe të një skeleti të pazakontë dhe të dedikuar të zyrtarëve publikë”. Ai tha se përfundimet e Waxman ishin “të gabuara në tërësinë e tyre”.
Diveroli ka qenë furnizuesi më i madh me armë dhe municione për ushtrinë afgane, dhe hetimi që ka nisur që vitin e kaluar e ka çuar ushtrinë amerikane që të rivlerësojë se si i ka siguruar armët për forcat afgane dhe ato irakiane. Hetuesit mendojnë se AEY i blinte fishekët kinezë, i ripaketonte ato nga një nënkontraktues shqiptar dhe më pas i dërgonte në Afganistan. Municioni ishte pjesë e një mali me municion të vjetër dhe të shkatërruar të depozituar në Shqipëri.
Ngjarja që tërhoqi vëmendjen e Waxman për Withers ndodhi në 19 nëntor, kur, siç thonë zyrtarët amerikanë, hetimi i Pentagonit ishte në të përfunduar. Rrëfime ndryshe se çfarë ndodhi atë natë, janë burimi i diskutimit të rolit të Withers. Withers tha se kishte marrë mesazhe se Fatmir Mediu, në panik, atëherë ministri shqiptar i Mbrojtjes, kishte nevojë ta takonte atë. Me frikën se ministri i Mbrojtjes kishte lajme mbi terrorizmin apo probleme të tilla të rënda, Withers ra dakord ta takonte atë së bashku me zyrtarë të tjerë të ambasadës. Takimi zgjati nga ora 11 e mbrëmjes deri në mesnatë. Mediu u tha zyrtarëve amerikanë se ishte i merakosur, pasi kishte marrë një telefonatë nga një reporter i “New York Times”, i cili e kishte pyetur për probleme të kaluara ligjore dhe për korrupsion të mundshëm dhe i kishte kërkuar që të vizitonte aeroportin ditën tjetër, për të parë depozitimin e municioneve nën kontrollin e ministrisë, tha Withers. Aeroporti gjithashtu ishte edhe vendi ku AEY kryente operacionet e ripaketimit, të cilat kanë qenë pjesë e hetimit të SHBA, por që në atë kohë ishte përfunduar. Mediu iu lut Withers ta ndihmonte për të parandaluar një histori me potencial të lartë dëmtues. Withers tha se Mediu, në një gjendje emocionale, kishte sugjerime të “çuditshme”, si bllokimi i hyrjes së reporterit dhe ripaketimi i municioneve për të fshehur origjinën e tyre kineze. Withers tha se ai dhe zyrtarët e tjerë të ambasadës që ishin të pranishëm nuk dhanë asnjë shenjë mbi idetë e tij, duke sugjeruar vetëm që Mediu të përgatitej për një kundërshtim të këtij artikulli sapo ai të publikohej. Mediu dha dorëheqjen në mars pas një shpërthimi që ndodhi në depon e municionit, i cili vrau 26 persona. Qeveria shqiptare i ka hequr atij imunitetin për ta lënë të hapur për Prokurorinë përpara një hetimi. Ai është akuzuar për korrupsion, por e mohon atë.
Një i punësuar i ambasadës, i cili ishte i pranishëm në takim, i tregon gjërat ndryshe, duke tërhequr vëmendjen e Waxman. Majori i Ushtrisë, Larry Harrison, një ndihmës i Departamentit të Mbrojtjes në ambasadë, tha në një memorandum të brendshëm të siguruar nga Komiteti, se ai besonte që ambasadori e kishte aprovuar vendimin e Mediut atë natë për të urdhëruar heqjen e të gjitha shenjave kineze nga municionet. Harrison ka akuzuar gjithashtu në këtë memorandum se zyrtarë të ambasadës i kanë injoruar sugjerimet e tij për ta dorëzuar këtë informacion në Komitetin e Waxman. Mbi bazat e memorandumit të Harrison dhe komentet e tij për komitetin, Waxman i shkroi një letër “të mprehtë” sekretares Rajs më 23 qershor, duke cituar prova se Withers “e kishte aprovuar heqjen e provave” që municioni shqiptar në fakt ishte kinez. Letra e Waxman, publikuar në adresën e internetit të Komitetit të njëjtën ditë, duket se ka implikuar Withers dhe të tjerë në ambasadë në skemën e AEY dhe është komentuar mjaft gjerësisht gjatë ditës së nesërme. Letra e Waxman kritikon gjithashtu diplomatët për atë që ai e konsideroi një përgjigj të papërshtatshme për pyetjet e komitetit, duke thënë se ai i ka devijuar përgjigjet në shumë raste. Withers tha se atij i ishin errur sytë nga akuzat publike të Waxman, të cilat ai i konsideronte qesharake bazuar në bashkëpunimin e ambasadës me hetuesit kriminalë për këtë çështje. Dyshimi i Waxman u nxit më tepër nga mos-raportimi i ambasadës për takimin e 19 nëntorit, pasi Komiteti i kishte pyetur për kontakte me zyrtarët shqiptarë “në lidhje me kontratën dhe aktivitetin e AEY”. Por Withers dhe të tjerët nuk e panë të arsyeshme të raportonin takimin e tyre, për shkak se emri i tregtarit të armëve nuk u përmend në këtë takim. Në atë kohë, puna e AEY në Shqipëri ishte ndërprerë dhe një anëtar i stafit të ambasadës punonte për t’u siguruar se ministri i Mbrojtjes nuk do të rrezikonte çështjen kriminale. Për më tepër takimi ishte i fokusuar mbi shqetësimin e ministrit të Mbrojtjes mbi një reporter gazete, dhe jo mbi hetuesit qeveritarë, tha Withers. Stafi i Waxman kishte deklaruar se ata ishin të interesuar për të gjetur se si ambasada reagoi mbi kërkesën e gazetës për Mediun; artikulli i parë i gazetës për AEY u publikua disa muaj më vonë dhe detajonte armatimet e depozituara kineze në Shqipëri.
Withers dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thanë se Harrison kishte mohuar me kohë në biseda private se ai kishte ndërmend të akuzonte Withers për shkelje ligji, dhe ai deklaroi se fjalët e tij ishin keqkuptuar nga Komiteti. Harrison dhe avokati i tij kanë refuzuar të komentojnë. Waxman, në një deklaratë për “Los Angeles Times”, e mbrojti punën e panelit të tij, duke deklaruar se ajo kishte qenë “metodike dhe e kujdesshme”. Ai tha se ishte i zhgënjyer që Withers nuk kishte rënë ende dakord për të folur me stafin e Komitetit. Departamenti amerikan i Shtetit të enjten i dha leje Withers dhe anëtarëve të tjerë të stafit të ambasadës për të folur vullnetarisht me anëtarët e stafit të Komitetit. “Do të ishte një zhvillim i dukshëm nëse zyrtarët e ambasadës do të detyroheshin të dëshmonin përpara një grand jurie kriminale”, tha Waxman.
Gjatë 34 viteve në Dhomë, Waxman ka ngritur një reputacion si një hetues këmbëngulës. Kur demokratët morën kontrollin e Dhomës përfaqësuese vitin e kaluar, Waxman, si një kryetar i ri Komiteti, caktoi hetues për një linjë subjektesh si ujërat e zeza, kontraktimi i diskutueshëm i sigurisë private dhe roli i administratës Bush në demaskimin e identitetit të ish-agjentes së CIA-s, Valerie Plame. Prokurorët e zyrës së avokatisë amerikane në Majami kanë refuzuar të komentojnë mbi efektin e deklaratës së Komitetit mbi këtë çështje. Por ish-prokurorët dhe avokatët e përfshirë në këtë çështje thanë se deklaratat kanë ngritur një sërë çështjesh delikate, duke imponuar prokurorët të merrnin dëshmi shtesë, pasi paditë ishin kthyer.
Srebnick, avokati i Diverolit, ka mohuar që klienti i tij të ketë thyer ndonjë ligj, duke komentuar se statusi nën të cilin ai ishte akuzuar nuk i përfshinte municionet e prodhuara në Kinë përpara embargos së vitit 1989. Ai tha se letra e Waxman kishte hapur baza të reja për të kundërshtuar padinë penale. Srebnick tha se ishte i shqetësuar se dëshmia e grand jurisë ishte marrë nga njerëz që ai dëshironte t’i kishte si dëshmitarë të mbrojtjes, duke thënë se mund të ishte “një përdorim i pavend i grand jurisë”.
Withers është zemëruar se letra e Waxman mund të ndihmonte mbrojtjen dhe e konsideronte atë një fyerje për reputacionin e tij dhe atë të stafit të ambasadës. Withers, i biri i ish-drejtorit të agjencisë amerikane për zhvillime ndërkombëtare, ka shërbyer në një sërë postesh jashtë SHBA-së dhe ka qenë drejtor i Qendrës së Operacioneve të Departamentit të Shtetit nga viti 2003 në 2005. “Unë nuk e di se në çfarë Komiteti Dhome mund të shkoj për të përmirësuar reputacionin tim”, tha Withers.
letra e withers per waxman
9510 Tiranë
Dulles VA 20189
11 korrik 2008-07-14
Kongresistit Henry A. Waxman
Përfaqësues i Dhomës së Shteteve të Bashkuara
Ndërtesa Zyrtare e Dhomës, 2157 Rayburn
Uashington D.C. 20515-6143
I nderuar Z. Kongresmen!
Në letrën tuaj të 23 qershorit për sekretaren Rajs, ju keni bërë deklarata për shkelje serioze kundër meje dhe anëtarëve të stafit tim për sa i përket një hetimi kriminal kundër kompanisë AEY. Unë ju siguroj se ato deklarata janë të gabuara në tërësinë e tyre. Megjithatë ajo letër iu shpërnda shtypit përpara se të mbërrinte edhe te sekretarja vetë, palët e tjera të përfshira ose unë. Për këtë arsye asnjëri prej nesh nuk ka pasur mundësinë të përgjigjet përpara se deklaratat pa baza të dërgoheshin në “New York Times” dhe media të tjera të mëdha.
Si një çështje e thjeshtë drejtësie, unë ju kërkoj mirësjelljen e një takimi ballë për ballë për t’u paraqitur historinë e vërtetë të aktivitetit të stafit të ambasadës për sa i përket AEY dhe për të refuzuar fjalët e këqija të pabaza që kanë hedhur baltë mbi reputacionin tim dhe të një skeleti të pazakontë dhe të dedikuar të zyrtarëve publikë që shërbejnë në ambasadën e Tiranës.
Aktualisht unë jam në pritje dhe në çështje besimi jua kam dërguar këtë letër nëpërmjet avokatit tim, Z. Michael J Hannon. Ju lutem m’u përgjigjni nëpërmjet tij në (202)232-1907.
Ju falënderoj paraprakisht për marrjen e sjellshme në konsideratë të kërkesës sime
Me respekt juaji
John L Withers II
Ambasador i SHBA në Shqipëri
“Fishekët”, prokurorët federalë thërrasin Withers në Gjykatë
Prokurorët federalë në Majami kanë ndërmarrë një hap të pazakontë javën e kaluar, duke thirrur në Gjykatë ambasadorin amerikan në Shqipëri, Withers, për të dëshmuar përpara një grand jurie që po mbledh prova mbi kompaninë e tregtisë së armëve AEY dhe presidentin e saj, Efraim Diveroli, 22-vjeçar.
“Los Angeles Times” ka bërë një intervistë me ambasadorin John Withers II dhe ka shkruar një histori interesante në mëngjes, duke i dhënë Withers mundësinë për të mohuar akuzat e çdo mbulimi nga Departamenti i Shtetit në çështjen e Efraim Diverolit.
Historia nuk e bën të qartë se çfarë kërkon të dëgjojë në këtë dëshmi grand juria në Majami, që kur Diveroli dhe tre të tjerë tashmë janë akuzuar më 20 qershor.
Dhe ndërsa Withers tregon për “The Times” se sa bashkëpunues ka qenë ai me hetimet, një burim në Capitol Hill thotë për agjencinë “TPMmuckraker” se Departamenti i Shtetit nuk i ka shpërndarë ende dokumentet që Komiteti i Mbikëqyrjes ka kërkuar nga 30 qershori apo nuk i ka bërë të mundur zyrtarëve të intervistohen nga afati i vendosur nga Komiteti, 11 korriku.
Kanë kaluar disa javë që kur kongresisti Henry Waxman (D-CA) dhe Komiteti i Mbikëqyrjes kanë zbuluar një sërë dokumentesh që sugjerojnë se Withers dhe të tjerë e dinin mbi fshehjen dhe kanë ndihmuar në mbulimin e origjinës kineze të dërgesave të AEY për në Afganistan, megjithëse shkelnin ligjin amerikan.