E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fenomeni” Ronaldo, baba për Krishtlindje



Një dhuratë më të bukur Ronaldo nuk mund të kërkonte për të mbyllur vitin 2008, një vit jo pak i trishtuar për të. Sulmuesi brazilian është bërë baba për herë të dytë, pak orë nga festimi i Krishtlindjeve kur shoqja e tij, Maria Beatriz “Bia” Antoni, solli në jetë në Rio de Zhaneiro Maria Sofinë, e cila lindi thuajse 3 kg. “Fenomeni” pati edhe një detyrë speciale, duke u ngarkuar edhe të presë kordonin e lindjes. Përveç Maria Sofisë, Ronaldo, i cili vitin e ardhshëm do të luajë në skuadrën braziliane të Korinthiansit, është dhe babai i Ronaldit, tashmë tetë vjeç, fryt i martesës së tij me modelen dhe futbollisten Milene Domingues.

Golf, Uds rrezikon numrin 1

Kampioni i madh Tajgër Uds mund të humbasë vendin e parë në renditjen e golfit, duke nisur nga fillimi i vitit 2009. Lajmin e konfirmoi një drejtues i Federatës Botërore të Golfit. Uds nuk merr pjesë në aktivitet që nga muaji korrik për shkak të një operacioni në shpatull, por do të rihyjë në muajin mars. Kërcënimet ndaj vendit të parë vijnë nga spanjolli Serxho Garsia, Fil Mikelson dhe irlandezi Pedraig Harrington.

Not, Felps i rikthehet pishinës

Notari amerikan Majkëll Felps do të rikthehet në pishinë më 1 shkurt, pas pushimit të zgjatur që nga Lojërat Olimpike të Pekinit. Lajmi jepet nga gazeta amerikane “Usa Today”. Objektivi i Felpsit do të jetë përzgjedhja në përfaqësuesen amerikane për Botërorin e Romës, në fund të muajit korrik 2009. Garat kualifikuese do të zhvillohen në Indianapolis në 7-11 korrik. Në këto muaj pushimi, kampioni olimpik i është dedikuar aktiviteteve promocionale për sponsorat e tij.

Velija “bombardohet” nga ofertat greke

Futbollisti titullar i Besës nga Kavaja, Bilal Velija, i cili luan në pozicionin e mbrojtësit dhe të mesfushorit të djathtë, ka marrë disa oferta nga disa skuadra të kategorisë së dytë të futbollit grek dhe një ofertë tjetër nga një klub i ligës së parë. Ekipet e interesuara e duan atë që në merkaton e janarit, por lojtari shqiptar nga Maqedonia nuk ka ndërmend t’i braktisë “verdhezinjtë”, pasi dëshiron të respektojë kontratën me klubin (deri në qershor të 2009-s). Në një bisedë për “Lajm”, ai thotë se për ofertat që kanë mbërritur në adresë të tij ka njoftuar presidentin e klubit, Nexhat Bizhdili, mirëpo pa lejen e tij nuk mendon të largohet për shkak se ky i fundit ka qenë tejet korrekt jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj bashkëlojtarëve të tjerë. “E kam pasur një takim me presidentin dhe e kam njoftuar për të gjitha ofertat nga skuadra greke të ligës së dytë dhe të ligës së parë, por edhe për oferta të tjera. Mirëpo, ai më është përgjigjur se unë i duhem ekipit dhe trajnerit të Besës, prandaj nuk mendoj të largohem deri në fund të kontratës. Dua ta respektoj atë, sepse edhe nga presidenti jemi të respektuar. Kontrata më përfundon në qershor të vitit 2009 dhe mendoj t’i qëndroj besnik ekipit deri në fund, pastaj të shohim”, - ka bërë të ditur Velija, i cili nuk ka luajtur për Besën që nga java e gjashtë e kampionatit, pas ndeshjes me Elbasanin. Në fakt, gjatë një seance stërvitore, ai kishte pësuar tërheqje muskulore në këmbën e djathtë që thjesht e kishte larguar nga skuadra. Velija tani ndihet mirë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për sezonin pranveror. Ai te Besa ka ardhur në fillim të edicionit nga skuadra nënkampione e Azerbajxhanit, Olimpik Baku, ndërsa më herët ka qenë pjesë e ekipit finlandez, FC PoPa. Në Maqedoni ka luajtur për Shkëndijën e Tetovës.

Java 17, ndeshjet dhe gjyqtarët

Lushnja-Shkumbini, ndeshja hapëse e javës së 17-të e Kategorisë Superiore, do të drejtohet nga Emirion Sino. Takimi do të luhet në fushën asnjanjëse “Tofik Jashari” të Shijakut. Kryesfida e kësaj jave, që mbyll edhe vitin futbollistik 2008, ajo Vllaznia-Dinamo (të shtunën, ora 15:00), do të drejtohet nga Lorenc Jemini (i caktuar me miratimin e të dy klubeve). Tirana-Bylis i është besuar ndërkombëtarit Albano Janku. Partizani-Flamurtari do të jetë nën bilbilin e Remzi Sadikut. Dy takimet e tjera, Elbasani-Besa dhe Apolonia-Teuta, do të gjykohen respektivisht nga Remzi Sadiku dhe Labjon Mustafaraj.

Renditja pas javës XVI
PIKË GSH GP
1 Vllaznia 34 25 13
2 Tirana 27 19 12
3 Dinamo 26 19 11
4 Besa 25 17 11
5 Teuta 24 12 9
6 Flamurtari 23 13 10
7 Shkumbini 23 18 16
8 Elbasani 20 14 14
9 Bylis 17 12 19
10 Apolonia 15 16 15
11 Lushnja 12 11 22
12 Partizani 10 10 20

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›