E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Kauzat e mbrojtura nga LSI-ja u mbështetën fuqishëm nga qytetarët dhe shoqëria civile”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Minibashkinë Nr. 8 të Tiranës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta është shprehur entuziast për suksesin që LSI-ja do të ketë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009. Këtë entuziazëm, Meta e bazoi te mbështetja e madhe që kauzat e LSI-së po gjejnë te qytetarët dhe te shoqëria civile. Meta vlerësoi punën e bërë nga strukturat e LSI-së në këtë njësi bashkiake dhe u shpreh i bindur për fitoren historike që do të ketë LSI-ja në këtë njësi duke dalë forca e parë politike jo vetëm në këtë njësi, por në të gjithë Tiranën. Ai theksoi se LSI-ja është e vetmja parti që sjell ndryshimin e vendit. “Ne jemi një forcë politike tepër serioze jo vetëm për gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me demokracinë dhe me shtetin, por edhe me gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me probleme ekonomike dhe sociale. Ne jemi e vetmja forcë politike që ka paraqitur një projektligj për nxitjen e investimeve në sektorin elektroenergjetik që në nëntor të vitit 2005, pra që në fillim të këtij parlamenti, e cila, nëse do të ishte marrë parasysh ekzaktësisht ashtu si e paraqitëm ne nga kjo qeveri, do të kishim ndërtimin e mjaft veprave energjetike në vend”, - tha Meta, duke shtuar se LSI-ja si forcë politike, edhe pse bazë të saj elektorale përgjithësisht ka gjeneratën e re, ka treguar vëmendjen e duhur ndaj moshës së tretë dhe është e vetmja forcë politike që ka paraqitur para 7-8 muajsh një projektligj për këtë kategori shoqërore. “Berisha mos të bëjë sikur jep disa fonde për të moshuarit në prag të festave të fundvitit, por në rast se ai do të kishte vërtet vullnetin politik për të mbështetur moshën e tretë, nuk e mbante prej kaq muajsh këtë projektligj, i cili është bërë në bashkëpunim me Sindikatën e Pensionistëve dhe duke u bazuar në modele të vendeve europiane, pasi kjo moshë është një gjeneratë që po vuan shumë, që ka sakrifikuar shumë dhe që në këto vite duhet që ne të tregojmë një mirënjohje dhe një kujdes jo vetëm me fjalë, por edhe përmes ligjeve dhe shërbimeve që duhen ofruar", - shtoi Meta.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›