Lamtumirë Harold Pinter!
Është ndarë nga jeta pardje, në moshën 78-vjeçare, dramaturgu dhe shkrimtari i njohur britanik, Harold Pinter, pasi prej 2001-shit vuante nga një sëmundje e rëndë. “Kam shkruar 29 pjesë në 50 vite. Nuk mjafton? Sigurisht që mua më del boll”. Harlod Pinter e kishte shumë për zemër që ta përsëriste këtë shprehje gjatë viteve të fundit, kur sëmundja iu qep keq, por edhe kur mori dhe sadisfaksionin e çmimit “Nobel”. Ai mbahet mend së fundi për reagimet dhe për “sulmet” që i ka bërë presidentit Bush dhe ish-kryeministrit Toni Bleir për politikat dhe fushatat e tyre ushtarake. Shkrimtari i zhdukur në Londër në moshën 78-vjeçare e kishte dorëzuar punën e tij duke ia shitur para një viti të gjithë arkivin, për 1.65 milionë euro, bibliotekës “British Library”. Ishin 150 kuti me letra, dorëshkrime dhe fotografi. Mes “xhevahireve” të këtij arkivi janë shkrimet që i referoheshin miqësisë së Pinterit me Samuel Beketin, me të cilin shkrimtarin, veç teatrit, e lidhnin sportet e kriketit dhe rugbi-së. Angazhimet e Pinterit e afruan edhe me Artur Millerin, me të cilin ishte protagonist në Turqi, ku denoncuan presionin politik të shtetit, gjë që u kushtoi të dyve dëbimin. Kështu lindi komedia “Mountain language” (Gjuha e malit). Arti i Pinterit është të shkruarit përtej asaj që duket, duke ndërtuar personazhe dhe çështje ekzemplare, megjithatë, që të duken tepër të gjallë, realë, të besueshëm.
Pinteri lindi në Hakni (Hackney) më 10 tetor 1930. Karriera e tij teatrore filloi duke frekuentuar shkolla të mëdha te aktrimit, e më pas duke shëtitur nëpër Irlandë me një shoqëri teatrore shekspiriane, ku Pinter mbante pseudonimin David Barron. Ndërsa si dramaturg, Pinter nisi të punonte rastësisht më 1957-n, koha kur shkroi brenda katër ditësh, për një mikun e tij, një akt të titulluar “Dhoma”. Gjithashtu, Pinter ka shkruar tekste radiofonike, poezi të shumta dhe skenografi për filma, duke e lidhur kështu emrin e tij me suksesin e filmave si “Gruaja e togerit francez de Riz”, për të cilin u kandidua në çmimet “Oskar” dhe “Golden globe”.
P. GROSI
26 Dhjetor 2008