E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferdinand Xhaferaj: Ne do zgjidhim problemet që na la trashëgim Vangjush Dako

02-05-2011 / Gazeta 55

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, prezanton projektin për mbylljen dhe gjelbërimin e zonës ku sot hidhen mbetjet urbane të Durrësit


Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, the se “brenda këtij viti do të nisë zbatimi i një projekti të madh për mbylljen dhe gjelbërimin e zonës ku aktualisht hidhen mbetjet urbane të Durrësit”. “Nuk mund të bashkëjetojë Durrësi turistik me këtë panoramë që ofron ky vend ku mbetjet hidhen e digjen si në mesjetë, - tha Xhaferaj. - Ne do ta zgjidhim këtë problem që na la trashëgim Dako”. Kandidati demokrat Xhaferaj ishte pikërisht në Porto Romano, buzë hapësirës prej afro 15 hektarë, ku hidhen mbetjet urbane të Durrësit, pa asnjë lloj përpunimi ose kontrolli paraprak. Sot, Durrësi prodhon afro 98 mijë ton mbetje urbane në vit, të cilat krijojnë probleme të ndryshme pasi mblidhen dhe hidhen pa asnjë lloj trajtimi. Njëkohësisht, duke qenë një vendgrumbullim i hapur, mbetjet urbane shpesh digjen, duke shkaktuar kështu ndotje të mjedisit dhe duke rrezikuar jetën e banorëve të Porto Romanos. Pamja që ofron zona atje, së bashku me rrezikun përkundrejt shëndetit të njerëzve dhe mjedisit, nuk është aspak e përshtatshme për një qytet i cili e konsideron turizmin si një ndër asetet e veta më të rëndësishme. Nisur nga të gjitha këto imperativa, kandidati demokrat Xhaferaj e konsideroi prioritare zbatimin e një projekti për ta mbyllur vendin ku hidhen mbetjet urbane në Porto Romano, për ta izoluar atë, dhe për ta gjelbëruar. “Ky është një projekt prioritar për ne, - tha Xhaferaj. - Puna do të nisë që në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Ne do ta zgjidhim këtë problem që na la trashim Dako”.


Projekti


Kandidati demokrat shpjegoi në detaje projektin që do të zbatohej. “Ky projekt, i cili do të mbyllë këtë vend të hedhjes së mbetjeve urbane, kërkon një fond prej afro 4 milionë euro”- u shpreh Xhaferaj. Kjo pjesë e projektit parashikon mbulimin e sipërfaqes prej afro 15 hektarë, që do ta izolojë plotësisht atë. Pas izolimit, territori i përfituar do të mbillet me pemë, duke krijuar një kurorë të gjelbër në periferi të qytetit. Pjesa tjetër e projektit, e cila do të kushtojë 7 milionë euro, parashikon ndërtimin e një landfill-i sanitar në Manzë, i cili do të shërbejë për mbledhjen e mbeturinave urbane për gjithë rajonin e Durrësit. Pjesën më të madhe të fondit për këtë projekt do ta ofrojë Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare në varësi të saj. Kandidati demokrat th se “krahas zbatimit të këtij projekti të madh, edhe mënyra e pastrimit të qytetit do të ndryshojë plotësisht”. “Qyteti ka dy ndërmarrje pastrimi, një në Durrës e një në Plazh, që së bashku kanë 480 punëtorë, - tha Xhaferaj, - por Vangjush Dako kurrë nuk i ka takuar e kurrë nuk dëgjoi mendimin e tyre se si qyteti mund të pastrohej më mirë”. Sipas Xhaferajt, këto dy ndërmarrje do të fuqizohen dhe punëtorët do të shpërblehen më mirë që “Durrësi të pastrohet sipas standardeve më të mira evropiane”. Në të njëjtën kohë, kandidati demokrat Xhaferaj tha se ishte e nevojshme që të ndryshonte edhe mënyra se si njerëzit hedhin mbeturinat. Në këtë pikë, ishte e nevojshme që njerëzit të bënin paraprakisht një ndarje të mbetjeve, që një pjesë e tyre të mund të ricikloheshin. Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferaj, i cili në garën e 8 majit gjendet përballë Vangjush Dakos, ka vijuar kështu prezantimin e projekteve më të mëdha të platformës së tij elektorale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›