Ferguson: Asnjë pishman që shita Bekham te Reali
ANGLI- Trajneri i Mançester Junajtid Aleks Ferguson ka deklaruar se nuk është penduar aspak që shiti Devid Bekham te Reali i Madridit në verën e vitit 2003. Largimi i mesfushorit në atë kohë solli një protestë të tifozëve, që nuk mund ta pranonin ta shihnin idhullin e tyre me një fanelë tjetër. Por Ferguson mori Kristiano Ronaldon nga Sportingu dhe portugezi u bë më pas futbollisti më i mirë i botës, duke udhëhequr “Djajtë e Kuq” drejt sukseseve si 3 tituj në Angli dhe Liga e Kampioneve në vitin 2008. “Nuk kam asnjë pishman që largova Bekham, një operacion nga i cili në morëm 25 milionë stërlina, - deklaroi Sër Aleks sot, kur duhen edhe dy javë nga përballja Milan-Mançester Junajtid. – I vetmi ndryshim nga kthimi i Bekham në “Old Traford” me atë të lojtarëve të tjerë është se sytë e të gjitha mediave do të jenë të fokusuara tek ai dhe te Milani. Ai ka një profil të jashtëzakonshëm edhe jashtë fushës së blertë, jo vetëm anën futbollistike. Megjithatë, detyra jonë është të merremi me anën sportive dhe jo me këtë gjë, kështu që le t’i lëmë mediat që në atë ndeshje të merren me Devid”, tha trajneri skocez.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)