Kosova "OK" qëndrimit të NATO për strategjinë e veriut
PRISHTINE- Strategjisë së Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e pushtetit edhe në veri të Kosovës i ka dhënë mbështetje edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Anders Fogh Rasmussen. Qeveria e Kosovës me këtë rast ndihet më e lehtësuar dhe vlerëson se institucioneve vendore në përpjekje për të shtrirë pushtetin edhe në veri të Kosovës, po i vijnë sinjale të qarta mbështetëse edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare.Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se qëndrimi i NATO-së më shumë ka të bëjë me një mbështetje politike dhe të sigurisë, por edhe qëndrim për të gjithë ata që duan ta pengojnë zbatimin e kësaj strategjie. “Mbështetja e NATO-s duhet të kuptohet në radhë të parë si mbështetje në aspektin politik do të thotë mbështetje për qëndrueshmërinë politike dhe shtetit të saj, po edhe vullnetit të tyre që të ketë një qëndrueshmëri në kuptimin e planit të sigurisë. Por gjithsesi kjo mbështetje ka rolin dhe rëndësinë e veçantë për qytetarët e Kosovës për institucionet tona ,por edhe për ato jashtë Kosovës që mendojnë të bëjnë ndonjë telash me rastin e implementimit të kësaj strategjie”, tha Kuçi. Rasmussen, ka sinjalizuar gjithashtu edhe mundësinë e reduktimeve të mëtejshme trupave të KFOR-it, varësisht nga zhvillimet në planin e sigurisë. Numri dy i qeverisë së Kosovës Kuçi tha se pa marrë parasysh zhvillimet e mëtejme te NATO-s është mirë që kjo strategji mbështet nga ndërkombëtarët, pasi sipas tij, ky plan nuk ka të bëjë asgjë me dhunën. “NATO-ja ka qenë dhe mbetet faktor i paqes dhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe strategjia e paraparë edhe pse nuk e ka logjikën e përdorimit të dhunës ka një rëndësi të veçantë, kur merr mbështetjen ndërkombëtare nga akterët kryesor për paqen dhe sigurinë në Kosovë, por edhe në rajon”, tha Kuçi. Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës janë duke përgatitur një plan strategjik në mënyrë që edhe veriu i Kosovës i udhëhequr nga strukturat paralele serbe të futet nën ombrellën institucionale të Kosovës. Strategjia për veriun ende nuk dihet se kur do të filloi të implementohet.(m.a/rtk/BalkanWeb)