E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson Kujdes nga euforia

Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson ka paralajmëruar skuadrën e tij që ti ruhet euforisë, përpara takimit në 1/16-at e europa League me Ajaksin. “Djajtë e Kuq” fituan 2-0 në takimin e parë, me golat e Jang dhe Hernandez, por drejtuesi i stolit kërkon që skuadra të mos hyjë në fushë me besimin se është e kualifikuar.
Trajneri skocez kujtoi takimin e shtatorit në Champions League, ku Mançester Junajtid barazoi 3-3 me Bazelin, pasi e kishte mbyllur pjesën e parë të lojës në avantazh 2-0.
“Nuk duhet ta harrojmë mësimin që morrëm në Bazel, ku kryesonim 2-0, por më pas takimi përfundoi në barazim 3-3. Nuk besoj se do të jemi të pakujdesshëm edhe kundër Ajaksit dhe synojmë të realizojmë objektivat që kemi. Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë, padyshim që na avantazhon, pasi tashmë luajmë në ‘Old Traford’. Megjithatë, duhet të shfaqim të njëjtin entuziazëm dhe motivim për të fituar. Mendoj se kjo është gjëja kryesore”.
Uejn Runi do të mungojë për shkak të një infeksioni në fyt. Sintomat e këtij problemi iu shfaqën sulmuesit prej takimit të luajtur në Amsterdam. Ferguson vendosi që ta linte pushim lojtarin, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e kampionatit me Noruiç.
Trajneri konfirmoi se kundër Ajaksit do të hedhë në fushë ata futbollistë që kanë pasur pak hapësira, mes të cilëve edhe Tom Kliverli.
“Kemi shumë lojtarë që duhet të luajnë, pasi nuk janë aktivizuar aq shumë si Nani, Jang, Hernandez, Kliverli, Xhons apo Smelling”
Skuadra që kualifikohet nga çifti Mançester Junajtid-Ajaks, do të luajë në 1/8-at e europa League kundër fitueses së çiftit Lokomotivë e Moskës-Atletiko e Bilbaos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›