E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli shqiptar rikthehet ne fushe

Pas dhjetë ditëve pushim të detyruar për shkak të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, futbolli shqiptar është rikthyer në fushë. Tetë skuadra kanë luajtur në ndeshjet e treta në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Supersfida ishte padyshim ajo e luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut. Takimi përfundoi në barazim 0-0, me vendasit që nuk arritën të shfrytëzonin superioritetin numerik pas kartonit të kuq të Bratiç në të 56-ën. Por, më tepër sesa për atë që ndodhi në fushë, ndeshja u përfol për polemikat në fund. Gjatë momentit kur trajneri i Skënderbeut, Levi dhe ndihmësit të tij, Hysi po jepnin intervistën pas ndeshjes, dy tifozë hodhën topa dëbore. Hysi është revoltuar aty për aty duke i sharë tifozët, ndërsa njëri prej tyre kaloi rrethimin dhe hyri në fushë, por u bllokua nga forcat e rendit. Për të zgjidhur situatën ndërhynë drejtuesit e të dyja klubeve, ndërsa Hysi mori një vërejtje publike për faktin se u përfshi në debat me tifozët. Në barazim 0-0 u mbyll edhe takimi tjetër I grupit B ndërmjet Laçit dhe Flamurtarit. Me këto rezultate, Skënderbeu kryeson me 7 pikë, Vllaznia e ndjek me 4, ndërsa kurbinasit dhe vlonjatët kanë nga një pikë. Në ndeshjet e grupit A, Tirana fiton 2-1 me përmbysje me Kamzën. Vendasit udhëhoqën me rrjetën e Manukës për 86 minuta, porn ë fillim Gilman Lika dhe më pas Morina i dhanë fitoren bardhebluve. Kastrioti triumfoi 4-2 përballë Bylisit, me një poker që e ngjit në vendin e dytë në grup. Turdiu dy herë, Xhihani dhe Agolli ishin autorët e golave për krutanët, ndërsa në anën tjetër, rrjetat e Huan dhe Abazajt nuk i shërbyen mallakastriotëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›