Ferguson: Real dëshiron Ronaldon? E kam gati mitralozin
Përplasja mes Mançester Junajtid dhe Real Madridit për Kristiano Ronaldon pasurohet edhe me një kapitull të ri. Këtë herë ai që sulmon ashpër është Aleks Ferguson, i cili, duke harruar titullin e tij "Sir", lëshon goditje në drejtim të klubit spanjoll, në veçanti ndaj presidentit Ramon Kalderon. Ky i fundit ka dhënë një intervistë diplomatike për "Marca"-n, e cila shikohet me dyshim nga trajneri i "Red Devils". "Ndoshta e gjitha kjo është një pjesë e një strategjie, që lë shijen e një tentative tjetër për të bindur Kristiano Ronaldon. Ne jemi gati dhe kemi municione të mjaftueshme. Por nuk do të përdor pistoletë: për janarin (koha e "dritares" së ardhshme të merkatos) kam gati mitralozin!". Sikur të mos mjaftonte kjo, Ferguson, më pas, ka filluar të shajë presidentin e madrilenëve: "Kalderon ka bërë shumë premtime se do të marrë lojtarin tonë, por komente të tilla nga ana e tij janë qesharakë. Ai karakterizohet nga një arrogancë totale".