E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta, debutimi me 1 pikë i Vasil Bicit te Lushnja

Vasil Bici e nis jo keq aventurën e tij në krye të Lushnjës. Një barazim 1-1 më se i merituar për skuadrën e tij në ndeshjen e zhvilluar mesditën e djeshme të luajtur në stadiumin "Roza Haxhiu". Përballja mes tyre u karakterizua nga një lojë interesante, ku të dyja skuadrat shfaqën dy tablo të ndryshme. Lushnja zhvilloi një pjesë të parë më intensive dhe kërkoi golin më shumë se miqtë, të cilët u munduan të kontrollonin mbrojtjen. Rezultati është zhbllokuar shumë shpejt, vetëm pas 7 minutash lojë. Ishte goleadori kavajas, Dorian Bubeqi, ai që shfrytëzoi topin e kthyer në këmbët e tij, pas grushtimit të një gjuajtje nga ana e portierit Vashaku dhe nuk e pati të vështirë ta çonte atë në rrjetë. Më pas, epërsia vazhdon me një gol të shënuar nga Bokatola, por të anuluar për pozicion jashtë lojë. Me kalimin e kohës, niveli i shpejtë i lojës së treguar nga vendasit filloi të zbehet. Në pushimin mes dy pjesëve, Lushnja zëvendëson portierin Spaho (të dëmtuar në shpatull) me të riun Ibrahim Bejtja, i cili bëri debutimin e tij në Kategorinë Superiore. Në pjesën e dytë, Teuta filloi të tregojë më tepër forcë, duke paraqitur një skuadër, që është në gjendje të luajë futboll për 90 minuta. Skuadra durrsake, më kërkuese për të barazuar rezultatin, ia arriti qëllimit në minutën e 58-të, kur Vilfor Hysa barazon me një goditje me kokë brenda zonës, duke mposhtur portierin e ri dhe pa eksperiencë Bejtja. Më pas gjithçka vazhdoi e qetë dhe të dyja skuadrat dukej sikur ishin të kënaqura me një barazim. Në këtë mënyrë trajneri Vasil Bici debuton me pikë në ndeshjen e parë si trajner i Lushnjës në këtë sezon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›