E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet vrasësi i Ivo Pukaniçit

Atentatori që vrau para disa ditësh, në mes të Zagrebit, në oborrin e së përjavshmes "Nacional", botuesin dhe gazetarin e njohur kroat, Ivo Pukaniç, dhe kolegun e tij Nike Franjiç, është Zheljko Millovanoviç, ish-pjesëtar i forcave policore speciale serbe famëkeqe, tani të shpërbëra, Beretat e Kuqe. Këtë e njoftuan burime të mirinformuara, që kanë lidhje me policinë kroate, sipas të cilëve Millovanoviç e kishte ndjekur prej një muaji Pukaniçin, para se sa ta vriste. Sipas policisë, kamerat e vendosura në oborrin e "Nacionalit" kishin regjistruar ardhjen e Millovanoviçit në oborrin e lartpërmendur, vendosjen nga ai të eksplozivit në krah të makinës dhe largimin e tij të menjëhershëm pas vrasjes.

Zheljko Millovanoviç, që aktualisht ndodhet në arrati, ka shtetësi të dyfishtë, të Kroacisë e të Bosnjë-Hercegovinës, dhe ka shërbyer në forcat policore serbe të Beretave të Kuqe, në njësinë për operacionet speciale që komandohej nga kreu i Klanit të Zemunit, Millorad Ulemek-Legia, i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiç.

Autoritetet kroate ngulin këmbë se Millovanoviçi ndodhet aktualisht në Republikën Srbska dhe se policia e atjeshme po e ndjek atë, me porosi të policisë kroate. Millovanoviçi ka "në kurriz" edhe raste të tjera vrasjesh, grabitjesh dhe rrëmbimesh, për të cilat kundër tij thuhet se janë lëshuar mandate-arreste nga gjykatat e Osijekut, Beogradit, Novi Sadit dhe të Suboticës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›