E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apeli dënon dy vrasës me 34 vjet burg

11/01/2005  TIRANË – Ardian Bami dhe Flamur Çakamashi nuk kanë arritur të shmangin dënimin e tyre me nga 17 vite burg dje, në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Edhe pse në momentin e dhënies së vendimit nga Shkalla e Parë palët ishin të irrituara, dje asgjë nuk ka mundur të diskutohet. Vendimi i djeshëm ishte i formës së prerë dhe, kështu të pandehurve do t'u duhet të vuajnë nga 17 vite heqje lirie. Dënohen me nga 17 vite burg të pandehurit Ardian Bami dhe Flamur Çakamashi, akuzuar për vrasjen e Flamur Rexhës, në vitin 1997. E vetmja lehtësi që aplikoi dje Apeli, ishte mosbashkimi i dënimeve për të pandehurin Ardian Bami. Shkalla e Parë kishte bërë bashkimin e dënimeve, ndërsa Apeli e hoqi këtë gjë. Bami ishte i dënuar më parë me dhjetë vjet burg. Për të ishte kërkuar dënimi përfundimtar me 23 vite burg. Ndërsa Apeli vendosi që bashkimi i dënimeve të bëhet në një tjetër fazë gjykimi. Akuza, në përfundim të procesit, kërkoi dënimin e të pandehurve me nga 25 vite burg. Këtë gjë akuza e kërkoi edhe në Shkallën e Dytë. Por në fuqi mbeti vendimi i dhënë nga gjykata. Flamur Çakamashi dhe Ardian Bami kanë kryer vrasjen e Flamur Rexhës, në vitin 1997. Vrasja e tij është parë nga dy motrat, të cilat vetëm gjashtë vite më pas kanë arritur të bëjnë kallëzim në polici. Në momentin e kallëzimit, dy motrat janë shprehur se nuk kanë mundur t'i drejtohen policisë, pasi kishin kohë që merrnin kërcënime nga të pandehurit. Dëshmia e motrave u mor parasysh nga gjykata. Gjatë gjithë kohës, ato janë shprehur se vëllai i tyre është tradhtuar nga shokët. Ai u vra te dera e shtëpisë. Por dy të pandehurit kanë kundërshtuar thëniet e dy motrave. Të pandehurit, nëpërmjet avokatit të tyre, Arben Qeleshi, para gjykatës janë munduar të nxjerrin të padrejta dy dëshmitë, vendimtare për dhënien e dënimit të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›