E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas pafajësisë, në gjyq për tjetër vepër penale

11/01/2005  TIRANË – Merr pafajësi për një krim, por mbetet ende në burg për një vepër tjetër penale. Historia e djalit 20-vjeçar nga Saranda, i cili u plagos dhe më pas u fut në burg nga gjyqtari Petrit Aliaj, duket se nuk do të përfundojë shpejt. Tri ditë para se Skëndo të merrte pafajësi nga Krimet e Rënda, në Sarandë nga të njëjtët autorë i ngrihet një vepër penale. Këtë radhë vepra ishte më e rëndë. Trafikim femrash. Erjol Skëndo akuzohet se ka tentuar të trafikojë një vajzë 16 vjeçe nga qyteti i tij. Me këtë vajzë, i pandehuri ka dalë një orë në shëtitje dhe më pas i është atribuar si trafik. Kjo vepër është pezulluar një herë nga prokuroria e Sarandës. Gjyqi në Sarandë për këtë vepër është pezulluar, pasi avokati Neshat Fana e ka sjellë çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Duke qenë se vepra është trafikim i fëmijëve, kompetencë për ta gjykuar Skëndon, sipas avokatit, e kanë Krimet e Rënda. Ndërsa, prokuroria e Sarandës kërkon që çështja të vazhdojë të gjykohet në gjykatën e rrethit. Nga ana tjetër, djali 20-vjeçar që u plagos nga një gjyqtar, ka fituar pafajësi edhe në Shkallën e Dytë të gjykimit. Erjol Skëndo, 20-vjeçari nga Saranda, i plagosur nga gjyqtari Petrit Aliaj dhe më pas i akuzuar për vjedhje me armë, do të vazhdojë të qëndrojë në burg, edhe pasi vendimi i pafajësisë ka marrë formë të prerë. Nëna e djalit, u shpreh dje se gjyqtari Petrit Aliaj vazhdon ende ta përndjekë si familje. Ajo thotë e shqetësuar për shëndetin e djalit, të cilit i ka mbetur krahu si pikëpyetje. Sipas nënës së djalit, këtë radhë akuza nuk është për vjedhje, por për trafikim. Familjarët, thonë se kjo akuzë i është vënë vetëm për ta mbajtur në burg, pasi dështuan në të parën. Sipas gjykatës, gjyqtari Petrit Aliaj, i cili plagosi të pandehurin Erjol Skëndo, më 8 gusht të vitit 2003, dhe më pas e akuzoi për vjedhje, ka gënjyer, kur ka deklaruar se e ka parë me armë në dorë. Ndërkohë avokati Neshat Fana, tha dje se, prokuroria e Sarandës po bën shumë shkelje ligjore me dosjen në fjalë. Gjykata e Krimeve të Rënda do të vendosë në datën 25 janar për shpalljen e kompetencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›